Zgjedhjet e reja shumë afër, deklarohen nga LDK-ja: Do të punojmë për fitore – ja çfarë thonë për përplasjet mes Isa Mustafës dhe Vjosa Osmanit

Politika

Zgjedhjet e reja shumë afër, deklarohen nga LDK-ja: Do të punojmë për fitore – ja çfarë thonë për përplasjet mes Isa Mustafës dhe Vjosa Osmanit

Nga: N. H Më: 3 janar 2021 Në ora: 08:37
Foto ilustrim “Bota sot”

Vendi do të ballafaqohet me një mori sfidash gjatë vitit 2021 dhe ato do të nisin që me fillimin e vitit, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, mbajtja e të cilave pritet të shpallet së shpejti.

E, partia e Isa Mustafës, përkundër sondazheve, është tejet e bindur se do të arrijë një rezultat të mirë në zgjedhje.

Zëvendësministri i Kulturës në detyrë, Engelbert Zefaj, njëherit zyrtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka deklaruar se partia e tij është e gatshme për zgjedhjet e reja.

Ai për gazetën “Bota sot”, ka treguar se kontaktimi dhe komunikimi me strukturat e LDK-së është i vazhdueshëm dhe konkret edhe në teren.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është gjithmonë e gatshme për zgjedhje sepse i ka strukturat e veta që janë gjithmonë të mobilizuara dhe të cilat burojnë nga proceset zgjedhore. Kontaktimi dhe komunikimi me strukturat e LDK-së është i vazhdueshëm dhe konkret kështu që në këto raste edhe mobilizimi dhe organizimi për veprim është i shpejtë dhe konkret”, ka thënë Zefaj, për gazetën “Bota sot”.

Madje, anëtari i LDK-së shprehet se ata janë të angazhuar maksimalisht në teren, gjersa me tej ka treguar se gatishmëria dhe entuziazmi po rritet çdo minutë në partinë e tyre.

“Duke marrë parasysh situatën që po kalojmë të shkaktuar nga virusi COVID-19, jemi të shqetësuar se mos po rrezikohet jeta e qytetarëve tonë, por, sa i përket punës dhe angazhimit për fitore, gatishmëria dhe entuziazmi po rritet çdo minutë. Do të punojmë për fitore dhe do të kujdesemi për shëndetin e qytetarëve”, tha ai.

Kurse, lidhur me përplasjet mes Osmanit dhe Mustafës, zëvendësministri i Kulturës në detyrë, Engelbert Zefaj ka theksuar se sjellja e ish-nënkryetares së LDK-së ka qenë aspak korrekte.

Ai konsideron se Osmani i drejton dikasteret kryesore të shtetit fal mbështetjes dhe besimit që i ka dhënë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kryetari i saj, Isa Mustafa.

Image
Engelbert Zefaj

“Aspak korrekte. Vjosa Osmani ka qenë e respektuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe nga vetë kryetari Isa Mustafa. Ajo sot i drejton dikasteret kryesore të shtetit fal mbështetjes dhe besimit që i ka dhënë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Isa Mustafa. Angazhimi në një parti është zgjedhje personale. Znj. Osmani e ka zgjedhur rrugën e vetë. Lidhja Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk ja mbyllë derën askujt, por nga secili anëtarë kërkohet që ta respektojë statutin dhe rregullat e partisë”, ka deklaruar zyrtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Engelbert Zefaj, për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se Vjosa Osmani tashmë ka bërë publik sloganin e subjektit, ndërsa mësohet se kjo e fundit së shpejti do të publikojë edhe emrin e partisë.

Si shkak i qëndrimeve të ndryshme që kishte nga udhëheqësit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani u shkarkua muaj më parë nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Megjithatë, ish-nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani vendosi që rrugëtimin e saj politik ta vazhdojë e vetme.

Ndryshe, ende nuk është caktuar data e zgjedhjeve të ardhshme, në pritje të publikimit të vendimit të Kushtetueses.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat