"Pastrimi i figurës apo lustracioni për zyrtarët e lartë të administratës shtetërore, është më se i domosdoshëm"

Politika

"Pastrimi i figurës apo lustracioni për zyrtarët e lartë të administratës shtetërore, është më se i domosdoshëm"

Nga: H.O. Më: 9 dhjetor 2021 Në ora: 20:30
Shqiprim Pula

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë heshtur sa i përket ligjit për lustracionin. Gazeta ‘Bota sot’ ka kërkuar përgjigje nga deputetët nëse Kuvendi do të shqyrtojë një ligj të tillë, mirëpo ata nuk kanë folur rreth kësaj teme.

Megjithatë, njohësit e ҫështjeve juridike dhe politike në vend kanë komentuar këtë nismë. Kështu, Shqiprim Pula, njohës i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, thotë pastrimi i figurave apo lustracioni për zyrtarët e lartë shtetërorë është i domosdoshëm.

 “Vendi ynë, si ish-njësi e federatës Jugosllave, më pas e një regjimi emblematik i dhunës Serbe i njohur si regjimi i Slobodan Milosheviҫ-it, ka kaluar nëpër jetën publike brenda një rruge politike me vështirësi e me ngjarje, duke dalur e traumatizuar edhe nga lufta e fundit, e viteve 1998-99. Në një sistem politik pluralist, me një demokraci përfaqësuese, pastrimi i figurës apo lustracioni për zyrtarët e lartë të administratës shtetërore, është më se i domosdoshëm”, vlerëson ai.

Sipas tij, Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet që hapur, drejtë dhe saktë, t’a trajtoj këtë temë si nevojë për hir të shëndetit jetës publike e institucionale, të demokracisë dhe vlerave pro-perëndimore.

“Natyrisht se mund të ketë edhe reagime të cilat janë të kuptueshme për shkak të ndjeshmërisë që ka lustracioni, por, duhet të ndodh për të hequr ҁdo lloj mëdyshe mbi personat të cilët në një rrugë i kanë shërbyer ish-sistemeve në të kaluarën apo kanë pasur ndonjë lloj afirmiteti, e që sot mund të mbajnë poste apo funksione brenda shtetit të Kosovës. Institucionet relevante dhe përgjegjëse për t’a inicuar dhe realizuar procesin e lustracionit, duhet që të kërkojnë këshilla dhe ekspertiza nga instancat ndërkombëtare, siҁ mund të jenë; Këshilli i Europës, Komiteti i Helsinkut, OSBE-ja por edhe vende si model p.sh., Çekia apo Gjermania e cila ka bërë denazistifikimin e Gjermanisë së pas luftës së dytë Botërore, e modele të tjera që mund t’i shërbejnë vendit tonë për t’a përmbyllë si temë dhe nevojë për të mirën  dhe ardhmërinë e Republikës”, vlerëson analisti Shqiprim Pula për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat