Armatosja e vazhdueshme e Serbisë / Ky është skenari që po përgatitet

Politika

Armatosja e vazhdueshme e Serbisë / Ky është skenari që po përgatitet

Nga: M.H. Më: 4 janar 2022 Në ora: 22:36
Foto ilustrim

Serbia po forcon aleancën e saj me Rusinë dhe Kinën, dhe së fundmi po armatoset me avionë luftarakë rusë dhe kinezë, dronë dhe sisteme kundërajrore, raportuan mediat e huaja për dërgesën e fundit të armëve nga Rusia, duke vënë në dukje se Serbia shpesh akuzohet për destabilizimin e Bosnjës, Malit të Zi dhe Kosovës.

Sipas Associated Press, shkrimi i së cilës u raportua nga media të tjera në botë, presidenti i Serbisë të hënën vlerësoi dërgesën e fundit të armëve nga Rusia, pavarësisht frikës në Ballkan se forcimi i ushtrisë së vendit fqinjë mund të çojë në tensione të reja.

Ndërsa, Edëard Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, mendon se zgjidhja më e lehtë aktualisht është, që Kosova mund të pranohet në Partneritetin për Paqe, duke ia bërë të qartë kështu Serbisë, se ajo do të ishte më mirë të pranonte një marrëveshje dialogu. 

“Konsideroj se Kosova mund të pranohet në Partneritetin për Paqe pa njohje nga Greqia, Spanja, Sllovakia dhe Rumania. Kjo do t’i dërgonte sinjal të fortë Beogradit dhe do të ndikonte pozitivisht në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si dhe në situatën në rajon”, thotë Joseph për REL-in.

Po ashtu sipas tij ngërçi politik me Serbinë do të zgjidhej sikur 4 vendet e BE-së, që janë edhe në NATO ta njihnin pavarësinë e Kosovës. Kjo do t’i jepte fund  shantazheve politike e diplomatike të Serbisë.

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Rexhep Shahu, i cili u shpreh se Serbia po armatoset me armë të vjetra, madje ironizon me to, duke i quajtur të Luftës së Dytë Botërore.

Image
Analisti politik, Rexhep Shahu

“Serbia sado të armatoset me armë të Luftës së Dytë Botërore dhe armë skarco ruse, ajo bashkë me Rusinë bëjnë propagandë e presion lufte, por luftë me NATO-n nuk mund të bëjnë, luftë me Amerikën nuk mund të bëjnë”, u shpreh ai.

Më tej, analisti thotë që historia e armatosjes së Serbisë është si historia e atij që futë bombat në gji.

“Kosova realisht nuk është në NATO, por është NATO sepse NATO është në Kosovë. Historia e armatosjes së Serbisë është si historia e atij që futë bombat në gji. Me lajme të tilla veç sa i jep vetes gajret Serbia”, përfundon Rexhep Shahu për “Bota sot”.

Kujtojmë që të hënën, Vuçiqi tha se Serbia “mbetet në rrugën evropiane”, por shtoi se ai do të vazhdojë të “ushqejë” lidhjet e tij miqësore me Rusinë dhe Kinën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat