“Dy gjërat që nuk janë thënë më parë”/ Çfarë mesazhi përcolli kancelari Scholz në Kosovë dhe Serbi?

Politika

“Dy gjërat që nuk janë thënë më parë”/ Çfarë mesazhi përcolli kancelari Scholz në Kosovë dhe Serbi?

Nga: P.R Më: 13 qershor 2022 Në ora: 19:38
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz qëndroi për vizitë zyrtare në Kosovë dhe Serbi. Scholz, ia bëri të qartë Serbisë, se pa njohjen e Kosovës, nuk ka integrim në Bashkimin Evropian.

"E qartë është që marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende, të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së", tha Scholz.

E kjo deklaratë e Scholz e befasoi presidentin serb, Alëksandër Vuçiq, sipas të cilit, për herë të parë po e dëgjon një kërkesë të tillë nga evropianët.

“Ne sot dëgjuam se po kërkohet njohja reciproke. Ne kurrë më herët nuk kemi dëgjuar nga askush nga Evropa se po kërkohet njohja reciproke. Këtë e dëgjuam sot në konferencën për gazetarë në Prishtinë. Askush nuk ka folur ndonjëherë për njohje reciproke, përveç amerikanëve që e miratuan atë doktrinë saktësisht tre vjet më parë”, deklaroi Vuçiq gjatë konferencës së përbashkët me Scholz.

E sipas doktorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, Scholz tha dy gjëra që nuk janë thënë më herët as nga BE-ja.

Image
Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

 

“Në parim vizita e kancelarit gjerman në Kosovë është e rëndësishme dhe mbi të gjitha i tha dy gjëra që nuk janë thënë më herët as nga BE-ja si tërësi e as nga ndonjë shtet tjetër i BE-së në veçanti, të paktën jo në formën e drejtpërdrejt. Kryeministri gjerman bëri më dije që Serbia për tu anëtarësuar në BE kusht kryesor e ka njohjen e Kosovës dhe kjo e fundit dialogun me Serbinë, dhe pika tjetër e rëndësishme është deklarata se ata do të lobojnë që Kosova të avancojë drejt BE-së duke marrë liberalizimin e vizave dhe procese tjera”, thotë Kuçi.

Sipas tij, ka dallime ndërmjet Francës dhe Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor e në veçanti për Kosovën.

“Premtimi ndërkombëtar është po aq i rëndësishëm sa është ligji ndërkombëtar, deri më tani nuk është që janë mbajtur shumë premtimet ndaj Kosovës nga BE-ja, mbetet të shihet nëse qasja e tanishme është më korrekte. Mirëpo, divergjencat brenda BE-së e sidomos divergjencat ndërmjet Francës dhe Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor e në veçanti Kosovën, nuk janë indikatorë pozitivë”, shprehet Kuçi për “Bota sot”.

Për fund, Kuçi deklaron se kërkesa e kancelarit Scholz ishte surprizë dhe një goditje për shtetin serb dhe Aleksandër Vuçiqin.

“Megjithatë, mbetet i rëndësishëm si takim sepse tani nga BE-ja kemi një deklaratë të një vendi të fuqishëm që jo në formën si e thotë SHBA-ja, por megjithatë ia ka kërkuar njohjen Serbisë ndaj Kosovës. Kjo për Serbinë nuk ishte një gjë e mirëpritur dhe ishte më në fund një gjysmë-goditje për të pas shumë veprimeve anti-perëndimore dhe anti-humane të Serbisë. Megjithatë, Kosovës i mbetet shumë për tu angazhuar në diplomaci dhe këto deklarata të kryeministrit gjerman të i shfrytëzoj si momentume të reja diplomatike”, përfundon për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat