Qeveria njoftoi përmbylljen e planit “3-6-9”

Maqedonia

Qeveria njoftoi përmbylljen e planit “3-6-9”

Më: 31 mars 2018 Në ora: 15:40
Qeveria e Maqedonise

U rrumbullakua, të paktën nga aspekti kohor, plani për zbatimin e reformave i njohur si Plani 3-6-9. Nga Qeveria komunikuan se plani rrumbullakohet në kohë dhe përshpejton procesin e integrimeve në BE dhe NATO. Megjithatë këtu llogaritet vetëm procedura e kalimit të pikave të planit në Qeveri, por jo edhe zbatimi i tyre në praktikë.

Pjesa më e madhe e aktiviteteve që kanë qenë kompetencë e Qeverisë janë plotësuar. Ka mbetur vetëm të përfundojë procedura parlamentare për propozim ndryshimet dhe plotësimet e fundit për disa ligje, gjë që pritet të përmbyllet nga mesi i muajit të ardhshëm – thuhet në kumtesën e Qeverisë.

Nga ekzekutivi theksojnë se prioritet bazë ka qenë sigurimi i kushteve për një parlamentar funksional demokratik; reformat në gjyqësor; reformat në media; lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit; reformat në administratën publike; reformat në shërbimet e sigurisë; ndryshimet për zbatim të zgjedhjeve të drejta dhe demokratike sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR dhe organizatave të tjera relevante si dhe vendosja e raporteve të mira me Presidentin e vendit.

Megjithatë, shumë nga këto çështje, janë peng i vullnetit të VMRO-DPMNE-së në Kuvend, aty ku kjo parti vazhdon të mos marrë pjesë. Ligji për media nuk është miratuar, ashtu siç nuk janë miratuar ligjet për ndjekjen e telekomunikimeve dhe ai për krijimin e Agjencisë Teknike Operative. Pezull kanë mbetur edhe ndryshimet e paralajmëruara në Kodin Zgjedhor dhe në KSHZ. Presidenti nga ana tjetër, për të cilin nga Qeveria thonë se kanë konsoliduar raportet, bllokon ligjin për përdorimin e gjuhëve.

Në periudhën e ardhshme, menjëherë pas miratimit të propozim ligjeve të fundit në Kuvend, Qeveria do të bëjë përmbledhje të rezultateve të këtij procesi, për të cilat opinioni do të njoftohet detalisht – thuhet në kumtesë. 

Plani 3-6-9 fillimi u prezantua më 5 korrik të vitit 2017, një muaj pasi filloi me punë Qeveria e re. Ai ishte rezultat i konkluzioneve nga raportet e ekspertit Rejnhard Pribe dhe bisedimet e Përzhinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat