Ngrihet alarmi për shqiptarët në Luginë – kjo është kërkesa urgjente për ndërkombëtarët dhe qeveritë shqiptare!

Politika

Ngrihet alarmi për shqiptarët në Luginë – kjo është kërkesa urgjente për ndërkombëtarët dhe qeveritë shqiptare!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 31 korrik 2023 Në ora: 17:45
Foto ilustrim

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës po lobojnë në Shtetet e Bashkuara që ta vendosin çështjen e komunave në jug të Serbisë, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc në agjendën e Kombeve të Bashkuara.

Kjo pasi shkelja e të drejtave të shqiptarëve në Luginë nga ana e autoriteteve të Serbisë po mbetet ende temë diskutimi në opinonin publik.

Shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela, ka thënë se Serbia po vazhdon me “pasivizimin” e adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Vela ka thënë se përderisa Serbia po e bën këtë veprim në Luginë të Preshevës, ajo po ua lehtëson rusëve marrjen e nënshtetësisë.

“Ndërsa Serbia ua ka lehtësuar marrjen e nënshtetësisë të huajve (lexo: rusëve), ajo po kryen spastrim etnik përmes mjeteve administrative për shqiptarët në Serbinë jugore duke “pasivizuar” adresat e vendbanimit”, ka shkruar Vela.

Kujtojmë se ka kohë që shqiptarët e Luginës së Preshevës përballen me pasivizimin e adresave.

Elezaj: Kosova të kushtëzoj Serbinë në dialog

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Rexhep Elezaj.

Ai thotë që serbët janë në vazhdimësi duke kërkuar të shfarosin dhe dëbojnë shqiptarët nga trojet e tyre etnike.

Sipas tij, më së rëndi është goditur komuna e Medvegjës ku janë hequr mbi 1200 adresa të shqiptarëve, një formë kriminale.

“Nuk ka asnjë dyshim, se akti kriminal i organeve shtetërore të Serbisë fashiste i fshirjes dhe i pasivizimit të adresave të banimit të shqiptarëve në Medvegjë, Bujanovc dhe Preshevë, i filluar para 5-6 viteve, është i papresedent në historinë e popujve dhe shteteve demokratike dhe i cili faktikisht është pjesë e skenarit serbomadh të Vasa Çubrilloviçit (1937) për shfarosjen dhe dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike, denbabaden Iliro-Dardane deri tek Molla e kuqe.

Sipas vlerësimeve të disa OJQ-ve dhe intelektualëve shqiptarë nga Lugina e Preshevës, deri tash janë fshirë dhe pasivizuar diku rreth 6 mijë adresa të shqiptarëve gjatë viteve të kaluara, dhe më së rëndi është goditur komuna e Medvegjës ku janë hequr mbi 1200 adresa të shqiptarëve, një formë kriminale kjo e legalizimit të pastrimit etnik në Luginën e Preshevës nga shqiptarët autokton, veprim i cili vazhdon edhe sot nga ana e një regjimi diktatorial dhe antishqiptar, siç është ai i Serbisë gjenocidiale”, u shpreh ai.

Image
Rexhep Elezaj

Më tej, Elezaj thekson miratimin e Rezolutës së Parlamentit Evropian që dënon shkeljen e të drejtave themelore të shqiptarëve në Medvegjë, Bujanovc dhe Preshevë.

“Pra, për vite të tëra regjimi i Beogradit vazhdon t’i shkelë brutalisht të drejtat themelore etnike dhe politike të shqiptarëve në Medvegjë, Bujanovc dhe Preshevë, për të cilin veprim Parlamenti Evropian (PE) në korrik të vitit 2022 e ka aprovuar Rezolutën për çështjen e “pasivizimit” të adresave të shqiptarëve në Serbi, ku në Amendamentit 79 të gjithë Euro-deputetët kanë theksuar njëzëri mohimin e të drejtës së votës së shqiptarëve etnikë në Luginë, e që flet për shkelje të drejtave themelore politike të shqiptarëve, duke bërë thirrje për një hulumtim të pavarur të këtyre veprimeve banditeske të organeve serbe në rajonin e Luginës së Preshevës ndaj shqiptarëve”, shpjegon ai.

Analisti thotë që për këto çështje fajin kryesor e mbajnë qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, të cilat përveç deklaratave verbale dhe disa ndihmave financiare, nuk kanë ndërmarrë asnjë hap konkret në mbrojtje te të drejtave nacionale.

“Në pyetjen tuaj, se a duhet të reagohet ndaj këtij veprimi diskriminues të organeve serbe ndaj 100 mijë shqiptarëve në Luginën e Preshevës, mendoj se për mungesën e reagimeve me kohë ndaj këtyre veprimeve fashiste të Serbisë, fajin kryesor e mbajnë qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, të cilat përveç deklaratave verbale dhe disa ndihmave financiare, nuk kanë ndërmarrë asnjë hap konkret në mbrojtje te të drejtave nacionale dhe politike të bashkëkombësve tanë në Luginën e Preshevës, qoftë duke e futur si çështje në agjendën e dialogut Kosovë-Serbi, qoftë duke i alarmuar qendrat e vendosjeve ndërkombëtare për mohimin, pasivizimin e adresave të mijëra shqiptarëve si dhe për shkeljen drastike te të drejtave të tyre nga ana e regjimit despotik të Beogradit zyrtar”, shtoi analisti.

Ndër të tjera ai thotë që së paku është dashur që dialogu me Serbinë të kushtëzohet me respektimin e barabartë me të drejtat e minoritetit serb në Kosovë.

“Mbase, masa e reciprocitetit e proklamuar nga qeveria aktuale e Kosovës ndaj Serbisë, është dashur pikërisht dhe para së gjithash, të zbatohet në planin e të drejtave të minoriteteve në të dyja shtetet përkatëse, së paku është dashur që dialogu me Serbinë të kushtëzohet me respektimin e barabartë me të drejtat e minoritetit serb në Kosovë, në masë të njëjtë edhe për shqiptarët në Serbi, gjë e cila mjerisht, nuk është bërë dhe nuk është kërkuar nga asnjëra qeveri shqiptare, ajo në Prishtinë dhe ajo në Tiranë”, përfundoi Elezaj prononcimin për “Bota sot”.

Duhanaj: Qeveria e Kosovës, por edhe ajo e Shqipërisë, duhet të jenë shumë më të zëshëm

Ndërsa analisti tjetër politik, Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që shqiptarët në Luginë janë të pambrojtur dhe se duhet të diskutohet në tavolinën e dialogut.

“Çështja e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, është një sagë dekadëshe, e që për fat të keq, disi nuk po ja dalim ta adresojnë siç duhet, apo suksesshëm, në mënyrë që me sukses të ndërpritet. Shqiptarët e Luginë, janë në situatë tejet të pa lakmueshme dhe, duket si me qenë të pambrojtur, çasi që edhe përkundër faktit që kjo çështje është temë e tavolinave negociuese, vazhdon me qenë pa rezultat pozitiv për ta. Shqiptarët e kësaj ane, janë komuniteti i vetëm në regjion, i vili në këtë shekull, është pa përkujdesje institucionale”, foli ai.

Image
Leon Duhanaj

Në fund, analisti nënvizoi që Qeveria e Kosovës, por edhe ajo e Shqipërisë, duhet të jenë shumë me të zëshme në mbrojtjen e të drejtave elementare të shqiptarëve në Luginë.

“Shqiptarët e Luginës, duket të jenë të pa përfaqësuar dhe pa të drejta elementare siç është e drejta për ta mbrojtur pronën dhe e drejta për t'u pajisur me dokumente identifikimi. Në ketë pikë edhe Kosova i ka diskriminuar shumë. në anë tjetër, Serbia po e shfrytëzon këtë situatë për t'i kolonizuar vendbanimet shqiptare, siç e ka bërë historikisht. Qeveria e Kosovës, por edhe ajo e Shqipërisë, duhet të jenë shumë me të zëshme në mbrojtjen e të drejtave elementare të shqiptarëve në Luginë, sepse nëse vazhdon kështu, shqiptarët e atjeshëm, një ditë do të zhduken fare nga trojet e tyre shekullore”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat