“KFOR në gatishmëri”, ekspertët zbardhin prapaskenat e deklaratës së Scholz: Ja paralajmërimi për shqiptarët

Politika

“KFOR në gatishmëri”, ekspertët zbardhin prapaskenat e deklaratës së Scholz: Ja paralajmërimi për shqiptarët

Arife Morina Nga Arife Morina Më 12 nëntor 2023 Në ora: 18:24
Foto ilustrim

Tash e disa muaj, në komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, tensionet janë të larta. 

Për shkak të rritjes së tensioneve, që u përcollën me protesta të dhunshme, ku u lënduan edhe dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it, NATO njoftoi për rritjen e pranisë ushtarake në Kosovë.  KFOR, që është reaguesi i tretë i sigurisë, vazhdimisht ka deklaruar se mund të ndërhyjë nëse është e nevojshme, por ka inkurajuar Kosovën dhe Serbinë që të zgjidhin mosmarrëveshjet përmes dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. 

Së fundi, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha se tensionet e fundit në Kosovë kanë dëshmuar se sa e rëndësishme është prania e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. 

Gjatë një konference për media në Berlin, së bashku me sekretarin e Përgjithshëm të aleancës perëndimore ushtarake, Scholz tha se shteti i tij mbështet misionin e KFOR-it. 

“NATO është garantues i sigurisë në Ballkanin Perëndimor, në Kosovë përmes KFOR-it. Gjermania merr pjesë në këtë mision përmes forcave të armatosura. Tensionet në ditët e fundit kanë ilustruar se sa e rëndësishme është kjo prani dhe që KFOR-i duhet të jetë në pozicion që të reagojë në mënyrë të duhur ndaj të gjitha zhvillimeve”, tha kancelari gjerman. 

Deklaratën e Scholz-it për rolin dhe rëndësinë e KFOR-it në Kosovë, i komentuan ekspertët e sigurisë për gazetën “Bota sot”. 

Kulla: Deklarata e kancelarit Scholz vjen në një moment të rëndësishëm për Kosovën 

Image
Ilir Kulla

Në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Ilir Kulla 

Së pari, tha se deklarata e kancelarit vjen në një moment të rëndësishëm për Kosovën, pasi dëshmon se pavarësisht zhvillimeve dramatike në Gaza, ende siguria e vendit tonë është në qendër të vëmendjes. 

“Deklarata e kancelarit Scholz vjen në një moment të rëndësishëm për Kosovën por edhe në një moment shumë delikat për paqen në botë për shkak të zhvillimeve në lindjen e mesme. Kjo do të thotë se pavarësisht zhvillimeve dramatike dhe epokale në Gaza vëmendja për sigurinë e Kosovës mbetet e lartë”, deklaroi eksperti i sigurisë. 

Ndër të tjera, ai shtoi se ekziston ende rreziku për sulme nga Serbia. 

“Duhet të dallojmë rrezikun potencial dhe kërcënimin real. Rreziku potencial mbetet i lartë pavarësisht 24 viteve të përfundimit të luftës. Ndaj, Gjermania përmend NATO-n për të theksuar se Kosova është territor i NATO-s. Kërcënimi real është relativ dhe lidhjet me ngjarjet që priten të ndodhin në Serbi, rajon, Ukrainë dhe Lindje të Mesme”, përmbylli Ilir Kulla për “Bota sot”. 

Elezi: Kancelari gjerman siguroi informacionet e nevojshme nga sekretari i NATO-s 

Image
Bedri Elezi

Kurse, eksperti tjetër i sigurisë, Bedri Elezi në një bashkëbisedim me “Bota sot” e mirëpriti takimin e Scholz me përfaqësuesin e NATO-s. 

Ai tha se nga ky takim u dakorduan që  të merren masa ndaj rreziqeve që mund të vijnë nga aktivitetet e grupeve kriminale serbe. 

“Kancelari gjerman, Olaf Scholz në konferencën e fundit që kishte me përfaqësuesin e NATO-s, kishte deklaruar qartazi se KFOR duhet të jetë vigjilent dhe i përgatitur për përballjen eventuale me një rast tjetër sulm siç ishte ai në Banjskë. Madje, i njëjti kishte kërkuar nga sekretari i NATO-s që të kemi qasje të duhur sa i përket rrezikut që mund t’i vije Kosovës për shkak të aktiviteteve të dyshimta të strukturave kriminale dhe terroriste serbe të cilat mbështeten nga Beogradi zyrtar. 

Edhe kancelari Scholz edhe përfaqësuesi i NATO-s janë dakorduar se situata e sigurisë në Kosovës është shumë e rëndë dhe ekziston rreziku i përsëritjes së rastit në Banjskë, dhe njëkohësisht janë dakorduar që të merren të gjitha veprimet e nevojshme në Kosovë nga KFOR-i dhe NATO për shmangien eventuale të një sulmi apo agresioni siç ishte ai me datë 24 shtator”, deklaroi eksperti i sigurisë. 

Krahas kësaj, Elezi potencoi se kancelari gjerman e paralajmëroi në një mënyrë popullin e Kosovës se mund të ketë sulme të tjera. 

“Kancelari gjerman, në njëfarë forme e paralajmëroi publikun se ekziston rreziku i një rasti të ngjashëm apo ndoshta më i madhe se sa ai i sulmit terrorist të 24 shtatorit. 

Njëherësh, paralajmëroi se pasojat për një aktivitet të tillë mund të jenë serioze duke goditur gjithë sigurinë në Ballkan apo më gjerë. 

Prandaj, takimi ishte organizuar për të biseduar rreth veprimeve që ka ndërmarrë NATO për të parandaluar një sulm të tillë, ku kancelari gjerman siguroi informacionet e nevojshme nga sekretari i NATO-s, se të gjitha veprimet janë ndërmarrë duke shtuar forcat e NATO-s, duke sjellë pjesëtarë të njësive të veçanta nga anëtarët e shteteve të NATO-s, sidomos nga Anglia, Turqia, Rumania, Gjermania, etj., të cilat kanë përvoja në raste të ngjashme”, theksoi ai. 

Ndër të tjera, eksperti i sigurisë ndërlidhi edhe ndikimin rus dhe planet e Rusisë në Ballkan, ku tha se po tentohet të hapen sa më shumë vatra zjarresh. 

“Njëkohësisht, në këtë takim, të cilin nuk u bë shumë publik, u diskutua përpjekja e Rusisë për të përdorur këto grupe terroriste dhe radikale nga brenda Serbisë, për eskalimin e sigurisë në Ballkan. Kjo, me qëllimin e vetëm për të zhvendosur vëmendjen e faktorit ndërkombëtar nga lufta në Ukrainë, në qendër të Evropës, në Ballkan, dhe kështu të kemi hapje të zjarreve të reja, siç është tani edhe ajo në mes Izraelit dhe Palestinës në Gaza. Përmes përhapjeve të zjarreve, Rusia do t’i qojë para planet e saj që kanë të bëjnë me Ukrianën”, përmbylli Bedri Elezi për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat