Pasoja negative për serbët në rast të refuzimit, deputetja e VV tregon pse duhet ta pranojë planin franko- gjerman, ja kur do të ketë njohje reciproke

Politika

Pasoja negative për serbët në rast të refuzimit, deputetja e VV tregon pse duhet ta pranojë planin franko- gjerman, ja kur do të ketë njohje reciproke

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 14 janar 2023 Në ora: 10:32
Albin Kurti- Emanuel Macron, Aleksander Vuçiq dhe Olaf Scholz

Propozimi i BE-së i cili njihet si plani franko- gjerman, për një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë, ishte refuzuar nga kjo e fundit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë e ka ri përsëritur se Kosova e ka konsideruar planin franko- gjerman si bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme.

“Planin e BE-së të mbështetur nga Franca dhe Gjermania ne e kemi parë si bazë të mirë për bisedime, ndërsa Serbia e ka refuzuar atë në mbledhjen e Këshillit nacional të sigurisë në Beograd, të mbajtur me 27 tetor 2022, me vendim unanim”, ka deklaruar Kurti.

Sipas Kurtit, ajo që duhet të ndodhë për këtë marrëveshje është që të ketë trysni mbi Beogradin nga BE-ja.

Ndërsa, në anën tjetër në Serbi thonë se nëse Aleksandër Vuçiq, nuk e pranon planin evropian, franko-gjerman për Kosovën, të mbështetur nga SHBA-ja nuk do të kalojë pa pasoja të këqija për qytetarët e Serbisë.

Analisti serb Goran Miletiq, thotë për ”Danas” se është e pamundur që Serbia ta refuzojë planin dhe gjithçka të mbetet e njëjtë, pa asnjë pasojë negative.

Plani franko-gjerman parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Ndërsa, nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se nëse Serbia pretendon perspektivë evropiane duhet ta marrë në konsideratë këtë propozim.

Pyetur nëse zhvillimet në veri kanë lënë anash planin franko- gjerman dhe nëse do ta pranojë Serbia propozimin, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mirlinda Tishkukaj- Sadiku, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, shprehet se plani është faktik.

Sipas Sadikut, Serbia duhet ta pranojë pasi që të jetë gjithmonë element destabilizues nuk ju konvenon as atyre.

“Plani franko-gjerman është faktik. Nëse Serbia pretendon perspektivë evropiane duhet ta konsiderojë ose mendësia për të qenë gjithmonë element destabilizues nuk ju konvenon as atyre”, thotë Tishukaj- Sadiku.

Image
Mirlinda Tishukaj- Sadiku

Në anën tjetër, Kryeministri Albin Kurti, paralajmëronte marrëveshje me Serbinë në pranverë të vitit 2023.

Duke folur rreth një marrëveshje të mundshme dhe një njohje reciproke të afërt, deputetja e VV-së thotë se varet nga faktori ndërkombëtar.

“Varet nga faktori ndërkombëtar sa do të jetë aktiv në agjendat e tyre. Një është tashmë e ditur se Kosova është në perspektivën evropiane dhe liberalizimi është një hap tutje”, pohon deputetja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat