Skenari i errët serb kundër Kosovës që ‘gatuhet në kuzhinat’ e Beogradit, analisti nga Zvicra jep paralajmërimin: Serbia nuk do të ndalet

Politika

Skenari i errët serb kundër Kosovës që ‘gatuhet në kuzhinat’ e Beogradit, analisti nga Zvicra jep paralajmërimin: Serbia nuk do të ndalet

Nga: N.H Më: 14 korrik 2021 Në ora: 15:46
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, tre iniciatorët e Mini Shengenit.

Krerët e Qeverisë së Kosovës në vazhdimësi janë duke konstatuar se plani i Minishengenit për Ballkanin është vetëm një kurth që nuk e sjell frymën e bashkëpunimit rajonal.

Këtë iniciativë së fundi e ka kundërshtuar ashpër dhe fuqishëm edhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, shkruan “Bota sot”.

Njohësi i çështjeve politike që jeton dhe vepron në Zvicër, Dedë Preqi, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në Forumin e Dubrovnikut, me të drejtë e kundërshtoi Minishengenin për Ballkanin, ku pati edhe një përplasje edhe me sekretarin serb Nemanja Staroviç,

Image
Dedë Preqi

“Ky lloj Minishengeni, nuk e favorizon Kosovën, por direkt interesat e Serbisë, për të dominuar në Ballkan. Ministrja Gërvalla, këtë Minishengen, e konsideron si një lloj kurthe, të cilën ia ka përgatitë Serbia shtetit të Kosovës, dhe se qytetarët e këtij vendi nuk janë në pajtim me një projekt të tillë, por janë të vetëdijshëm se përmes këtyre planeve dhe projekteve të Serbisë, po vazhdohet edhe me Asociacionin e komunave serbe në veri të Kosovës. Projekti i Minishengenit, për Ballkanin, për herë të parë del në opinion në Gjenevë të Zvicrës, kur këtë iniciativë e kishte iniciuar kryetari i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, së bashku me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe kryeministrin e Maqedonisë veriore, Zoran Zaev, prej të cilëve edhe sot po krijohet një mjegullnajë, e cila më shumë i ngjanë, jo të një afrimi të këtyre vendeve ballkanike, por të një copëtimi, me ç’rast do të përfitonte vetëm Serbia”, ka thënë opinionisti Preqi.

Ai paralajmëron se me ketë nismë, Beogradi ka qëllime të errëta që ta fusin edhe njëherë Kosovën, nën ombrellën e vet. Ndërsa, e quan fat të keq që kryeministri i Shqiperisë, Edi Rama, e mbështet këtë lloj projekti.

“Prandaj, me të drejtë kur thotë zonja Gërvalla, se është vështirë t’i besohet Serbisë, sepse te secili projekt që vjen nga Serbia, ka domethënie të kundërt me Kosovën, të cilat nuk e ndihmojnë dhe avancojnë në integrime, por me llojet e këtyre skenarëve, sikur edhe kjo e Minishengenit, kanë qëllime të errëta, që gatuhen posaçërisht në kuzhinat e Beogradit, prej të cilave projektohen kurtha, që ta fusin edhe njëherë Kosovën, nën ombrellën e vet, si një lojë e fantazisë së tyre. Për fat të keq këtij projekti të Minishengenit, i është bashkëngjitë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, e cili e mbështet këtë lloj projekti, pa i ditur mirë rrethanat, por më e keqja kur ky flet edhe në emër të Kosovës, si një cicëron i pa konsultuar me asnjëri nga ky vend, përkundrazi projektet e Serbisë, nuk janë as në favor të shtetit shqiptarë, sepse në përbërjen e tyre zbërthehen qëllime të tjera, që i dobësojnë këto vende, në veçanti ato vende me përkatësi etnike shqiptare”, është shprehur ai.

Tutje, opinionisti deklaron se një qëllim tjetër i Serbisë, është që të fus gjashtë vendet e Ballkanit nën ombrellën e vet, duke e marrë rrolin kryesor në Ballkan, në mënyrë që të shpëtohet Serbia nga rrethanat e krijuara dhe të krijohet një Serbi e re, me një fuqi të fuqishme në Ballkan, ku në bazë të kësaj madhështie do të bie edhe Kosova në një kurth të tillë.

“Zonja Gërvalla, dhe Qeveria Kurti, janë në koordinim në mes vete, se projektet e Serbisë, deri më tani janë zhgënjyese, dhe shpesh herë paraqesin edhe kërcënim për integritetin e Kosovës, kur bëhet fjalë për lëvizjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, dhe shumë projekteve tjera, që kanë të bëjnë me një përpjekje, ku shtysa primare e këtyre projekteve të Serbisë, është përçarja dhe shkatërrimi i këtij populli dhe e këtij vendi. Edhe pse thuhet se përmes këtij projekti të Minishengenit, do të prekën shumë gjëra me rëndësi, që do e zbusin edhe papunësinë në rajon, pastaj edhe lëvizja e qytetarëve dhe tregu i mallrave ka një qarkullim të përshtatshëm, por çfarë bëhet në fakt, kur Serbia nuk e ka ndryshuar qasjen e saj karshi Kosovës, përmes të cilave do të hynte në marrëdhënie të mira me këtë vend, ku edhe asnjë marrëveshje ndër fqinjësore nuk e ka respektuar me këtë vend, atëherë kush do të bindet dhe ti beson projekteve të tilla. Zonja Gërvalla, me të drejtë e kundërshton projektin e Minishengenit, sepse një projekt i tillë është një projekt dinak i qeverisë së Serbisë dhe kryetarit të saj Aleksandër Vuçiq, i cili e ka vetëm një qëllim të caktuar, për ta futur Kosovën, në një ngushticë dhe hapësirë të vetme, duke e përkëdhelë në një mënyrë me metoda të tilla të buta, që pastaj mund ta ketë më lehtë për të futur në jetë projektin e saj makabër, që e ka sekret për Kosovën”, tha me tej ai.

Madje, analisti Preqi është i mendimit se projekte të tilla, sikurse ky i Minishengenit do të kemi edhe në të ardhmen.

“Serbia dhe qeveria e Vuçiqit, sot ka zgjedhur projekte dhe metoda të reja, përndryshe duke shfrytëzuar praktikat dhe strategjitë e reja ndaj Kosovës, në rrafshin politik nuk do ta mohonte asnjë shoqëri demokratike, por në realitet projektet e tilla që vijnë nga Serbia, do t’i kushtojnë Kosovës shumë, duke ditur se ky vend Kosovën akoma nuk e ka hequr nga Kushtetuta e vet. Projekte të tilla do të kemi edhe në të ardhmen, sikur ky lloj Minishengeni, i cili për qytetarët e Kosovës, po bëhet edhe një problem shtesë, duke ditur se lojërat e tilla të Serbisë dhe kryetarit Vuçiq, si pasardhës i Millosheviqit, janë projekte që dëshmojnë dhe prodhojnë destabilitet dhe kundër paqes në rajon dhe Ballkan, me ç’rast Kosova, akoma i ka të freskëta plagët e pa shëruara të kësaj politike fashizoide”, ka potencuar Preqi.

Në fund, Preqi ka theksuar se ministrja Gërvalla me të drejt mohon një projekt të tillë, dhe mohimi i Minishengenit, do të ishte një mohim i drejtë dhe tërësisht i mbështetur nga qytetarët e Kosovës.

“Prandaj, si do të kuptohet ky relacion i Serbisë ndaj Kosovës, ku në njërën anë i tregon dhëmbët përmes forcës ushtarake përgjatë kufirit të vet me Kosovën, dhe armatoset për çdo ditë me armatim të rëndë, dhe në anën tjetër krijon Minishengen, duke dhënë mesazhe të qarta se ky vend po bënë eksperimente për të riokupuar edhe njëherë Kosovën, sikur mos ta kishte dronë e NATO-s, dhe SHBA-ve. Dhe zonja Gërvalla, në përpjekjet e saj për të vendosur një stabilitet në mes këtyre dy vendeve dhe dy popujve, e mohon një projekt të tillë, dhe mohimi i Minishengenit, do të ishte një mohim i drejtë dhe tërësisht i mbështetur nga qytetarët e Kosovës, sepse projektet e tilla kanë një qëllim i errët, duke paraqitë si një lloj të veçantë të një projekti, që në realizimin e tij, mund të shpërthejnë eksplozive të rrezikshme, në veçanti Kosova, do të plagoset dhe lëndohet më së shumti në rajon”, ka deklaruar në fund, njohësi i çështjeve politike në vend, Dedë Preqi, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat