E vërteta e “tigrit prej letre”, që e ‘hallakati’ politikën/ Kërkohet mbështetje ndaj Gërvallës: Po përballet me një agjendë të ulët

Politika

E vërteta e “tigrit prej letre”, që e ‘hallakati’ politikën/ Kërkohet mbështetje ndaj Gërvallës: Po përballet me një agjendë të ulët

Nga: Q.R Më: 10 korrik 2023 Në ora: 19:14
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla të shtunën u shpreh se pa Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, Bashkimi Evropian është një ‘tigër prej letre’ në aspektin e sigurisë.

Në fjalimin e mbajtur në Foumin e Dubrovnikut, Ministrja Gërvalla ka shprehur pikëpamjet e saj rreth rolit të BE-së, NATO-s e SHBA-së në raport me luftën në Ukrainë.

Në këtë kuadër ajo e ka cilësuar si “tigër prej letre”, Bashkimin Evropian pa ShBA-në dhe NATO-n.

“Në raport me Ukrainën jemi në përputhje 100% me Perëndimin. Të tjerët në rajon vazhdojnë ta ndihmojnë agresionin e Rusisë që prej gati dy vitesh. Pa pasoja nga BE-ja.

Një pyetje kyçe për sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe ajo që ne pyesim veten është: A është BE-ja ajo që mund të garantojë sigurinë dhe paqen në Evropë?

Mendimi im është që BE-ja nuk mundet. Të njëjtën gjë e tha para pak ditësh edhe një prej analistëve më të rëndësishëm gjermanë. Ajo nuk është në gjendje dhe nuk ka kapacitet për ta garantuar sigurinë.

Arsyet janë të qarta: mungon vullneti politik, mospajtimet brenda Bashkimit Evropian janë të mëdha dhe sa i përket sigurisë, pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një tigër prej letre. BE-ja e di këtë dhe prandaj vazhdimisht lëshon pe, i ikën konfrontimit”, ka deklaruar ministrja.

Kjo deklaratë nxiti shumë reagime si nga përfaqësuesit vendor ashtu edhe nga ata ndërkombëtar.

Madje, të shumtë ishin që kërkuan edhe dorëheqjen e saj.

Statovci: Ministrja Gërvalla do duhej të ishte personi më i mbështetur në Kosovë këto momente

Image
Jeta Statovci

Duke i komentuar këto sulme, Jeta Statovci, deputete e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje nga radhët e Listës Guxo, Jeta Statovci, thotë për “Bota sot” se Ministrja Gërvalla që nga marrja e detyrës është përballur me një agjendë, qëllimi i të cilës, sipas saj, ka qenë diskreditimi i saj në vazhdimësi.

Madje ajo thotë, se me Gërvallën në krye diplomacia e Kosovës për herë të parë është bërë akter serioz, derisa shprehet e bindur se në të kaluarën ka qenë më ndryshe, ku motivet e pushtetit ishin më të ulëta.

“Që në fillim të marrjes së detyrës së Ministres së Punëve të Jashtme dhe Zëvendëskryeministres, Donika Gërvalla është përballur me një agjendë, qëllimi i të cilës ka qenë diskreditimi i saj në vazhdimësi. Kjo agjendë, sipas konsideratave të mia, ka një motiv më të ulët se aspekti diplomatik, bëhet fjalë për peshën e saj politike dhe elektorale e cila siç dihet, ndikon konsiderueshëm që t'i mbajë partitë e vjetra aty ku janë sot, pra në opozitë. Diplomacia e Kosovës për herë të parë është bërë akter serioz, që mbron me këmbëngulje interesat e brendshme. E kaluara ka qenë më ndryshe, motivet e pushtetit kanë qenë më të ulëta, tani janë pakrahasimisht më të larta. Bëhet fjalë për të ruajtur Kushtetutën e Kosovës, për të ruajtur funksionalizimin e saj të brendshëm, për të parandaluar çdo mundësi që Kosova të ngjasoj me Bosnjën.”, thotë ajo.

Statovci, vlerëson se Gërvalla duhet të ishte personi më i mbështetur në Kosovë aktualisht, sidomos në këto momente të vështira për vendin.

“Në botën demokratike dhe të vlerave, ka një dakordancë të brendshme që të mos përdoret diplomacia e shtetit për motive të politikave të përditshme, meqë kështu dëmtohet interesi i shtetit, aq më pak në momente të tilla ku gjendemi ne. Si e lexon këtë aktivitet opozitar pala serbe? Ata e lexojnë këtë si mundësi që të bëhen më rigid në negociata, meqë shohin se në Kosovë ka zëra që janë shumë të gatshëm të plotësojnë të gjitha kërkesat e tyre, siç ka ndodhë në të kaluarën. Mendoj se Ministrja Gërvalla do duhej të ishte personi më i mbështetur në Kosovë këto momente, natyrisht, edhe të gjithë akterët tjerë që janë në proces të negociatave me Serbinë agresive”, deklaron ajo.

Bytyçi: A është Europa "tigër prej letre" në fushën e sigurisë pa NATO-n dhe SHBA-në? PO!

Image
Enver Bytyçi

Edhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Dr. Enver Bytyçi mbështeti ministren Gërvalla.

Ai në një postim në Facebook u shpreh se është e vërtet ajo çka deklaroi Gërvalla, pasi Europa “tigër prej letre” në fushën e sigurisë pa NATO-n dhe SHBA-në.

A është Europa "tigër prej letre" në fushën e sigurisë pa NATO-n dhe SHBA-në? PO!

A duhej që Donika Gërvalla të mos e thoshte kësisoj këtë deklaratë? Duke pasur parasysh keqpërdorimin e kësaj fjale dhe se kjo do përdorej si municion nga kundërshtarët e saj, Donika kishte mundësi ta formulonte ndryshe! Pra, duhej ta thoshte ndryshe idenë e saj. Jo përmes një fabule që e keqpërdorin pasardhësit e ish- diktatorëve që e kanë përdorur këtë shprehje!

Se ne e dimë: Më mirë e ndërtojnë propagandën kundër kundërshtarëve politikë trashegimtarët e diktaturës, se sa ata që punojnë sinqerisht për demokracinë. Madje e kanë perfeksionuar atë deri te ajo që të mos kursejnë paraardhësit e tyre!”, ka shkruar Bytyçi në Facebook.

Ukaj kritikon Gërvallën

Image
Fidan Ukaj

Nga ana tjetër, analisti i çështjeve politike, Fidan Ukaj, vlerëson se Gërvalla është dashur të largohet si ministre shumë më herët.

Ukaj në një prononcim për “Botasot”, deklaron se Gërvalla ka dështuar në njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Zonja Gërvalla është dashur të largohet si ministre qysh më herët nga kjo përgjegjësi, për arsye të dështimit të saj, qoftë në njohje apo anëtarësim në organizata ndërkombëtare të Kosovës, e po ashtu të skandaleve të njëpasnjëshme te kësaj ministre në këtë ministri”, thotë Ukaj.

Edhe i dërguari amerikan, Gabriel Escobar, i ka reaguar deklaratave të Gërvallës, i cili tha se “gjithçka pozitive që ka ndodhur në Ballkan, ka qenë kombinim i bashkëpunimit të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara”.

Reaguan edhe Lajçak e Escobar

Sipas Escobar, rajoni është i ndarë në dy shtigje. “Njëri me shtetet në NATO që janë shumë më të qëndrueshme, kontribuuese në qëndrueshmërinë rajonale dhe të vendosura në rrugën drejt integrimit evropiane dhe tjetri i atyre që po konsumojnë vëmendjen dhe burimet e të tjerëve në rajon teksa ngecin me sfidat e tyre”.

Në anën tjetër, i dërguari evropian Miroslav Lajçak tha se BE është larg të qenit i përkryer, por është më i miri që kemi. “Është bashkimi më i suksesshëm i shteteve. Nuk ka një bashkim tjetër në këtë planet, që ka ofruar qëndrueshmëri politike e ekonomike më të mirë. Mendoj se anëtarësimi në BE është një ëndërr e shteteve që janë duke trokitur në derën e bllokut”, tha ai.

Për këto deklarata ka reaguar edhe vet Gërvalla, e cila në një shkrim të bërë në Facebook, ka drejtuar kritika ndaj dy partive opozitare PDK e LDK, duke thënë se kjo opozitë “përveç sulmeve personale të bazuara në thashetheme dhe tituj bombastik dhe të pasaktë, asgjë nuk ofron”.

“E sa për PDK-në, e cila tenton të na frikësojë që, nëse ajo vjen në pushtet, ne nuk paskemi më vend në Kosovë, mundem vetëm t’iu përkujtoj që nuk janë të parët që nuk dëshirojnë të më shohin as fizikisht në vendin tim. E për LDK-në, nuk po flas sonte. Po flasin kaq shumë vet, po vajtojnë, shajnë, mallkojnë e gënjejnë, saqë çdo fjalë e imja do të ishte e tepërt”, ka shkruar Gërvalla.

Ajo më tej ka shtuar se është zëvendëskryeministre dhe ministre e Republikës së Kosovës, dhe se nuk është zëdhënëse as e BE-së dhe as një mekanizmi tjetër.

Gërvalla ka shtuar se e mbron me fanatizëm të vërtetën dhe interesin e vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat