“Sarraz do e forcojë pozicionin e Kosovës në bisedime”

Politika

“Sarraz do e forcojë pozicionin e Kosovës në bisedime”

Nga: A.Z Më: 23 shkurt 2022 Në ora: 22:52
Manuel Sarrazin

Pas Escobar, Peach dhe Lajçak, së fundmi është emëruar edhe Manuel Sarrazin nga Qeveria gjermane si i dërguari i posaçëm i Gjermanisë në Ballkanin Perëndimor.

Sipas burimeve, Sarrazin është i dërguari i parë gjerman për këtë rajon, sepse pozita e tillë nuk ka ekzistuar në qeveritë e mëparshme gjermane.

Lidhur me këtë, analisti Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, deklaroi se ky emërim dëshmon se bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë po hyjnë në fazën më të panjohur deri tani.

Tutje u shpreh se edhe Sarraz është i të njëjtit mendim që nuk do të ketë ndarje të Kosovës, por megjithatë siç u shprehen në vizitë e fundit nga Eskobar dhe Lajçak lë të kuptohet se bisedimet do të përfundojnë me një marrëveshje dhe pa ndarje.

“Përveç Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe, më 15 shkurt edhe Gjermania ka emëruar të dërguarin e saj të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, akt që dëshmon se pas zhvillimeve më të reja të krizës Ukrainë-Rusi, edhe Bisedimet Kosovë Serbi, po hynë një fazë shumë më intensive dhe të panjohur deri më tani. Kurse fakti që Qeveria gjermane ka përzgjedhur z. Manuel Sarrazin, emisar special për Ballkanin Perëndimor i cili njëjtë si ish kancelarja e mirënjohur gjermane Angela Merkel edhe ky ka kundërshtuar, që nga fillimi ndarjen e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve në rajon, na bënë të shpresojmë se ashtu siç u shprehen me rastin e vizitës së fundit edhe Përfaqësuesi i lartë i SHBA-ve, Gabriel Eskobar dhe ai i BE-së Miroslav Lajçak, bisedimet Kosovë-Serbi, do përfundojnë, pa ndarje dhe pa "republika srpska" e bosnjëzim të Kosovës, me një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe njohje të ndërsjellë, ndërmjet të dy vendeve”, tha ai.

Më tej ka theksuar se Sarraz do e forcojë pozicionin e Kosovës në bisedime, gjithashtu do t’i ndihmoj edhe qeverisë aktuale për moslejimin e asocacionit serb.

Qarri potencoi se kjo situatë duhet shfrytëzuar, dhe në bisedime të futet edhe çështja për shqiptarët nën Serbi.

“Madje emërimi i politikanit Manuel Sarrazin, i njohur për qëndrimin dashamirës ndaj shqiptarëve, për të dërguar të posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, pritet ta forcojë edhe më tej pozicionin e Kosovës në bisedime me Serbinë dhe ta ndihmojë edhe qëndrimin e Qeverisë Kurti, për moslejimin e asociacionit kundërkushtetues një etnik serb, me kompetenca ekzekutive në vendin tonë. Kështu që Qeveria dhe i gjithë spektri politik i Kosovës duhet të unifikojnë qëndrimet, ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të bëjnë çmos që, në tavolinën e bisedimeve të futet edhe çështja e shqiptarëve nën Serbi dhe këmbëngulin që të bëhet balancimi i të drejtave të pakicës serbe në Kosovë me të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegj”, shtoi Qarri.

Madje ai u shpreh se duhet tu hiqen mbishkrimet në gjuhë shqipe, si dhe tu pasivizohen adresat shqiptarëve në trojet e veta.

Qarri theksoi se me këto emërime po rriten edhe shancet për arritjen e një marrëveshjeje në mes Kosovës dhe Serbisë, madje Serbia ta njoh edhe Kosovën si shtet të pavarur.

“Dhe kjo duhet të ndodhë sa më shpejtë, për vet faktin, se pas ndalimit të abetareve, kanë nisur zyrtarisht, tu pasivizohen edhe adresat e shqiptarëve në shtëpitë dhe trojet e veta autoktone, të hiqen mbishkrimet në gjuhën shqipe dhe dëbohen në heshtje shqiptarët nga trojet e veta, në gjithë Kosovën Lindore, fushatë shtetërore kjo për spastrimin e përgjithshëm etnik të shqiptarëve, gjë që nuk guxon të lejohet, të ndodhë as të shkoj më tej. Kështu që emërimi z. Gabriel Eskobar si i dërguar special i Qeverisë së Presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, emisarit britanik Sir Stuart Peach dhe z. Sarrazin si emisar gjerman, lë të nënkuptohet se me zhvillimet e reja, po rriten edhe shanset, qe të arrihet marrëveshja me Serbine dhe ajo përfundimisht ta njoh Kosovën si shtet të pavarur e sovran në gjithë territorin e saj shtetëror, duke u dhënë kështu, pas mese 23 vitesh të çlirimit të Kosovës nga Serbia, fund mosmarrëveshjeve dhe ofruar mundësi paqes dhe zgjidhjeve paqësore të problemeve në rajon”, ka përfunduar Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat