Shkatërrimi i lagjes

Opinione

Shkatërrimi i lagjes

Nga: Arwid Hall Më: 14 maj 2015 Në ora: 15:54

Në çdo rrethanë tjetër është fare e lehtë të mos e gjesh rrugën me kalldrëm që të dërgon në një lagje të vogël me rreth 20 shtëpi. Kjo rrugë e vogël është pjesë e një lagjeje të madhe të quajtur "Divo Naselje", që është e banuar nga shqiptarët dhe maqedonasit. Rruga është si një aneks -vendbanim i qytetit të Kumanovës. Në këtë rrugë, të cilës i mungon çfarëdo planifikimi urban, disa familje shqiptare që kanë lidhje mes vete kanë ndërtuar shtëpi modeste.
Duke ardhur me taksi nga qendra e qytetit, përkrah tregut të hapur, vrimat e shtëpive të shkaktuara nga plumbat bëhen gjithnjë e më të dukshme. Me të hyrë në rrugën e ngushtë, disa qindra metra më tej, vërehet një dëm masiv dhe pothuajse asnjë shtëpi nuk ka mbetur e paprekur. Vrimat e plumbave dhe vrimat nga predhat më të mëdha kanë deformuar muret sikurse kuzhinat, dhomat e ndenjes dhe të gjumit të shkatërruara nga eksplozivi. Disa shtëpi janë pa çati ndërsa të tjerat janë rrafshuar për toke.
Një operacion spastrimi ishte ndërmarrë pjesërisht një ditë më parë, pra të dielën. Numri i madh i vrimave të predhave nuk është përputhur me numrin e gëzhojat nëpër tokë. Megjithatë, përdorimi i armëve personale, mitralozëve, granatave të dorës dhe granatave raketa-hedhëse është më se i qartë. Përveç vrimave të shumta të shkaktuara nga predhat dhe shtëpive të shkatërruara që dukeshin qartë, aty ndodheshin edhe pako të zbrazëta municioni.
Një granatë raketa-hedhëse e pa detonuar plotësisht kishte mbetur në katin e sipërm në njërën prej shtëpive të shkatërruara.
Sipas banorëve,të shtënat dhe shpërthimet kishin filluar pak para orës 05:00 në mëngjesin e të shtunës, pa paralajmërim të policisë për evakuimin e banorëve. Të zgjuar nga zhurma dhe të frikësuar se mund të vdesin apo të plagosen, banorët kërkuan strehim në bodrumet e tyre. Për fat të mirë, disa banorë treguan se i kishin evakuuar tashmë disa anëtarë të familjes duke marrë për bazë të thashethemet në qytet se policia do të ndërmerrte një aksion në lagjen e tyre. Megjithatë askush nuk kishte pritur diçka të asaj shkalle.
Kur u pyetën nëse ata panë ndonjë grup njerëzish të panjohur në lagjen e tyre që mund të bënin diçka të pazakontë, ata kanë deklaruar se nuk kishin parë apo dëgjuar ndonjë gjë të dyshimtë paraprakisht. Në qoftë se ata do të kishin dëgjuar diçka, sipas tyre, asnjëri nuk do të mbetej në shtëpitë e tyre. Disa banorë thonë se ata që tentuan të largohen u arrestuan nga policia. E disa pohojnë se janë keqtrajtuar e të tjerët se u janë vjedhur gjërat me vlerë në shtëpitë e tyre.
Me të hyrë në shtëpitë e tyre, shihet qartë se kishe pasur bastisje. Mobilet ishin të përmbysura ndërsa fiokat dhe dollapët ishin të shpërndara nëpër dhoma. Sidoqoftë forcat policore e kishin bërë vetën të ndihen rahat. Pakot boshe të mishit të derrit, shishet e ujit të shpërndara përreth; buka , biskotat dhe lëngu i frutave i lënë për gjysmë të krijonte përshtypjen e një vendi të braktisur pas një pikniku. Disa shtretër dukeshin sikur kishin fjetur në ta.
Se çfarë ka ndodhur në të vërtetë është e paqartë. E paqartë mbetet se kush është arrestuar, liruar, apo kush edhe mori pjesë në luftime. Sipas banorëve vetëm një civil ishte qëlluar nga një plumb qorr dhe askush nga banorët nuk ka vdekur. Një lopë, burimi kryesor i jetesës për një familje të varfër, ishte një tjetër viktimë. Ajo ishte qëlluar në këmbë nga një plumb qorr, kështu që ishte therur të dielën.
Sidoqoftë dëshmi për lëndimet e rënda dhe gjakderdhjen, ishin arnat e mëdha dhe gjaku i mbetur në pesë vende të ndryshme dhe dorezat e shumta kirurgjikale. Një top i madh gjaku të koaguluar mbeti në katin e një prej shtëpive, përballë të dritares së dhomës së ndenjës. Numri i saktë i viktimave është i paqartë, por më shumë detaje do të bëhen të njohura në ditët e ardhshme.
Besimi i banorëve në forcat e sigurisë është minimal dhe shumë nga ta besojnë se ngjarjet që kanë ndodhur janë inskenuar për të mbuluar skandalet e vazhdueshme politike të partive në pushtet. Disa banorë thanë se kanë frikë se mund të dënohen me shumë vite burg, për shkak të një ngjarjeje të inskenuar, pjesë e së cilës nuk kanë qenë kurrë. Një grup i banorëve kanë dërguar një kërkesë për informacione për tre fqinjët Irfan Lutfiu, Besnik Ajdini, dhe Afrim Seferi, të cilët besohet se janë arrestuar, por nuk janë parë që prej fundjavës.
Pavarësisht nga të gjitha ato që kishin ndodhur, banorët shqiptarë përsëritën disa herë se ata janë në paqe me fqinjët e tyre maqedonas dhe se ata se ata nuk kishin qëllime për të luftuar me fqinjët e tyre, e lëre më me shërbimet e tyre të sigurisë Ata fajësojnë qeverinë për përpjekjen e saj që të fillojë një konflikt etnik, që të fshehin krimet e bëra nga politikanë të nivelit të lartë.
Banorët kërkojnë përgjigje nga niveli qendror. Ata duan të dinë se ku janë të afërmit e tyre të burgosur, pse u ndërmor një aksion i tillë i policisë pa e rrethuar lagjen dhe pa paralajmëruar banorët që të evakuohen. Ajo që ndodhi në fundjavën e kaluar e ka bërë këtë rrugë të vogël në Kumanovë të famshme, për arsye krejt të gabuara. Nuk ka dyshim, se ajo çfarë ka ndodhur do të mbahet mend për një kohë të gjatë,bashkë me pasojat politike që priten së shpejti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat