Parashikimi: Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj në listën e zezë të SHBA-së, bashkëpunëtorë të Veselinoviqit?

Politika

Parashikimi: Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj në listën e zezë të SHBA-së, bashkëpunëtorë të Veselinoviqit?

Nga: P.R Më: 9 dhjetor 2021 Në ora: 20:07
Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi

Millan Radoiçiq, Zvonko Veselinoviq, bashkë me 11 serbë të tjerë nga Kosova, janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të ShBA-së.

Sipas departamentit amerikan, Veselinoviq identifikohet si udhëheqësi i grupit të krimit të organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.

Madje sipas komunikatës së thesarit të ShBA-së, Veselinoviq bashkëpunonte me zyrtarë të Kosovës.

“Grupi gjithashtu ka komplotuar me politikanë të ndryshëm në disa marrëveshje quid pro quo, duke përfshirë ryshfetin në fillim të vitit 2019 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë për të lejuar operacionet e tyre të kontrabandës ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe ryshfetin e fundit të vitit 2017 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë kufitare për të lejuar kalimin e sigurt për kontrabandistët”, thuhet në këtë komunikatë.

E sipas analistit dhe njohësi të zhvillimeve politike, Gani Qarri, Veselinoviq është personi që i vendosi barrikadat mbi urën Ibrit në Mitrovicë.

Image
Gani Qarri

“Për aq më tepër krimineli i lindur në Zveçan, Zvonko Veselinoviq, njihet në gjithë Kosovën si udhëheqës i bandës së veriut, i cili i pari, nisi vendosjen e barrikadave mbi urën kryesore të lumit Ibër dhe ndalonte qarkullimin e shqiptarëve nga jugu në veri të Mitrovicës qysh në korrik të vitit 2011, në kooketim të ngushtë me udhëheqësit më të lart politik e shtetëror të Kosovës. Edhe në komunikatën e lëshuar nga Departamenti i Shtetit, thuhet se grupi kriminal me në krye Zvonko Veselinoviqin dhe Milan Radoiçiqin ka kooketuar ngushtë me politikanë dhe zyrtarët më të lartë shqiptar, me të cilët ka arritur edhe disa marrëveshje të tipit "quid pro quo", apo përshtatur në shqip; "nga diçka për secilin"”, thotë Qarri.

Sipas tij, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, janë dy politikanët shqiptar që e kanë lejuar kontrabandën dhe krimin e Veselinoviqit në Kosovë.

“Marrëveshjet e tilla u jetësuan në fund të vitit 2017 dhe në fillim të vitit 2019, për futjen e mallrave kontrabandë nga Serbia. Ndaj habit fakti se si asnjëri nga politikanet apo zyrtarët e korruptuar shqipfolës nuk u futën në listën e zezë edhe pse, kanë marrë ryshfet dhe kanë lejuar zhvillimin e papenguar të kontrabandës ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, që nga kuislingu Hashim Thaçi e deri te sharlatni politik Ramush Haradinaj, të cilët Veselinoviqin dhe Milan Radoiqiqin, përveçse i prisnin në zyrat e tyre, i shndërruan edhe në bosët kryesor të kontrabandës me narkotik, derivate të naftës, tekstil, vetura etj”, shprehet Qarri për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se në listën e zezë duhet të përfundojnë edhe bashkëpunëtorët shqiptar të Veselinoviqit dhe Radoiçiqit.

“Në listën e sanksioneve të SHBA-ve, Veselinoviq konsiderohet si udhëheqësi kryesor i grupit kriminal dhe një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit dhe të krimit të organizuar në Kosovë, por përderisa Zvonko Veselinoviqi dhe grupi i tij i krimit të organizuar mbahen përgjegjës për kontrabandë e trafikim të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, habit fakti se si në listë u futën vetëm bashkëpunëtorët serb dhe nuk u përfshinë asnjëri nga kooketuesit dhe bashkëpunëtorët shqiptar të cilët arrinin deri në presidencën e shtetit dhe kryeministrinë e Kosovës”, thekson Qarri.

“Apo ndoshta kjo është vetëm goditja e parë e presidentit të SHBA-ve z, Joe Biden, dhe pa vonuar shumë, fat të njëjtë mund të pësojnë edhe shumë politikbërës batakçi shqipfolës, që për më tepër se një dekadë kooperuan pareshtur me Zvonko Veselinoviqin e Milan Radojçiqin, si dhe u përfshinë në aferat korruptive e kriminale të kriminelëve gangster serb, si Veselinoviqi dhe Radojçiqi me shokë”, deklaron Qarri.

Për fund, Qarri i thotë me emra, dy politikanët që sipas tij mund të jenë cak i SHBA-së dhe të përfundojnë në listën e zezë.

“Dhe në goditjet pasuese të administratës së presidentit Joe Biden, mund të futen në listën e zezë të ShBA-ve edhe bashkëpunëtorët shqipfolës të Veselinoviqit dhe të Milan Radoiqiqit, të cilët për gjithë këto vite kanë kooketuar ngushtë, zhvilluar biznese dhe bashkëpunuar në vijimësi me kriminelët në Veri, që nga Hashim Thaçi e deri te Ramush Haradinaj, të cilët jo vetëm se takoheshin me ta, por pa fije turpi e ndërgjegje njerëzore, u organizonin edhe pritje zyrtare krimelëve Veselinoviq e Radoiçiq, në zyrat shtetërore të Republikës së Kosovës në Prishtinë”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti politik Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat