Driton Tali “godet” opozitën - tregon prapaskenat e “trysnisë” ndaj Kosovës, ka këtë paralajmërim!

Politika

Driton Tali “godet” opozitën - tregon prapaskenat e “trysnisë” ndaj Kosovës, ka këtë paralajmërim!

Nga: M.Haziri Më: 20 shtator 2023 Në ora: 14:09
Driton Tali

Takimi i 14 shtatorit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, rezultoi i pasuksesshëm.

Pas disa orësh takime të ndara me diplomatët e BE-së, Josep Borrell e Miroslav Lajçak, dhe pas një takimi trepalësh, Kurti dhe Vuçiq nuk kanë arritur të pajtohen për zbatimin e marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi.

Kjo situatë solli reagime të shumta, ndërsa ndërkombëtarët rritën trysninë ndaj Kosovës edhe më shumë.

E zëshme kundër veprimeve të Qeverisë në raport me dialogun është edhe opozita.

E në lidhje me këto ngjarje të fundit për “Bota sot”, ka folur Driton Tali.

Ai u shpreh se “trysnia” po vjen më shumë nga opozita se sa nga situata që është aktuale.

Sipas tij, këto “trysni” tashmë janë shndërruar në “lojëra fëmijësh”.

Kjo "trysni" është (ndonëse po shoh se Opozita më shumë po i frynë se që realisht është) në të dy palët. Biles Serbia në këso "trysnie" është goxha më gjatë. Arsyeja pse e futa në thonjëza "trysninë aktuale" është për shkak të zhurmës që bënë diplomatët perëndimorë lidhur me Takimin e Ohrit.

Pas gjithë asaj zhurme me gjithë ato kërcënime për penalizim ndaj palës që nuk e pranon atë marrëveshjen (Franko-Gjermane), dhe në fund Vuçiçi nuk e pranoi, e diplomatët perëndimorë ngelen si kukulla të shtangura. Andaj të ju them të drejtën, këtyre "trysnive" dhe këtyre takimeve sikur ju ka humbur edhe kuptimi. Janë bërë bajat. Të paktën para disa kohë takimet mes dy palëve kishin njëfarë razmitazi, kishin njëfarë drame, tashti janë shndërruar si "lojëra fëmijësh". Dhe kjo ka një shpjegim. E ai shpjegim është geopolitika aktuale”, u shpreh ai.

Tali më tej thotë që derisa Vuçiq e ka përkrahjen e Putinit, andaj edhe të vazhdoj me këtë sjellje.

Ai përmend edhe momentin kur Vuçiq para gazetarëve i dërgoi mesazh Putinit që nuk do të vënë sanksione Rusisë.

Ende Rusia e Putinit nuk është dorëzuar në Ukrainë. Derisa Vuçiçi, me këtë establishment politik hexhemon që e dominon Serbinë, ta shohin Rusinë e Putinit si faktor gjeopolitik, ai do të vazhdojë kështu të sillet. Dje, në Kombet e Bashkuara, gazetarëve ju deklaroi me plotë krenari (mbase donte t'i çonte mesazhe Putinit nga atje) se "Serbia është i vetmi shtet evropian që nuk i ka vë sanksione Rusisë dhe nuk e ka ndërmend pa marrë parasysh ligjëratave që të mëdhenjtë do të mi japin këtu (në Nju Jork - OKB)".

Andaj këto negociata unë mendoj se do të vazhdojnë në këtë modë (pra në stilin "Tom and Jerry") derisa nuk jemi ndryshime në gjeopolitikë. Derisa "kjo Serbi" ta ketë "këtë Rusi" në Këshillin e Sigurimit kjo sagë kështu do të shkojë. Alternativa është të kemi ndryshime në Serbi - ndryshime në "modelin kulturor" - e atëherë edhe i tërë Ballkani Perëndimor do të ndryshojë”, nënvizon ai.

Në fund, ai tha se Qeveria dhe opozita duhet të koncentrohen në reforma të brendshme.

Deri atëherë, këshilla ime për Qeverinë, por edhe Opozitën, është që më shumë të koncentrohen në reformat e brendshme dhe zhvillimin ekonomik”, përfundoi Driton Tali për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat