Kush fshihet pas ‘maskave’ të NJSI-së, njerëz nga opozita dhe ata që duan të rrëzojnë Kurtin?

Politika

Kush fshihet pas ‘maskave’ të NJSI-së, njerëz nga opozita dhe ata që duan të rrëzojnë Kurtin?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 5 nëntor 2023 Në ora: 07:58
Pjesëtarët e njësive speciale të Policisë së Kosovës gjatë protestës së tyre para ndërtesës së Qeverisë. 1 nëntor 2023

Ditë më parë, Njësia Speciale Intervenuese ka protestuar para objektit të Qeverisë së Kosovës. Ata kanë protestuar në shenjë pakënaqësie për shtesat e propozuara të rrezikshmërisë.

Sipas propozimit të Qeverisë, shtesat për këtë NJSI do të jenë rreth 150 euro. Në protestën e NJSI-së, u shprehën pakënaqësitë lidhur me kategorizimin e rrezikshmërisë në punë si dhe mospërfshirjen në shtesat tjera të parapara me ligj.

Mirëpo, sa të sinqerta mund të konsiderohen protestat e djeshme të pjesëtarëve të NjSI-së duke qenë se ata protestuan me maska para qeverisë së Kosovës?

A lindin me të drejtë dyshimet se këta protestues mund të jenë të porositur nga pushtetet e kaluara prandaj edhe kanë protestuar të maskuar?

Tërnava: Opozita s’po lë mënyrë pa përdorur për me e devalvue këtë qeveri

Image
Hajrullah Tërnava

Lidhur me këtë ҫështje, ka folur ish zëvendësministri i MPB-së dhe njohësi i ҫështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava.

Ai thotë për ‘Bota sot’ se, rrethanat politike që po zhvillohen në Kosovë, e që janë të vështruara nga bota demokratike, dhe ҫdo rrjedhë në rrethana të ndryshme asnjë nuk mund të jenë tepër sekrete, prandaj edhe ҫështja e protestuesve të njësive të policisë ashtu të maskuara e dëshmon këtë dyshim.

“Gjithsesi se tani ekziston dyshimi që kjo polici po manipulohet nga ish pushtetarët e deritashëm të para kësaj pozite, sidomos kur ata tani si opozitarë nuk po munden me gjetë mënyrën e rrëzimit të kësaj qeverie në pushtet, sepse sikur që dihet pushtetarët janë në pushtet falë votës së elektoratit që ua ka dhënë me shumicë absolute votën kësaj qeverie në pushtet. Prandaj, si në parlament që opozita s’po lë mënyrë pa përdorur për me e devalvue këtë qeveri, dhe me devalvimin e saj me e rrëzu për të shkuar në zgjedhje të reja, me shpresë se ndoshta së paku i përafrohen fitores së votave që së bashku me të gjitha partitë në koalicion për ta rrëzuar këtë qeveri dhe me koalicion të përbashkët tani me i fitu votat dhe me e kriju qeverinë e re ne ardhje”, thekson Tërnava.

Mirëpo, sipas tij, një gjë e tillë është vështirë të ndodhë sepse opozita nuk po mund t’i bëjë shumicën e votave të duhura për rrëzimin e kësaj qeverie, edhe tani sipas sondazheve nëse shkohet në zgjedhje të reja, për këtë qeveri në pushtet vlerësimet janë se do t’i fitoi zgjedhjet me një përqindje edhe më të lartë se të fundit, sepse populli po i përkrah si kurrë më parë këtë qeveri.

“Tjerat qeveri që ishin më parë në pushtet asnjëherë nuk e shtrinë efikasitetin e jetësimeve të ligjeve në ato pjesë të veriut deri te kufijtë me Serbinë, që tani kjo qeveri ka arritur për herë të parë ta shtrijë sovranitetin e saj deri në kufijtë me Serbinë”, vlerëson ai.

Eksperti i sigurisë thotë se, pas sulmit terrorist të Serbisë ndaj sovranitetit të Kosovës më 24 shtator 2023, Policia e Kosovës u vlerësua tepër lartë si nga institucionet shtetërore por edhe nga ato ndërkombëtare.

“Për herë të parë kjo qeveri i doli në mbrojtje të sovranitetit të saj deri te kufijtë me Serbinë, dhe tani për herë të parë janë duke u zbatuar në ato pjesë të veriut ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës, e që qeveritë e mëparshme nuk kanë pasur kurfarë qasje dhe as mbrojtje të sovranitetit në ato pjesë, përkundrazi ligjet serbe në ato pjesë ishin më të zbatueshme, edhe që KFOR-i është garantues i sovranitetit të Kosovës si institucion ndërkombëtar, megjithatë jetësimet e ligjeve të Kosoves i zbatojnë institucionet kosovare si MPB-policia dhe institucionet tjera shetetërore sikur që po ndodh tani”, thekson Tërnava.

Mulliqi: Duket sa e befasishme dhe irrituese që pas një akti heroik, një pjesë e saj të dalë në protesta

Image
Skënder Mulliqi

Po ashtu për këtë ҫështje ka folur edhe analisti politik, Skender Mulliqi.

Ai thotë se, Policia e Kosovës dhe njësitë elitare të saj janë treguar institucioni më i përgjegjshëm dhe me efikas i shtetit gjatë këtyre viteve.

“Se ҫfarë ka qenë paga e tyre mujore dhe stimulimet e tjera sigurisht se ka vend për t’u bërë diskutime në këtë drejtim, jo vetëm për një pjesë të policisë por, për policinë në tërësi. Nga Qeveria e Kosovës dolën me deklaratën se paga e NjSi, ne kushtet ekonomike dhe standarit që kemi në vend, paga nuk doli të jetë e ulët, që kjo njësi për të cilën secili ka respekt të dalë në protesta. Diҫka nuk duket në rregull me këtë rast. Nuk ka kaluar kohë e gjatë që kishin aktin terrorist të shtetit serb në veri, në krye me deri dje nënkryetarin e Listës Serbe, Radoiçiq, ku policia jonë ishte në krye të detyrës, edhe pse me një pjesëtarë të saj të vrarë dhe dy të plagosur, të ndjekë nga Kosova grupin i cili la mbrapa shumë armatim modern. Dhe, ky askion i policisë ishte për ҫdo lavdatë, dhe i gëzoi veprimi i tyre i guximshëm të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë”, vlerëson Mulliqi.

Megjithatë, sipas tij, duket sa e befasishme dhe irrituese që pas një akti të tillë heroik, një pjesë e saj të dalë në protesta. Diҫka duhet kuptuar me këtë rast.

“Fundi i fundit është detyrë e secilit pjesëtarë policorë të mbrojë integritetin dhe sovranitetin e vendit të vet, pa e lidhur këtë gjë me pagë apo me ndonjë stimulim tjetër, të cilën edhe e ka premtuar qeveria. Nuk dua të manipuloj, por ekziston dyshimi real se protesta eshte organizuar nga dikush prej opozitës, me qëllim që të shkaktohen sa më shumë probleme për ta rrëzuar qeverinë e mirë të Albin Kurtit. Kjo protestë ka mundësi të lidhet edhe me faktin se menjëherë pas aksionit të suksesshëm ndaj terrorizmit serbomadh të Vuçiqit, opozita kërkoi në Kuvend që t’u ngriten pagat Policisë së Kosovës, pa dhënë asnjë argumet se ҫfarë janë mundësitë që pikërisht tash, të bëhet rritja e tyre. Dhe, tjetra kjo gjë nuk përkonte në kohë dhe as hapësirë, dhe nuk ishte ndonjë afat që kjo rritje të bëhet, edhe pse pagat e kësaj njësie nuk janë të dobëta. Nëse dikush po dëshiron të përfitojë politikisht e duket se po në një situatë të tillë, kur përballë e kemi Serbinë e cila me ngulm po kërkon veriun, nuk i kontribuon hiq proceseve”, vlerëson Mulliqi.

Analisti thotë po ashtu se, qeveria po vendos rend dhe ligj në veri, gjë që nuk e kishim deri më tash. Dhe, duhet ditur secili dhe ҫdo strukturë politike apo institucionale, se detyrë imediate e secilit është që t’i dalim zot atdheut dhe kombit.

“Ne kemi kategoritë sociale, të cilat po tregohen dinjitoze në këtë situatë të ndërlikuar politike me Serbinë dhe bisedimet të cilat po zhvillohen. Për fund shtrohet pyetja logjike, ku ishin pushtetet e kaluara që per 22 vite sa e drejtuan shtetin e Kosovës, që shumë pak bënë për mirëqenie dhe zhvillim dhe për rritje të pagave edhe atyre policore. Askush nuk është që pagat jo vetëm për policinë e Kosovës e cila meriton ҫdo respekt, por edhe për të gjitha kategoritë e tjera mos të rriten, por kjo bëhet natyrisht krahas rritjes ekonomike siҫ preferohet në ҫdo vend demokratik të botës. Është e patolerueshme dhe e pajustifikueshme që dikush nga policia elitare të instrumentalizohet për qëllime të caktuara politike kushdo qoftë ai, apo të ndonjë partie politike. Vështirë që do të kishim pa një protestë të tillë diku në botën demokratike, pas një aksioni policor të sukseshëm siҫ ishte ai në Banjskë, kundër terrorizmit të hapur serbomadh për ndarjen e veriut të Mitrovicës nga jugu! Mbrojta e Kosovës nuk matet me asnjë ҫmim dhe as me rritje pagash”, vlerëson Mulliqi.

Mulliqi thotë se ka dyshime lidhur me organizimin e kësaj proteste, për ndryshe pse të paraqiten të maskuar.

NjSI paralajmëron sërish protesta

Ndryshe, pas protestës së 1 nëntorit, Njësia Speciale Intervenuese (NjSI) ka paralajmëruar protestë sërish më 7 nëntor, ditën e martë. Të njëjtit e kanë dorëzuar edhe paralajmërimin e protestës në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë. Protesta sërish është organizuar për të shprehur pakënaqësitë lidhur me pagën, rrezikshmërinë dhe shtesat e tjera. Kjo protestë është vazhdim i protestës së kaluar e cila u mbajt të mërkurën më 1 nëntor.

Protesta e së martës pritet të fillojë nga ora 12:00. Në këtë protestë do të dalin pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese dhe Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat