Qeveria e re e Malit të zi e mbështetur nga aleanca “pro-serbe dhe pro-ruse"/ Analisti paralajmëron pasoja – këto tri çështje do të jenë problematike

Politika

Qeveria e re e Malit të zi e mbështetur nga aleanca “pro-serbe dhe pro-ruse"/ Analisti paralajmëron pasoja – këto tri çështje do të jenë problematike

Nga: M.L Më: 31 tetor 2023 Në ora: 21:57
Qeveria e re e Malit të zi

Kuvendi i Malit të Zi, mëngjesin e 31 tetorit zgjodhi Qeverinë e kryeministrit Millojko Spajiq, pas seancës plenare që zgjati tërë natën. 

Qeveria mori mbështetjen e 46 deputetëve nga partia e Spajiqit, “Lëvizja Evropa Tani”, nga partia pro-ruse Fronti Demokratik që është shpërbërë së fundi, Demokratët, Partia Popullore Socialiste dhe partitë shqiptare. 

Të gjitha këto parti do të udhëheqin ministri në Qeverinë e re, përveç partisë Fronti Demokratik, subjekt që sipas marrëveshjes me Spajiqin, do të hyjë në Qeveri pas një viti. Ekzekutivi do të ketë 18 ministri dhe pesë zëvendëskryeministra. 

Për zgjedhjen e Qeverisë, 19 deputetë opozitarë votuan kundër, një abstenoi dhe pesë deputetë munguan në seancë gjatë votimit. 

Votimi i Qeverisë së Malit të Zi vjen pasi aleanca pro-serbe dhe pro-ruse “Për një Mal të Zi” më të mirë, që udhëhiqet nga Andrija Mandiq, u pajtua të mbështeste zgjedhjen e Spajiqit, në këmbim që Mandiq të zgjidhej kryetar i Parlamentit. 

E këtë frymë “pro – ruse” të sapo- zgjedhur në Mal të Zi e ka komentuar për gazetën “Bota sot”, Amir Shabani njohës i zhvillimeve politike.  

Ai ka rikujtuar se Aleanca e Mandiç qëndron në kundërshtim të qartë kundër politikave pro-perëndimore të qeverisë së mëparshme të Dritan Abazoviç e që po ashtu është edhe kundër pavarësisë së Kosovës dhe sanksioneve të kundër Rusisë. 

“Aleanca pro-serbe dhe pro-ruse, "Për një Mal të Zi më të mirë", e udhëhequr nga Andrija Mandic, kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, ra dakord të mbështesë kabinetin e Spajiç në këmbim të pozitës së kryetarit të parlamentit. 

Aleanca e Mandiç qëndron në kundërshtim të qartë kundër politikave pro-perëndimore të qeverisë së mëparshme të Dritan Abazoviç. Është kundër njohjes së Pavarësisë së Kosovës dhe sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë pas pushtimit të Ukrainës. Andrija Mandiç ka bërë thirrje më parë për lidhje të ngushta me Rusinë dhe jo me BE-në dhe ka kritikuar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Edhepse kohët e fundit ka deklaruar se do përçojë disa "mesazhe të reja"”, ka thënë Shabani për “Bota sot”. 

Image
Amir Shabani

A ka theksuar se këto tre çështje mund të shkaktojnë probleme në Ballkan por edhe në arenën ndërkombëtare në përgjithësi.  

Madje ai ka thënë se vendet që po presin anëtarësim në BE e NATO duhet të kenë kujdes nga këto zhvillime. 

“Mendoj se këto tri çështje (mospranimi i Pavarësisë së Kosovës, mos-sanksionimi i Rusisë dhe mosantarësimi në NATO), do jenë jo vetëm probleme gjeopolitike dhe gjeostrategjike të rajonit të Ballkanit Perëndimor, por mund të ndikojnë edhe në arenën ndërkombëtare. 

Andaj, duhet pasur kujdes kur të gjitha vendet e BP-së po presin me padurim anëtarësimet në BE dhe NATO, të mos jetë shkaktar një qeveri pro-serbe dhe pro-ruse që t'i risë sanksionet e BE-së ndaj atij shteti dhe komplikimi i anëtarësimeve euro-atlantike të ndërlikohet edhe më shumë”, ka përfunduar Shabani. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat