“Lajçak duhet të zëvendësohet”/ Analistët flasin mbi “ftohjen” e raporteve të Kosovës me ndërkombëtarët

Politika

“Lajçak duhet të zëvendësohet”/ Analistët flasin mbi “ftohjen” e raporteve të Kosovës me ndërkombëtarët

Më: 22 shtator 2023 Në ora: 11:54
Foto nga takimi i 14 shtatorit në Bruksel

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë shprehur disa herë të shqetësuar dhe të zhgënjyer me vendimet e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti. Përveç tyre, edhe opozita në vend, vazhdimisht kanë kritikuar Qeverinë, duke thënë se kjo e fundit ka zbehur raportet e Kosovës me ndërkombëtarët.

Për këtë çështje, njohësit e zhvillimeve politike, konsiderojnë se nuk ka prishje të raporteve, por ka konfuzitet.

Rraci: Kosova aty është me i mbrojt qëndrimet e veta jo dëshirat e Serbisë

Image
Gazmir Rraci

Sipas tyre, BE duhet të emëroj një emisar të ri për vazhdimësinë e dialogut.

Analisti politik Gazmir Raci në një prononcim dhënë për “Bota sot”, vlerëson se Kosova në procesin dialogues me Serbinë të ndërmjetësuar nga ShBA-të dhe BE-ja, është për t’i mbrojtur qëndrimet e saj dhe jo dëshirat e Serbisë.

Po ashtu, ai potencon se Kosova po e mbron dakordimin për zbatimin e planin franko-gjerman.

“Nuk ka prishje të raporteve sepse kryeministri po mbron qëndrimet zyrtare të Kosovës, po mbron dakordimin që e ka dhënë për planin franko-gjerman dhe plani franko-gjerman e ka një fillim dhe një fund, ne nuk mundemi t’ia nisim me zbatu planin nga fundi ose prej kërkesës serbe. Kosova aty është me i mbrojt qëndrimet e veta jo dëshirat e Serbisë. Natyrisht janë obligime që fillojnë nga numri 1 deri tek numri i fundit”, thotë Raci.

Burjani: BE nuk po mund ta kryej këtë punë fare deri në fund, po ka ngecje, pakënaqësi

Nga ana tjetër, Blerim Burjani, analist politik, potencon se ka konfuzitet në raporte.

Image
Blerim Burjani

Madje ai thekson se, BE-ja duhet të zëvendësoj Lajçak-un, për shkak të anshmërisë dhe për faktin se dialogu me të u blloku.

“Ka konfuzitet në raporte, BE duhet të rishikojë dhe verifikoj sjelljet e Lajçak, ai duhet te zëvendësohet, sipas Kurtit është i anshëm, mendoj se Lajçak nuk mund të merret me këtë dialog, por të caktohet një tjetër, dialogu me Lajçak u bllokua. BE nuk po mund ta kryej këtë punë fare deri në fund, po ka ngecje, pakënaqësi. Mendoj që një emisar i ri i BE-së dhe Escobar të vazhdojnë këtë dialog dhe ta përmbyllin njëherë e përgjithmonë këtë dialog teknik dhe të mos ketë lojra për ta zbehur pavarësinë e Kosovës dhe për të sjellë në tavolinë pas një kohe ndarjen. Kjo nuk duhet te ndodhë”, deklaron Burjani.

Escobar: Lajçaku nuk do të largohet

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, dje ka komentuar kritikat ndaj Lajçakut nga kryeministri Kurti.

Escobar ka përsëritur se ndërmjetësuesi i BE-së gëzon besimin e plotë të bllokut evropian dhe të SHBA-së. Ai duke iu referuar Kosovës thotë se një vend me një milion e gjysmë banorë nuk mund ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionë banorësh të ndryshojë taktikat e tij.

“Lajçak gëzon besimin e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Të gjitha vendet e BE-së bënë një deklaratë të përbashkët pas dështimit të bisedimeve, me mbështetje për Lajçakun. Është diçka me të cilën duhet të përballen. Lajçaku nuk do të largohet. Dialogu nuk do të largohet. Dhe nuk mendoj se një vend prej një milion e gjysmë do ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat e tij. Mendoj se duhet të ketë një përqasje më pragmatike nga qeveria e Kosovës”, ka thënë Escobar.

Escobari tutje ka thënë se ka qenë i alarmuar me sulmet personale ndaj Lajçakut që ekzistojnë në sferën shoqërore të Kosovës, duke shtuar se i ka kërkuar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, dhe kryeministrit Kurti që t’i dënojnë ato.

“Më duhet të them edhe diçka tjetër. Gjatë javës së fundit jam alarmuar nga sulmet personale ndaj Lajçakut që ekzistojnë në sferën shoqërore të Kosovës. I kërkova presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti që t’i dënojnë këto sulme. Nuk po them se vijnë nga Qeveria e Kosovës, por Qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e qartë se sulmet personale ndaj përfaqësuesit të posaçëm janë të papranueshme”, ka thënë ai.

Ndërkaq, kohë më parë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar ashpër qasjen e top-diplomatëve evropiano-amerikanë, Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Escobar, duke thënë se po vijnë në Kosovë me kërkesat e Serbisë.

Kreu i ekzekutivit kosovar, vetëm pak ditë pas vizitës së Emisarit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, tha se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, po trajtohet mirë.

“Ne këmbëngulim që sjellja e mirë ndaj një autokrati nuk e bënë edhe atë të sillet mirë. Përkundrazi… Vijnë tek ne me kërkesa, me kërkesat e palës tjetër”, pohoi kryeministri Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat