“Radoiçiq paraqet rrezik”/ Zbërthehet deklarata e Bosch – ky është paralajmërimi!

Politika

“Radoiçiq paraqet rrezik”/ Zbërthehet deklarata e Bosch – ky është paralajmërimi!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 5 dhjetor 2023 Në ora: 19:30
Millan Radoiçiq

Ka disa vite që dialogu Kosovë – Serbi po vazhdon pa një marrëveshje finale. 

Sulmi i fundit terrorist në Banjskë ka qenë njëri ndër provokimet e Serbisë ndaj Kosovës, për të cilin Serbia ende nuk është sanksionuar nga ndërkombëtarët.  

Mirëpo, sulmin në Banjskë e pranoi që e kishte organizuar krimineli, Millan Radoiçiq, i cili u lirua nga Gjykata Serbe. 

E i shqetësuar për këtë situatë është edhe diplomati holandez, Robert Bosch. 

Bosch, e vlerëson si të domosdoshme që Aleanca më e fuqishme ushtarake në botë, NATO-ja, ta shtojë numrin e ushtarëve në Kosovë për të ofruar siguri. 

Image
Robert Bosch

Sipas tij, në këtë fazë në prag të zgjedhjeve në Serbi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po kërkon që ti bashkojë të gjithë serbët, andaj ai nuk e përjashton mundësinë që situata të dalë jashtë kontrolli. 

Ai është shprehur i shqetësuar edhe për faktin se Millan Radoiçiq është akoma i lirë, pavarësisht se e organizoi sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vdekur rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. 

“Duke qartë se NATO-ja e ka rritur së fundmi angazhimin e saj në Ballkanin Perëndimor, duke shtuar më shumë trupa në Kosovë. Këto lëvizje NATO nuk i ndërmerr pa pasur informacione se situata e sigurisë nuk është aq edhe sigurt në rajonin e Ballkanit Perëndimor”. 

Shala: NATO po dëshmon që është e përkushtuar 

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë Drizan Shala. 

Ai thotë që nga sulmi terrorist i serbëve në Kosovë NATO ka dëshmuar që është e përkushtuar për mbrojtjen e territorit të Kosovës, në mënyrë që Serbia të mos nxit konflikt të ri. 

“Situata tani më nga muaj shtator 2023 ku ishte sulmi brutal terrorist shtetëror të Serbisë mbi institucionet e Kosovës po e dëshmon që Serbia ka hyrë në një fazë e cila është alarmante për të menaxhuar nga shtimi i trupave që është duke ndërmarr NATO po dëshmon që është e përkushtuar që mos të kemi mundësi që Serbia si aleat Rusinë të përdoret për të nxitur një konflikt të ri në këtë rajon duke vë fokusin në Kosovë dhe BiH si potencial por edhe Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut si opsion të dyta”, thotë ai. 

Image
Drizan Shala

Më tej, Shala thekson që përgjigjja që Kosova i dha Serbisë në rastin në fjalë ka dëshmuar që nuk mund të kalojë ashtu siç mendon. 

“Serbia mund të ketë në mendje çfarëdo forme ndonjë opsione apo skenar por që institucionet e Kosovës kanë ndërmarr gjitha veprimet adekuate. Për të parandaluar një veprim të tillë edhe në të ardhmen duke dëshmuar për një profesionalizëm të jashtëzakonshëm në këtë proces”, potencoi Shala për “Bota sot”. 

Kelmendi: KFOR-i dhe Kosova kërkohet të jenë të përgatitura për agresionet terroriste serbe në Kosovë 

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ai thotë që qëllimi i serbëve është i qartë dhe nevoja për shqetësime është e dukshme. 

Sipas tij, ideologjia kishtare serbe për bashkimin e botës serbe në Ballkan në një shtet me Serbinë, është bërë ideologji e vet shtetit serb. 

“Gjendja në mes të Kosovës dhe Serbisë është që nga lufta jashtë kontrollit. Është e kuptushem edhe shqetësimi i Bosch, por ajo kurrë nuk u stabilizua. Francezët e krijuan një territor të pastër serb, duke dëbuar shqiptarët nga veriu, që tash po vepron për bashkimin e viseve veriore të Kosovës me shtetin serb. Këtë qëllim e ka edhe Serbia. Ideologjia kishtare serbe për bashkimin e botës serbe në Ballkan në një shtet me Serbinë, është bërë ideologji e vet shtetit serb. Në fushat po propagandohet bashkimi i tërë serbëve në një shtet”, tha ai. 

Image
Muhamet Kelmendi

Profesori nga ana tjetër shton që nga serbët pritet veprime të ashpra dhe se Kosova duhet të jetë e përgatitur për çdo gjë. 

“Për të ndalur këtë terrorizëm serbomadh, po kërkohet nga NATO, që të bëhet  shtimi i trupave të KFOR-t në Kosovë. Anglia i ka dërguar edhe 400 forca të reja, SHBA po ashtu dhe Turqia. Në vitin e ardhshëm do i dërgon edhe Gjermania rreth 180 forca të reja. Aktualisht gjenden në Kosovë rreth 5000 forca të KFORI-t. Natyrisht se nuk mjaftojnë nëse sulmohet me ushtri dhe paramilitar serbë  Kosova, kuptohet nga Serbia. Ndërsa, për rend dhe qetësi, pa agresion nga jashtë, janë në gjendje të ruajnë situatën. Priten veprime të ashpra dhe shumë të rënda. Kosova kërkohet të jetë syçelë dhe e përgatitur për tu mbrojtur nga këto forca terroriste serbe”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat