“Serbët punojnë për rusët në Ballkan”/ Vjen paralajmërimi: Kosova duhet të përgatitet

Politika

“Serbët punojnë për rusët në Ballkan”/ Vjen paralajmërimi: Kosova duhet të përgatitet

Nga: G.B Më: 16 mars 2022 Në ora: 16:58
Ukrainë

Janë bërë tri javë që kur Rusia filloi pushtimin në Ukrainë.

Padyshim që lufta që po zhvillohet atje ka ndikuar në gjithë botën, në shumë sfera.

Përveç frikës për Luftën e Tretë Botërore, ndikoi në ekonominë botërore.

E lufta e Rusisë ndaj Ukrainës ka ndikuar edhe në dialogun Kosovë-Serbi.

Janë vështirësuar takimet me Serbinë, pasi kjo e fundit e ka përkrahur pushtimin rus ndaj Ukrainës, derisa thuajse e gjithë bota ka sanksionuar Rusinë.

Kështu ka deklaruar edhe së fundi kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Lidhur me këtë, profesori dhe njohësi i çështjeve të marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se problemet në rajon vijnë për shkak të aleancave të Rusisë me Serbinë.

“Lufta kundër Ukrainës ka vështirësuar dhe tronditur gjithë skenën politike në botë e sidomos në Evropë. Sulmi rus ka krijuar pështjellime dhe problem edhe në rajonin tonë. Është e ditur se problematikat në rajonin tonë vijnë për shkak të aleancës së Serbisë me Rusinë. Kjo aleancë është burimi i konflikteve gati dy shekujsh në Ballkan. Ishte burimi edhe i luftërave të fundit në ish-Jugosllavi. Ishte Serbia ajo që sulmoi mbi territorin e Sllovenisë e më pas në mënyrë të përgjakshme kundër Kroacisë. Më pas shkaktoi krime e gjenocid në Bosnjë-Hercegovinë e në vitet 1998-1999 në Kosovë”, ka thënë ai.

Sipas tij, deri tani do të mund të kishte ndodhur ndonjë konflikt nga Serbia, por që fatmirësisht kjo nuk ndodhë për shkak të SHBA-ve dhe BE-së.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

“Agresioni rus në Ukrainë i ka zgjuar këto emocione lufte e konflikti në rajonin tonë. Nëse Evropa dhe SHBA-të nuk do ishin kaq kompakt sa janë sot përkundër Rusisë, tashmë në rajonin tonë do të kishte ndodhur për shkak të Serbisë ndonjë konflikt ndërshtetëror ose ndëretnik, në BH, në Mal të Zi apo në Kosovë e ndoshta edhe në Maqedoninë e Veriut. Fatmirësisht sa kohë që Evropa dhe SHBA-të janë unike në qëndrimin ndaj agresionit të Putin kundër Ukrainës, aq kohë në Serbi, në Republikën Srpska e ku jetojnë serbë do të bëhet diçka kujdes për të qëndruar deri diku në heshtje”, është shprehur profesori.

Bytyçi thotë se Kurti ka të drejtë lidhur me dialogun pasi derisa Serbia nuk e dënon sulmin rus, përbën problem të madh për rajonin dhe Evropën.

“Prandaj dhe Albin Kurti ka të drejtë kur thotë se „takimet me Serbinë janë vështirësuar pas pozicionimit të tyre në krah të Rusisë në luftën ndaj Ukrainës“! Fakti që Serbia nuk e dënon sulmin ushtarak të Kremlinit kundër Kievit dhe territorit ukrainas është një problem i madh jo vetëm për rajonin. Është problem i madh edhe për Evropën. Në kontinentin tonë vetëm Serbia dhe Bjellorusia nuk e kanë dënuar këtë akt barbar të Moskës. Fakti se Beogradi nuk vendos sanksionet euro-amerikane kundër Rusisë, të çon në përfundimin se Serbia dëshiron të ndihmojë makinën ushtarake ruse në masakrat që ajo bën kundër qytetarëve të pafajshëm e civilë ukrainas. Fakti që presidenti i Serbisë ka deklaruar se asnjë shtet nuk mund të dërgojë armë e ndihma përmes territorit të Serbisë, flet shumë për qëndrimin serb pro-Rusisë”, ka vlerësuar ai.

Andaj, ai shton se dialogu nuk mund të jetë normal kur serbët e presin me padurim fitoren e Rusisë në Ukrainë.

“Në këto kushte dialogu është vështirësuar jo vetëm për delegacionin e Kosovës, por edhe për ndërmjetësuesit evropianë dhe ndihmuesit amerikanë, gjermanë e britanikë. Nuk ka shans që ky dialog të jetë normal në kushtet kur serbët dhe Serbia presin me padurim fitoren e Rusisë në Ukrainë. Në Serbi i gëzohen pushtimit rus të Ukrainës, sepse ata presin që ky pushtim të vazhdojë në drejtim të Ballkanit dhe ushtarët rusë të shkelin në Ballkan”, ka potencuar Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas profesorit, Serbia nuk dëshiron të nënshkruajë tani marrëveshje dhe ta njohë Kosovën.

“Serbia nuk është e interesuar në këto momente që të përmbyllë bisedimet dhe të nënshkruajë një marrëveshje për normalizimin e njohjen e shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës. Kjo ndodh, sepse Beogradi pret që të ndryshojë raporti i forcave në favor të Rusisë dhe në dëm të Evropës. Evropianët në rastin e Serbisë janë treguar dhe po tregohen naivë. Nuk e di me dashje ose pa dashje. Nuk mund ta them për shkak të përçarjes së tyre në raportet me Rusinë apo për shkak të sentimenteve pro Rusisë. Evropianët besojnë në fjalët e dyshimta e mashtruese të lidershipit serb. Ata nuk kanë mundur të kuptojnë se edhe sot, liderët serbë ndryshe flasin e ndryshe veprojnë. Kur thonë se e duan Evropën, nga ana tjetër i kanë intensifikuar veprimet për forcimin e aleancës me Rusinë”, ka deklaruar ai.

Ai shton se Daçiq, Vulin e shumë ministra të tjerë, shumica e administratës publike, akademikë e sidomos peshkopët serbë, janë në anën e Rusisë dhe nuk mund të pritet delegacion konstruktiv në dialog dhe në këtë rast Kosova duhet të përgatitet që të mos ndodhin të papritura në dialog.

“Për këtë arsye sot e prej një dekade Evropa nuk e ka marrë seriozisht bazën ruse të ashtuquajtur humanitare në Nish të Serbisë. Ajo është dëshmuar si një bazë spiunazhi e destabiliteti në rajon dhe në Bruksel kanë vazhduar ta besojnë “humanizmin rus” në Serbi. Nuk e di pse sot evropianët nuk kërkojnë me vendosmëri largimin e kësaj baze logjistike spiunazhi nga Serbia. Pse nuk kërkohet spastrimi i Serbisë nga ushtria ruse e spiunëve deri në qeverinë e Beogradit. Daçiq, Vulin e shumë ministra të tjerë, shumica e administratës publike, akademikë e sidomos peshkopët serbë, janë në anën e Rusisë dhe punojnë për llogari të hegjemonisë së saj në Ballkan. Daçiq e thotë hapur „Nëse nuk do të jemi me Rusinë, Serbia nuk do të ketë më asnjë mbrojtje nga ndonjë Fuqi e Madhe“! Dhe këta liderë anti-evropianë pritet të bëhen brenda javës evropianë. Aq më pak mund të pritet që delegacioni i Serbisë në dialog të jetë konstruktiv. As Aleksandër Vuçiq nuk është konstruktiv, së paku kur bëhet fjalë për Kosovën. Në këto kushte Kosova duhet të përgatitet shumë mirë për dialogun, që të mos ndodhet para të papriturave të pakëndshme”, ka përfunduar profesori Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat