“Fortesa” e Kurtit për Minishengenin, këto janë qëllimet e Serbisë

Politika

“Fortesa” e Kurtit për Minishengenin, këto janë qëllimet e Serbisë

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 5 korrik 2021 Në ora: 08:42
Albin Kurti në Forumin e Prespës

Që nga nisja e Minishengenit Ballkanik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka refuzuar.

Edhe sot, kur gjendet në pushtet vazhdon refuzimin e këtij Minishengeni.

Ai këtë mendim ua bëri të qartë liderëve ballkanik “sy me sy” në Forumin e Prespës.

Kryeministri Kurti deklaroi se një nismë e tillë mund të jetë pengesë për t’u bërë pjesë e familjes së Bashkimit Evropian.

“Ajo që nuk duhet të bëjnë përkundrejt BE-së është t’u ikim përgjegjësive tona me veprime që krijojnë konfuzion mes nesh dhe t’u japim mundësi palëve të tjera t’i shfrytëzojnë. Kështu është edhe ideja e Novi Sadit për Minishengenin Ballkanik”, ka deklaruar Kurti.

Po ashtu, Kurti potencoi se Kosova e refuzon ashpër, duke theksuar se është një iniciativë pa vizion për rajonin.

“Është një iniciativë pa vizion për rajonin dhe si të tillë Kosova e refuzon ashpër dhe i inkurajon të gjithë që të kthehemi në agjendën e BE-së dhe marrëdhënieve transatlantike. Pakënaqësia me bashkësinë evropiane nuk duhet të instrumentalizohet nga vende që nuk e duan NATO-n apo mbështesin Federatën e Rusisë”, ka deklaruar Kurti.

Mehazi: Nuk është i rastësishëm refuzimi i Kurtit

Image
Sulejman Mehazi

Profesori, Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Minishengeni është ndjellakeqës.

“Minishengeni është ndjellakeqes, nuk është projekt kombëtar, më shumë ka të bëjë me ish-Jugosllavinë e "kralevinës" të serbëve, kroatëve e sllovenëve në fillim të shek XX, është ëndërr e kahmotshme xhubrilloviqiane që ndryshe mund ta pagëzojmë me emrin e Bashkimit të Shteteve Sllave në Ballkanin Perëndimor, (BSHSBP)”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka përmendur edhe deklaratën e Vuçiq për ndryshimin e emrit të Minishengenit.

“Këtë ndryshim të emrit të Minishengenit e paralajmëroi edhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq Brenda këtij Minishengeni do dominojë gjuha sllave së bashku me ekstremizmat e kishave sllave për të dominuar rajonin”, ka theksuar profesori.

Mehazi ka shtuar se nuk është i rastësishëm refuzimi i kryeministrit të Kosovës ndaj Minishengenit.

“Prandaj nuk është e rastësishme refuzimi i Albin Kurtit ndaj kësaj krijese ballkanike që dëmton rëndë qenien tonë fizike e shpirtërore së bashku me territoret shqiptare. Hapur shihet se Minishengeni është pjellë ruse-serbe-ortodokse me qëllime djallëzore të Vuçiqit ortodoks, Ramës ortodoks dhe Zaevit ortodoks që më shumë ka kuptime religjioze ortodokse sesa kombëtare e shqiptare”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, profesori ka potencon së shqiptarët brenda Minishengenit do të mbesin dele të zeza sikurse brenda ish-Jugosllavisë së Titos.

“Shqiptarët brenda Minishengenit të Vuçiqit e Ramës do mbeten dele të zeza në mes gjuhëve sllave e fesë ortodokse të serbëve, maqedonasve malaziasve, boshnjakëve e hercegovasve njësoj sikurse që ishin dele të zeza shqiptarët brenda ish-Jugosllavisë së Titos. Albin Kurti e di se Edi Rama shpirtërisht si ortodoks më shumë përkrah popullin ortodoks serb e maqedonas sesa shqiptaret myslimanë e katolikë të Kosovës. Sikurse Vuçiqi që përkrahë kishën ortodokse, po ashtu edhe Edi Rama shpirtërisht përkrah ortodoksizmin”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Mehazi ka bërë të qartë se Kurti me refuzimin e Minishengenit po e mbron Kosovën dhe shqiptarët nga rreziqet e përhershme serbe.

“Minishengeni është dominim i gjuhëve sllave e kishave ortodokse ku shqiptarët do jenë trup i amputuar brenda gjuhëve sllave e ortodokse, prandaj shumica e shqiptarëve pajtohen me refuzimin e Minishengenit nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Albin Kurtit me refuzimin e këtij riprojekti çubrilloviqian e andriqian mbron Kosovën dhe shqiptarët nga rreziqet e përhershme serbe”, ka vlerësuar Mehazi për “Bota sot”.

Bytyçi: Këto janë tri qëllimet e Serbisë për përkrahjen e Minishengenit

Image
Adem Bytyçi

Ndërkaq, analisti politik, Adem Bytyçi, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka deklaruar se Minishengeni nuk as në interesin politik dhe as në interesin ekonomik të Kosovës.

“Vizioni i z. Kurti për Minishengenin Ballkanik është i saktë, sepse nuk është absolutisht as në interesin politikë dhe as në interesin ekonomik të Kosovës. Në këtë Minishengen thuajse e vetmja që përfiton është Serbia”, ka thënë ai.

Gjithashtu, ai ka cekur tri qëllimet e Serbisë për përkrahjen e Minishengenit.

“Përkrahja e Serbisë të Minishengenit Ballkanik i ka tre qëllime shumë të rëndësishme: nën një, relativizimin e shtetësisë Kosovës, dy dominimin ekonomik të të gjitha ekonomive të shteteve anëtare të Minishengeni , dhe tre, kompensimin e kohës për vonesën në integrimin në BE”, ka theksuar Bytyçi për “Bota sot”.

Ai e ka quajtur absurde futjen e Shqipërisë në Minishengen nga lidershipi politik i Shqipërisë.

“Po të mos ishte në interesin e Serbisë, Serbia më kohë do t'i thoshte Kryeministrit aktual të Shqipërisë Edi Kristaq Ramës jo Minishengenin. Është absurde se si lidershipi politikë i Shqipërisë, futet në aleanca të tilla me një shtet armik siç është Serbia, duke i anashkaluar interesat e Kosovës”, ka vlerësuar Bytyçi për “Bota sot”.

Në fund, ai ka theksuar Minishengeni do të dështojë, si dhe ka këshilluar që Shqipëria të tregohet më e kujdesshme.

“Ajo që dihet është se Minishengeni Ballkanik do të dështojë akoma pa filluar të funksionojë, sepse është hakmarrje ndaj Evropës, nga shtetet të cilat BE-ja, nuk i pranon pa i përmbushur standarde e caktuara Evropiane. Shqipëria, duhet të tregohet më e kujdesshme ndaj interesave të Kosovës në raport me Serbin, sepse këtë ja detyron obligimi historik, politikë dhe kombëtar”, ka përfunduar Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat