Detajet dhe arsyet/ Kërkohet që Lista Serbe të shpallet terroriste

Politika

Detajet dhe arsyet/ Kërkohet që Lista Serbe të shpallet terroriste

Nga: P.Rudi Më: 20 tetor 2023 Në ora: 16:12
Lista Serbe

Përgjegjësinë për sulmin terrorist serb që ndodhi më  24 shtator në veri të Kosovës e mori krimineli serb, Milan Radoiçiq, i cili është edhe nënkryetar i Listës Serbe, parti kjo e cila është pjesë e Kuvendit të Kosovës.

E pas këtij akti terrorist, në Kosovë po kërkohet që Lista Serbe të shpallet terroriste dhe t’i ndalohet që të garojë në zgjedhjet në Kosovë.

Së paku kështu thotë analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri.

“Duke pasur parasysh faktin se e ashtuquajtura "listë serbe" është pjesë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe pikërisht nënkryetari i saj zyrtar, vendoset në krye të sulmit terrorist, që për pasojë pati vrasjen e policit tani hero të Kosovës Afrim Bunjaku në fshatin Banjë të Zveçanit, kjo ngjarje kriminale dhe ky akt i paprecedent terrorist i udhëhequr nga vet nënkryetari i listës serbe Milan Radojçiq, nuk guxon të kalojë pa veprime edhe politike, kundër kësaj partie, e cila jo vetëm që nuk ka dëshmuar, asnjëherë se kujdeset për jetën dhe mirëqenien e serbëve, madje edhe i vret ata, si rasti i Oliver Ivanoviqit, por që nga krijimi i saj, nga Thaçi e Vuçiqi, lista serbe vepron si dorë e zgjatur e Serbisë hegjemoniste në Kosovë, gjë që pas 24 shtatorit, duhet të marrë fund edhe nëse këte nuk e mbështesin partitë opozitare, të cilat kanë kooketuar në vijimësi me "listën srpska" dhe  Milan Radojçiqin”, thotë Qarri për “Bota sot”.

“Kështu që pas aktit terrorist të udhëhequr nga nënkryetari i “listës serbe” këtij grupimi konspirative serb, Qeveria dhe shteti i Kosovës, pikësëpari duhet të kërkojë urgjentisht, që nga Goran Rakiqi dhe krejt udhëheqësia e këtij subjekti misterioz politik që ta dënojnë publikisht dhe me zë, aktin terrorist serb, të 24 shtatorit, të distancohen nga krye terroristi Milan Radojçiq, i cili e ka marr përsipër përgatitjen, organizimin dhe zhvillimin e aksionit terrorist të 24 shtatorit, si dhe të dëshmojnë në vepër, se e njohin dhe respektojnë ligjet, kushtetutën dhe shtetin e Kosovës”, shprehet Qarri.

Image
Gani Qarri.

Më tej, ai thotë se në vazhdimësi Lista Serbe ka dëshmuar së është dorë e zgjatur e Serbisë.

“Përndryshe të ashtuquajturës "list¨serbe" e cila që nga krijimi, vepron si dorë e zgjatur e Serbisë hegjemoniste në Kosovë, rrezikon hapur tërësinë territoriale të shtetit tonë dhe mbetet në konfrontim të përhershëm me institucionet e Republikës së Kosovës, duhet ti pamundësohet pjesëmarrja në zgjedhje dhe të shqyrtohen shkeljet ligjore e kushtetuese, për tu ndaluar me ligj si parti dhe shpallur organizatë terroriste, në Kosovë”, nënvizon Qarri.

Sipas tij, është momenti i fundit që kjo parti politike të shpallet terroristë në Kosovë.

“E institucionet përkatëse të shtetit të Kosovës e kanë për detyrë të hetojnë dhe ndjekin penalisht secilin person apo grupim politik, që dyshohet se kryen vepra penale, cenon ligjin e kushtetutën si dhe rrezikon tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës, kjo edhe për faktin se  më 7 nëntor 2022, deputetët e "listës serbe", kanë dorëzuar edhe mandatet që kishin në Kuvendin e Kosovës, duke u zëvendësuar me "deputetë" të rinj, po nga kjo parti kontroverse, por edhe ata, pothuajse nuk marrin pjesë fare në punimet e Kuvendit të Kosovës. Andaj duke qenë se shpallja e një partie të jashtëligjshme në Kosovë mund të ndërmirret, nëse grupi apo partia politike mbron dhe miraton përdorimin e akteve të dhunshme si mjet politik për të cenuar tërësinë territoriale, ligjin dhe rendin kushtetues të shtetit, përderisa "lista serbe" as pas dorëheqjes së Radojçiqit, nuk e dënon publikisht aktin terrorist serb, të 24 shtatorit, nuk distancohet nga krye terroristi Milan Radojçiq, i cili derisa ishte nënkryetar i kësaj partie konspirative ka marr përsipër përgatitjen, organizimin dhe zhvillimin e aksionit terrorist të 24 shtatorit, edhe kjo vet "heroizon" aktin terrorist duke shpall tri ditë zie, për terroristët e vrarë, besoj që i plotëson të gjitha kriteret për shpalljen e saj organizatë terroriste, apo të paktën, grupim kriminal të jashtëligjshëm politik, të cilës duhet ndaluar pjesëmarrja në zgjedhje dhe veprimtaria në Kosovë”, shprehet Qarri.

“Madje Goran Rakiq miku dhe kolegu i ngushtë i kryeterroristit Milan Radojçiq, si dhe shërbëtori i përbetuar i presidentit kriminel serb, Aleksandër Vuçuiq edhe pas sulmit terrorist të udhëhequr nga nënkryetari i "listës serbe" kryeterroristi Milan Radojçiq, në Banjë të Zveçanit, këto ditë deklaroi publikisht se si "parti" vendimet politike vazhdojnë ti marrin në koordinim me Serbinë dhe se ai dhe partia që udhëheqë, respektojnë edhe propozimin e Aleksandër Vuçiqit, për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, si dhe pjesëmarrjen e "listës serbe" në to, sipas kërkesës së Vuçiqit, andaj si ka mundësi që ligjërisht kjo parti të vazhdojë të mbetet pjesëmarrëse e Kuvendit të Kosovës?!”, shpjegon Qarri.

Siç thotë Qarri, Vuçiq do të tentojë të shfrytëzojë zgjedhjet e paralajmëruara në veri të Kosovës, për ta riinstaluar serish listën serbe edhe njëherë në pushtet.

“Për aq më tepër, shpalljen e të ashtuquajturës "listë serbe" organizatë terroriste, menjëherë pas sulmit terrorist në Banjë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës heroi Afrim Bunjaku, e kërkuan edhe shtetet evropiane, dhe siç dihet tanimë publikisht, edhe në opinion, pas publikimit të videos nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës mbi aktin terrorist në Banjë të Zveçanit, të udhëhequr nga kryeterroristi Milan Radojçiq, i cili ishte edhe nënkryetar i "listës serbe", Kryetari i Këshillit Atlantik të Austrisë, Günther Fehlinger i ka kërkuar jo vetëm Kosovës, por edhe Bashkimit Evropian, ta shpallin "listën serbe" organizatë terroriste. Shto gjithë kësaj tendencën perverse të Vuçiqit, që përmes zgjedhjeve në veri, ta shfrytëzojë këtë situatë për ta riinstaluar serish listën serbe edhe njëherë në pushtet, dhe përmes faktorizimit të saj, ti fus përsëri nën kontroll dhe mbaj tërësisht të nënshtruar serbët lokal, subjekt ky shumë kontrovers dhe tepër i dyshimtë e konspirativ politik, që vetëm disa kohë më parë, në mënyrë të vullnetshme i ka braktisur institucionet e shtetit të Kosovës, edhe nëse faktori ndërkombëtar, nuk lejon shpalljen e saj organizatë terroriste, duhet medoemos të bëhet çdo gjë e mundshme ligjore, që e ashtuquajtura "listë serbe" të mos regjistrohet nga Komisioni Zgjedhor dhe të përjashtohet nga pjesëmarrja në zgjedhje, kurdo që ato mbahen”, thekson Qarri.

“Dhe për fund, qoftë edhe nisur nga arsyet e lartcekura, të cilat nuk janë të vogla as të pakta, kjo parti plotësisht kontroverse e prodhuar aksidentalisht dhe katapultuar në mënyrë tërësisht konspirative nga tandemi konfuz Thaçi&Vuçiq, duhet ndaluar me ligj, dhe atë sa më parë, aq më mirë edhe për vet pjesëtarët e pakicës serbe, që përfundimisht të çlirohen nga diktatura e Vuçiqit dhe listës serbe, të jetojnë të lirë e në demokraci dhe të bëjnë jetë pluraliste, mundësi këto, që për dallim nga Serbia, atyre ua ofron shteti i Kosovës”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat