A mund të zhbëhet “Zajednica”, analisti jep propozim interesant

Politika

A mund të zhbëhet “Zajednica”, analisti jep propozim interesant

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 7 tetor 2022 Në ora: 18:37
Kryeministri i Kosoves

Asociacioni i Komunave Serbe apo “Zajedinca” siç  i referohej kryeministri, Albin Kurti, kur ishte në opozitë tashmë është në duart e tij dhe presioni për formimin e tij ka filluar të shtohet nga pala ndërkombëtare.

Njohësi i çështjeve politike të Ballkanit Perëndimor, Alon Ben Meir ishte shprehur në një intervistë për “Bota sot”, se edhe pse Kosova është nën presion për të zbatuar marrëveshjen e asociacionit të vitit 2015, një asociacion i atillë minon sovranitetin e Kosovës mbi komunat me shumicë serbe.

Sipas tij, insistimi i Serbisë për zbatimin e marrëveshjes është thjesht për të rritur ndikimin e saj mbi këto komuna.

“Edhe pse Kosova është nën presion për të zbatuar marrëveshjen e asociacionit të vitit 2015, unë pajtohem që një Asociacion i atillë minon sovranitetin e Kosovës mbi komunat me shumicë serbe. Insistimi i Serbisë për zbatimin e marrëveshjes është thjesht për të rritur ndikimin e saj mbi këto komuna. Ky ka qenë gjithmonë qëllimi dhe nuk ka gjasa të ndryshojë. Zyrtarët e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve këmbëngulën disa herë se Kosova duhet të përmbushë detyrimet e saj për ngritjen e asociacionit të komunave, edhe pse është e gabuar”, ishte shprehur Meir ditë më parë në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”.

Ndërsa, analisti politik Gazmir Raci thotë për “Bota sot”, se Kosova e ka për obligim të themelojë një asociacion siç e thotë marrëveshja.

Marrëveshja e asociacionit, sipas Racit, është të krijohet si OJQ.

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe është pjesë e marrëveshjes së vitit 2013, marrëveshje kjo pastaj është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës si marrëveshje ndërkombëtare, dihet që Kosova e ka obligim ta themelojë një asociacion siç e thotë ashtu marrëveshja. Pastaj, vendimi i Gjykatës Kushtetuese thotë se Asociacioni duhet të jetë i bazuar vetëm në bazë të asaj marrëveshje së 2013, ndërsa në marrëveshjen e 2013 thuhet se asociacioni i komunave është njëjtë sikurse asociacioni aktual që e ka Kosova nëpër komunat që janë në Kosovë, domethënë duhet të jetë modeli i njëjtë, dhe se ky asociacion momental që e kemi ne është OJQ”, pohon Raci.

Image
Gazmir Raci

Ndërsa, një model të Asociacionit si në Bosnjë dhe Hercegovinë, Raci nuk e dëshiron për Kosovën, kjo pasi që sipas tij, e bënë jo funksionale.

Raci nuk beson që BE e shtyn Kosovën drejt bosnjëzimit si shtet.

“Bashkimi Evropian nuk besoj që e shtyn Kosovën drejt bosnjëzimit të Kosovës si shtet, sepse bosnjëzimi është projekt që po ka probleme në fillim dhe këtë model nuk e besoj që ndonjë prej ndërkombëtarëve e shtyjnë, sepse ai e bënë Kosovën jo funksionale”, thekson ai.

Duke folur rreth mundësisë së zhbërjes së asociacionit, ai thotë se nuk e beson një gjë të tillë, por kjo mund të ndodh vetëm nëse serbët nuk janë të gatshëm për një asociacion sipas marrëveshjes së vitit 2013.

“Marrëveshja për asociacionin mund të paketohet vetëm në kuadër të marrëveshjes së përgjithshme finale që mund të arrihet në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe nuk pres marrëveshje të veçantë për atë punë. Nuk e besoj që mund të zhbëhet asociacioni, por nëse serbët nuk janë të gatshëm për një gjë të tillë sipas marrëveshjes së 2013, atëherë Kosova nuk e ka për obligim ta themelojë. Domethënë nëse komunat me shumicë serbë nuk e duan, atëherë nuk ka nevojë të bëhet”, deklaron Raci.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat