PDK fajësoi zv.kryeministrin Bislimi për dhunën në Kuvend, flasin nga VV

Politika

PDK fajësoi zv.kryeministrin Bislimi për dhunën në Kuvend, flasin nga VV

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 13 korrik 2023 Në ora: 14:35
Pamje nga perleshja

Tashmë është në pauzë, por para pak orëve Kuvendi i Kosovës “përjetoi” përplasjen fizike në mes të opozitë dhe pozitës.

Deputetët opozitarë nga Partia Demokratike të Kosovës (PDK) kanë sulmuar fizikisht kryeministrin Albin Kurti dhe pjesëtarë tjerë të Qeverisë.

Kurti ishte duke folur për situatën në veri të Kosovës, kur fjalimi i tij u ndërpre nga deputetët e opozitës që brohorisnin "rrenc".

Pasi zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi largoi dhe grisi nga foltorja një foto-montazhë të kryeministrit me hundë të zgjatur që opozita ia kishte vendosur aty, deputeti Mërgim Lushtaku hodhi ujë në drejtim të Kurtit, e pastaj të Bislimit.

Në atë moment, në mbrojtje të të dyve doli ministri i Financave Hekuran Murati, të cilin Lushtaku pastaj e shtyu fizikisht me duar. Bislimi goditi me shishen e tij me ujë deputetin Lushtaku, i cili më pas pati përplasje fizike edhe me ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

Në të njëjtën kohë, deputeti Hajdar Beqa, goditi ministrin Murati në fytyrë.

Grushte u shkëmbyen mes të dyja palëve.

Nga përleshja, Kurti, i rrethuar me sigurimin dhe ministrat e tij, u shtye dhe u përplas në një nga ulëset e Kuvendit pranë foltores.

Policia e Kosovës, e thirrur nga kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, dhe mbrojtja e afërt e kryeministrit, ndërhynë për t'i ndalur përleshjet. Ata qëndruan brenda në sallën e Kuvendit, deri sa kryeministri u largua nga aty.

Situata e krijuar në Kuvendin e Kosovës ka sjellë reagimin zyrtar të PDK-së që sipas tyre zëvendëskryeministri Bislimi sulmoi deputetët e PDK-së.

“Sikur të mos u mjaftonte fyerja që i bënë shtetit të Kosovës, veteranëve të UÇK-së, akterëve politikë shqiptarë, popullit të Kosovës, para shërbëtorëve të Radojçiqit, sot, në Kuvendin e Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në vend që të ndihej i turpëruar dhe të jepte llogari për përgjimet, provokoi opozitën duke i hequr fotografinë që ata i vendosën në foltore”.

Madje, PDK thotë se ishte pikërisht zëvëndëskryeministri Bislimi i cili i pari e goditi me mjete të forta, shishe, deputetin Mërgim Lushtaku.

“Në një moment kur Kryetari i Kuvendit u desh që të reagojë dhe të mos e lejojë atë që të ndodhë, ai u bëri thirrje Policisë së Kosovës që të ndërhyjnë dhe të arrestojnë deputetët e opozitës. Futja e Policisë së Kosovës në Kuvend nuk është lejuar të ndodhë as në momentin më të errët në historinë e Kuvendit të Kosovës, kur Lëvizja Vetëvendosje hidhte gaz lotsjellës dhe rrezikonte jetën e deputetëve. Tani, gjithçka është e qartë. Kjo Qeveri, ky kryeministër, ky pushtet, shihet qartë se duke tentuar të fshehë koordinimin dhe bashkëpunimin me Millan Radojçiqin, po përdorë çdo mjet, edhe dhunën, ndaj deputetëve opozitarë. Ky Kuvend dhe kjo Qeveri nuk kanë më kurrfarë kuptimi dhe asnjë lloj kredibiliteti”.

Për dhunën në Kuvend dhe reagimin e PDK-së, ka folur për “Bota sot”, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci.

Ai thotë se është parë kush e ka sulmuar kë, gjersa shton se aty nuk ka pasur asgjë parlamentare.

Sipas tij, videot dhe pamjet janë dëshmi e asaj çfarë ka ndodhur.

“Krejt opinion publik e ka parë kush kë e ka sulmuar në këtë rast opozita e ka sulmuar edhe kryeministrin edhe zv. Kryeministrin, kjo është një dhunë dhe asgjë më shumë, asgjë aty nuk ka pasur parlamentare. Videot dhe pamjet shihen në çfarë gjendje është opozita, pra duke folur kryeministri ai sulmohet”, deklaron Bajqinovci.

Image
Mefail Bajqinovci

Ndryshe, ende nuk dihet nëse do rifillojë seanca me pikat e parapara, ose jo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat