Shenjtorja Nëna Terezë, krahas Skënderbeut: Pjesa më e ndritshme në pasaportën e kombit shqiptar

Politika

Shenjtorja Nëna Terezë, krahas Skënderbeut: Pjesa më e ndritshme në pasaportën e kombit shqiptar

Mimoza Lakna Nga Mimoza Lakna Më 2 prill 2022 Në ora: 12:14
Shenjtorja Nëna Terezë. Foto ilustrim nga "Bota sot"

Po bëhen 25 vjet nga vdekja e humanistes shqiptare, nobelistes dhe të bekuarës së Vatikanit, Shën Nënë Tereza. Ajo ka ndërruar jetë më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkutë të Indisë dhe janë shkruar e shkruhen edhe sot e kësaj dite me qindra vepra për të Lumen Nëna Terezë.

Nënë Tereza, me emrin e plotë Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, ka lindur më 26 gusht të vitit 1910, në qytetin e Shkupit.

Ajo hyn në mesin e personaliteteve me të cilat krenohet populli shqiptar.

Një humaniste e jashtëzakonshme, e cila u shpërblye edhe me çmimin Nobel për Paqe.

Më 19 tetor të vitit 2003, Nëna Terezë, u shpall e bekuar nga Vatikani.

Ajo ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të Lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitim e bonjakë.

Kësaj radhe do të flasim për rolin e Nënës Terezë në ngritjen e çështjes shqiptare ndërkombëtarisht.

Don Lush Gjergji: Mungesë e madhe e Nënës Terezë si në nivelin botëror po ashtu edhe në nivelin e botës shqiptare

Image
Don Lush Gjergji

Don Lush Gjergji, biograf i Nënës Terezë në një bisedë për gazetën “Bota sot”, thotë se në aspektin fizik dhe në aspektin e rrethanave si është zhvilluar historia, është një mungesë e madhe e Nënës Terezë si në nivelin botëror po ashtu edhe në nivelin e botës shqiptare.

“Ajo ishte një personalitet, orientim, përcaktim dhe në çdo situatë të jetës dhe ngjarjeve për shumëkënd ishte fjala e parë dhe fjala e fundit. Kishte një autoritet të jashtëzakonshëm në botë, kur Nëna Terezë thoshte diçka atëherë bota ishte në dëgjim. Të marrim shembullin e Reganit, Presidentit të SHBA-së kur thotë: Unë mbeta me gojë të hapur dhe më dhimbsej çdo fjalë, edhe pse kisha shumëçka për të pyetur dhe për të thënë, dëshiroja që para saj të jem një nxënës, një fëmijë i vogël”, rrëfen Don Lush Gjergji.

Njësoj i jashtëzakonshëm autoriteti i Nënës Terezë ishte edhe për Presidentin Klinton dhe shumë personalitete të tjera, autoriteti i saj në botë ishte i jashtëzakonshëm.

“Ka folur pak, por atë që e ka thënë e ka thënë me vendosshmëri. Unë jam munduar që në librin tim, “E kam në zemër popullin tim shqiptar” t`i përmbledh pikërisht thëniet, përjetimet në 7 intervista që i kam pasur ekskluzive me të, jam i vetmi njeri në botë që e kam pasur këtë mundësi, këtë privilegj t`i kem. Dhe i analizojë prej viteve të ‘70-ta deri më 5 shtator 1997 se si në vlerësimet e saja, vizionet e saja s`ke çka shton dhe s`ke çka heq. Sepse njeriu i Zotit nuk e ka vizionin e tij, por e ka një vizion frymëzues dhe hyjnor, ndaj si e tillë sigurisht se na ka munguar ne shqiptarëve në rend të parë, por edhe botës mbarë. Sa i përket vazhdimit të veprës që e ka nisur ajo, fatbardhësisht vepra vazhdon, sot janë mbi gjashtë mijë motra. Kur ka vdekur ajo kanë qenë katër mijë e pesëqind, numri është shtuar. Por, është shtuar edhe cilësia. Orientimi dhe përcaktimi që iu ka dhënë ajo, jo vetëm misionareve të dashurisë, rregullit më të madh që e ka themeluar, por edhe degëve të tjera vazhdon gjithnjë. Është një stil tjetër, një stil ndryshe. P.sh. është një thënie gjeniale “Kur nuk ke asgjë, jep gjithçka sepse jep vetveten” është fenomenale sepse ne jemi gjithmonë në prizmin e materializmit “në paça mundësi me të dhanë diçka të ndihmojë”, ndërsa ndihma më e madhe është afrimi, bashkimi, takimi, komunikimi, dhënia e kohës, ndërsa më e rëndësishmja është dhënia e kohës tonë, dhënia e personalitetit tonë tjetrit, kujdesi, nderimi, falënderimi, dashuria me kategoritë e njerëzve me të cilët askush nuk është marr. Te njerëzit e shtypur, te njerëzit që kanë lindë dhe vdesin në trotuare”, shprehet ai.

Don Lush Gjergji thotë se Nëna Terezë e pati një guxim të jashtëzakonshëm që të ballafaqohet me të gjitha të ligat e botës edhe të pasur dhe të varfër.

“Këtu bota jonë dhe pjesërisht Amerika dhe Evropa kanë pasur një paragjykim se kanë menduar që Nëna Terezë është aktuale për Indinë, për Afrikën, për të varfrit, por ajo e ka zbuluar varfërinë edhe më të madhe dhe më të tmerrshme të botës së të pasurve sepse iu mungon mirëkuptimi, ju mungon nderimi, ju mungon falënderimi e mbi të gjitha ju mungon dashuria. Ajo thotë “Nëse e takon një të uritur, me një grusht oriz mund t`ia plotësosh dëshirat dhe të mbijetojë, por nëse e takon një njeri i cili s`ka më kuptim s`ka më motivim, s`ka më vullnet për jetë, ndihet plotësisht i anësuar dhe i përjashtuar, i mungon dashuria”, thotë ai.

“Ndihmoni birit tim, presidentit të vendit tim”

Ndikimi i saj, sipas Don Lush Gjergjit ka qenë i madh e për shumëçka edhe vendimtar, sepse ajo ishte vazhdimisht në lidhje me ipeshkvin e madh, Imzot Nikë Prelën.

“Ne kur jemi takuar i kemi treguar se çka po ndodhë, por kur nuk kemi pasur mundësi të takimit, rregullisht i kemi shkruar. Nëna Terezë e ka pasur një kontakt dhe një lidhje të jashtëzakonshme me Papën Gjon Palin e Dytë. Kështu Gjon Pali i Dytë u bë miku i popullit shqiptar sepse reagoi në çdo ngjarje. Prandaj, e kemi një lloj trekëndëshi, me një anë është Imzot Nikë Prela dhe ata dy”.

Ai ka përmendur faktin që Presidenti Rugova, e kishte frymëzim Nënë Terezën.

“Në këtë këndvështrim duhet ta përmendim edhe presidentin tonë të ndjerë Dr. Ibrahim Rugovën, i cili e ka pasur si frymëzim Nënën Terezë dhe në takimet e rralla që i ka pasur ajo e ka quajtur President, bile edhe në takim me presidentin Bill Klinton, kur i thotë atij: “Ndihmoni birit tim, Presidentit të vendit tim”. Pastaj Klintoni i ka pyetur shqiptarët për kënd flet Nëna Terezë? Sepse një pjesë e madhe e botës ka menduar se është e Kalkutës, por i kanë treguar që nuk është e Indisë, por është shqiptare prej Kosovës. Nëna Terezë në mënyrën më të mirë, një Nënë, larg saj që të kërkonte ndëshkim apo luftë apo diçka tjetër. Por, gjithsesi ajo i ka thënë Papës dhe pastaj presidentit të SHBA-së dhe sekretarit të OKB-së, Kofi Anan dhe shumëkujt tjetër që është takuar, “Ju duhet të bëni diçka për popullin tim””, ka theksuar Gjergji.

Ai ka përmendur edhe një rast nga takimi i ish-administratorit të Kosovës, Bernard Kushner me Nënën Terezë, të cilit ajo i kishte bërë thirrje që ta ndihmonin popullin e saj.

“Po e tregoj një ngjarje simpatike që ka ndodhur me ish administratorin tonë Kushner, ai ka qenë ndër themeluesit e “Mjekëve pa kufij”. Në një fluturim me aeroplan kishte ngjarë një stuhi e jashtëzakonshme dhe të gjithë janë frikësuar se mbaroi jeta e tyre. I vetmi person që ishte plotësisht i qetë sipas Kushnerit ishte Nëna Terezë dhe ajo ju kishte thënë: “Mos u brengosni nuk do të ndodhë asgjë”. ‘Fatbardhësisht aeroplani me të cilin udhëtonim arriti të aterrojë dhe në fund mu drejtua mua, ju duhet të bëni diçka për popullin tim. Unë atëherë kam ditur për popullin shqiptar, por për Kosovën asgjë. Këshilltarët e mi më thanë, Nëna Terezë është shqiptare, është me prejardhje nga Kosova dhe thotë pastaj: Kush ka menduar se unë do të jem administrator dhe do të bëj diçka në të mirë të lirisë, demokracisë dhe pavarësisë. Me një fjalë, Nëna Terezë vazhdimisht e ka pasur si refren, si ndaj papëve si ndaj presidentit të SHBA-së, si ndaj Kombeve të Bashkuara, si ndaj personaliteteve tjera që i ka takuar, sepse për pesë minuta ka arritur në çdo kancelari apo kancelaritë kanë shkuar dhe kanë qenë të nderuara për takim”, ka shtuar Gjergji.

“Bëri shumë në mënyrën e saj, si nënë e vërtetë edhe për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës”

Don Lush Gjergji ka treguar se si pas vdekjes së Nënës Terezë, Presidenti Bill Klinton kishte shkuar në Kalkuta të Indisë dhe kishte ndenjur gjatë tek vendi ku ajo është e varrosur.

“Prandaj, këtë e dëshmoi edhe Bill Klinton, i cili pasi e përfundoi mandatin dhe pas vdekjes së Nënës Tereze shkoi në Kalkuta dhe diku 25-30 minuta ndejti i vetmuar në vendin ku është varrosur që është shtëpia amë ku ka qenë gjithë jetën ajo. Gazetarët u çuditën dhe e pyetën si po ndiheni? Ai thotë: Shumë mirë, ndejta, mendova u luta dhe i thashë Nënës Terezë: Porosinë tënde, amanetin tënd e kreva, tash lute Zotin për familjen time, për mua dhe për shtetin tonë SHBA-të. Janë dëshmi të fuqishme nga çdo anë”.

Po ashtu, Gjergji kujton se, falë Nënës Terezë, Papa Gjon Pali i dytë kishte dashuri të madhe për shqiptarët.

“Vet papa Gjon Pali i dytë ma ka thënë mua dhe Im zot Nikë Prelës, më 1981, kur e përgatita një audiencë personale Ipeshkvit tonë Nikë Prelës, në fund tha, “pas popullit polak më së shumti e dua popullin shqiptar. Për pak ta pyes pse dhe si, por sikur ma lexoi mendimin dhe u kthye e tha, a e di se pse? Sepse keni vuajtur shumë dhe padrejtësisht dhe na e keni dhënë Nënën Terezë”. Shihej qartazi, ndikimi i saj ishte në çdo nivel, fjala e saj ishte rregullore, urdhër apo ligj për shumëkënd. Prandaj, deshi Zoti që në momentin më kritik të popullit shqiptar, kur diktatura filloi të shembej dhe ajo ishte dallëndyshja e parë, e cila shkoi atje dhe filloi hapjen e Shqipërisë, po ashtu bëri shumë në mënyrën e saj, si Nënë e vërtetë edhe për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës”, u shpreh ai.

Shahu: Pas Skënderbeut askush si e sa ajo nuk e ka lartësuar e ndriçuar kombin shqiptar në sytë e njerëzimit

Image
Publicisti Rexhep Shahu

Kurse, publicisti Rexhep Shahu, thotë se Nëna Terezë krahas heroit kombëtar Skënderbeut, përbën pjesën më të ndritshme në pasaportën e kombit shqiptar.

“Nënë Tereza ose më saktë Shën Nënë Tereza, Shën Tereza, Shenjtorja Nënë Tereza është krahas Skënderbeut, pjesa më e ndritshme në pasaportën e kombit shqiptar. Pas Skënderbeut askush si e sa ajo nuk e ka lartësuar e ndriçuar kombin shqiptar në sytë e njerëzimit. Nënë Tereza shqiptarja shkupjane, shqiptarja e Shkupit, i mësoi njerëzimit, ose ia kujtoi njerëzimit rolin e papërsëritshëm të Nënës, përulësinë e Nënës, magjinë e Nënës, Shenjtërinë e Nënës, modelin e Nënës. Shën Nënë Tereza u doli në krah e ndihmë më të pamundurve, më të vobektëve dhe për këtë mirësi planetare të saj ajo u nderua prej njerëzimit si rrallë tjetër, iu dha çmimi Nobel i paqes, e pritën presidentët amerikanë si hyjninë, e dëgjuan, iu drejtuan”, theksoi Shahu.

Ai potencoi se është e papërsëritshme avokatia e Nënës Terezë për kombin shqiptar e për Kosovën në qarqet ndërkombëtare.

“Është e papërsëritshme në mirësi e madhështi biseda, mirënjohja, kërkesa e saj, avokatia e saj për kombin shqiptar e për Kosovën, "për popullin tim" siç do ti thoshte ajo presidentit Klinton, kur ajo i kërkoi ta ndihmonte Kosovën. Është hyjnore fjala e presidentit Klinton kur i raporton Shenjtores Nënë Tereza se e u çlirua Kosova dhe ta çova në vend amanetin tënd. Është për t`u shkruar në shpatet e maleve të kombit shqiptar shprehja e Nënë Terezës kur mori çmimin Nobel për Paqe e kur tha se, unë jam shqiptare. Ajo pas Skënderbeut është lartësuesja më e madhe e kombit shqiptar”, ka theksuar ai.

Të ndiqet shembulli i Presidentit Rugova

Shahu thotë se secili lider shqiptar duhet ta ndjek shembullin e Presidentit Rugova, i cili e mbante në sfond pas vetës së tij, në çdo dalje publike fotografinë e Nënës Terezë.

“Është për tu ndjekur nga çdo lider shqiptar ajo që bënte presidenti Rugova që e mbante gjithmonë në sfond pas vetes së tij në çdo foto e dalje televizive zyrtare fotografinë e Nënës Terezë, pasi Rugova mbase para të gjithëve e dinte fuqinë e magjinë e Shenjtores Nëna Terezë dhe ndikimin e përbotshëm të saj tek politikanët më të fuqishëm të globit për kombin shqiptar e për Kosovën. Në themelet e Kosovës një gur të madh ciklopik ka vendosë edhe Shenjtorja shqiptare Nënë Tereza, Shën Nëna e botës”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat