Thirrja urgjente për Osmanin, Kurtin e Gërvallën: SHBA-ja, BE-ja e NATO kanë luftuar për ta bërë Kosovën shtet – ja rreziku nga shkëmbimi i territoreve

Politika

Thirrja urgjente për Osmanin, Kurtin e Gërvallën: SHBA-ja, BE-ja e NATO kanë luftuar për ta bërë Kosovën shtet – ja rreziku nga shkëmbimi i territoreve

Nga: A.Z Më: 11 korrik 2021 Në ora: 18:24
Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla

Betim Gjoshi nga PDK-ja thotë se Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave qysh në Qeverinë Thaçi.

Ai thotë se Deklarata e ministres së jashtme, Donika Gërvalla, se Kosova nuk i ka kryer detyrat e saj dhe nuk duhet të fajësohet BE-ja është me prapavijë.

“Gërvalla po mundohet ta paraqesë liberalizimin e mundshëm të vizave si një sukses të Qeverisë Kurti dhe jo si një karrotë për lëshimet që po priten në dialogun me Serbinë dhe marrëveshjen finale”, tha Gjoshi.

Lidhur me këtë, analisti Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Gjoshi do të duhej të thoshte se Kosova për shkak të Thaçit nuk ka liberalizim të vizave, pra për shkak të korrupsionit, të qëndrimeve politike të PDK-së, për shkak të shkëmbim territoresh, gjë që kështu ushqehej korrupsioni.

Ai është ndalur edhe te shkëmbimi i territoreve, me ç’rast ka bërë thirrje për Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, Kryeparlamentarin Glauk Konjufca e Ministren e Diplomacisë Donika Gërvalla se duhet ta dinë se SHBA-ja, BE-ja e NATO kanë luftuar për ta bërë Kosovën shtet të pavarur e sovrane me kufij të përcaktuar e jo për shkëmbime territoresh me Serbinë.

Image
Sulejman Mehazi

“Betim Gjoshi i PDK-së para se të lavdërohej, se, Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave qysh në Qeverinë e Thaçit, duhej të ishte i sinqertë e të thoshte se BE-ja nuk ka liberalizuar vizat për qytetarët e Kosovës për shkak tekeve politike të Thaçit për shkëmbime territoresh me Serbinë, për shkak korrupsioneve të mëdha qeverisëse PANI-ste, për shkak të qëndrimeve psikolabile politike e qeverisëse shtetërore të PDK-së: herë për Kosovën, herë për shkëmbime territoresh me Serbinë, herë për bashkim kombëtar, herë me BE-në e herë me SHBA-në, herë të luftohet korrupsioni, kurse me veprimet qeverisëse ushqehej e zhvillohej korrupsioni e kështu me radhë”, tha ai.

Më tej shtoi se Gjoshi do të duhej të tregonte se pse janë në burg ish-liderët e PDK-së, madje pse janë ngritur aktakuza edhe ndaj Dhurata Hoxhës, dhe katër të tjerëve.

Pra, sipas Mehazit, të gjitha këto kanë penguar liberalizimin e vizave, pra për këtë duhet kritikuar qeveritë e mëparshme.

”Betim Gjoshi i PDK-se para se t’i thoshte Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gervalla, se ajo “liberalizimin e mundshëm të vizave mundohet ta arsyetojë si sukses të Qeverisë Kurti dhe jo si një karrotë për lëshimet që po priten në dialog”, duhej të tregonte se çfarë u bë me ish-liderët e tij të PDK-së, Hashim Thaçin e Kadri Veselin, pse janë në burgun e Hagës?, pse Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër ish-ministres së PDK-së për Integrime Evropiane të Kosovës, Dhurata Hoxhës, dhe katër të pandehurve të tjerë: Fitim Mustafa, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani, për veprën penale: “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, pra, të gjitha këto veprime mashtruese e të palogjikshme qeverisëse të PDK-së a nuk kanë qenë pengesa kryesore për mos realizimin e vizave, a s’është e vërtetë deklarata e Gërvallës se nuk duhet kritikuar BE-në për liberalizim të vizave, po qeveritë e mëparshme të Kosovës që nuk i kanë plotësuar detyrat shtetërore që ka kërkuar BE-ja”, shtoi ai.

Ai tutje theksoi se për liberalizim të vizave BE-ja kërkon parime shtetërore, përndryshe nuk do të ketë liberalizim. Mehazi shton se SHBA, BE dhe NATO kanë luftuar që Kosova të jetë shtet i pavarur e jo për shkëmbim territoresh, e këtë gjë duhet ditur Kurti, Osmani, Konjufca dhe Gërvalla.

“BE-ja me rastin e liberalizimit te vizave kërkon parime e principe të hekurta shtetërore, ose për Republikën e Kosovës me kufijtë ekzistues, ose kurrë liberalizim të vizave me ide psikolabile të shkëmbimeve të territoreve me Serbinë, me ide të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, me ide korruptive e zhvatjesh shtetërore. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, Kryeparlamentari Glauk Konjufca e Ministrja e Diplomacisë Donika Gërvalla duhet ta dinë se SHBA-ja, BE-ja e NATO kanë luftuar për ta bërë Kosovën shtet të pavarur e sovrane me kufij të përcaktuar e jo për shkëmbime territoresh me Serbinë, jo për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Liberalizimi i vizave, integrimet në BE, SHBA, OKB do vijnë vetëm si Republikë e Kosovës, jashta Shqipërisë e Serbisë për ndryshe kurrë”, ka përfunduar Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat