Ish-agjenti i ShIK-ut “zbulon” pse u bastisen shtëpitë e ish- këshilltarëve të Thaçit/ Ja ku kanë përfunduar dëshmitarët që përbënin rrezik

Politika

Ish-agjenti i ShIK-ut “zbulon” pse u bastisen shtëpitë e ish- këshilltarëve të Thaçit/ Ja ku kanë përfunduar dëshmitarët që përbënin rrezik

Nga: Naile Ejupi Më: 1 nëntor 2023 Në ora: 16:09
Artan Behrami, Blerim Shala dhe Bashkim Smakaj

Gjykata Speciale ka filluar javën me bastisje në shtëpitë e ish- këshilltarëve të Hashim Thaçit.

Të hënën dhe të martën, Specialja ka bastisur shtëpitë e Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami.

Ndërsa, të mërkurën “aksioni” i saj nuk është ndalur, PS ka bastisur shtëpinë e Ismail Sylës, gjithashtu ish- këshilltar i Thaçit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka konfirmuar të mërkurën se janë duke vazhduar operacionet e bastisjes në Kosovë.

Zëdhënësi i kësaj zyre Christopher Bennett tha se një gjë e tillë po bëhet në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) aktualisht është duke kryer operacione në Kosovë. Operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, ka deklaruar Bennett.

Duke folur rreth bastisjeve të fundit, ish- agjenti i ShIK-ut, Naim Miftari, thotë se këto bastisje po tentojnë të ndikojnë në procesin gjyqësor.

Sipas tij, përmes bastisjeve ndikohet në dëshmitar të prokurorisë së Gjykatës Speciale.

“Bastisjet që po bëhen në zyra, shtëpi, vila, sekserave të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit sigurt nuk kanë lidhje me ngjarjet në Mitrovicë, me veriun e Kosovës, por me plot të drejtë dyshimi bazë i Gjykatës Speciale rreth bastisjeve të njerëzve të Hashim Thaçit është se po tentojnë të ndikojnë në procesin gjyqësor, duke ndikuar në dëshmitar të prokurorisë së Gjykatës Speciale”, deklaron Miftari.

Ai tregon se ku kanë përfunduar dëshmitarët që kanë paraqitur rrezik për Thaçin, gjersa shton se ai i ka përdorur “nëntokën” kundër dëshmitarëve të mundshëm.

“E kam thënë edhe më herët se dëshmitarët që kanë paraqitur rrezik për Hashim Thaçin, ata që kanë shpëtuar gjallë gjatë luftës dhe pas luftës kanë përfunduar disa si këshilltarë të tij personal, disa të punësuar nëpër komuna që i ka udhëhequr PDK-ja, ose vendi i preferuar ka qenë punësimi në PTK, Vala 900, ose kanë përfunduar si dëshmitar të mundshëm një foto të përzemërt me Thaçin, Veselin apo ndonjë dekoratë nga ish- presidenti Hashim Thaçi.

Nuk është fare sekret se Pronto Mafia në krye me Hashim Thaçin e ka përdorur, pos që e kanë përdorur nëntokën kundër kundërshtarëve, sidomos kundër dëshmitarëve të mundshëm gjyqësor që nga vrasja e deri te kërcënimet e tentimi për t’i blerë dëshmitarët, por e kanë keqpërdorur për këto qëllime edhe policinë, AKI-në, prokurorinë, gjyqësinë, shtypin, etiketimet publike për interesat e tyre personale, për interesa dhe qëllime të Klanit të PDK-së, ish- udhëheqësve të SHIK-ut që në fakt janë të njëjtit akterë”, pohon Miftari.

Ndryshe, në bastisjen e sotme, Ismail Sylës i është konfiskuar vetëm telefoni.

Avokati i tij, Artan Qerkini, ka folur për media pasi ka përfunduar bastisja duke thënë se nëse ata do ta kishin ftuar Sylën, ai do t’ua kishte dorëzuar telefonin pa pasur nevojë për bastisje.

Tutje, Qerkini, bastisjen e quan të kotë, duke potencuar se po cenohet privatësia e personave pa ndonjë bazë ligjore.

“Është duke u cenuar privatësia e personave pa ndonjë bazë ligjore pa ndonjë logjikë të shëndoshë juridike... Kjo fushatë e bastisjeve tashmë është e njohur për opinionin publik dhe nuk ka asnjë njeri me inteligjencë mesatare jo mbi mesatare do të mbante në shtëpinë e vet diçka inkriminuese duke e ditur se shumë lehtë mund të jetë shënjestër e bastisjeve. Prandaj, mendoj se të njëjtat janë të kota dhe nuk janë në funksion të realizmit të bastisjes, marrë parasysh rrethanat e rasteve konkrete...Asgjë s’është konfiskuar përveç se një telefon, asgjë tjetër, telefonin i përket zotit Syla, zotit Ismail Syla. Asgjë tjetër përveç një telefoni nuk është konfiskuar dhe të jeni të bindur se edhe po ta ftonin zotin Syla që ta dorëzonte atë telefon do ta bënte një gjë të tillë”, u shpreh Qerkini.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat