Zendeli: Duhet aktakuzë e re dhe prokuror i ri për rastin e Almirit

Maqedonia

Zendeli: Duhet aktakuzë e re dhe prokuror i ri për rastin e Almirit

Më: 25 mars 2018 Në ora: 18:25
Seanca per Almir Aliun

Njohësit e së drejtës penale vlerësojnë se rasti për vrasjen e Almir Aliut duhet filluar nga e para, me një prokuror dhe akt-akuzë të re. Kjo është kahja në të cilën duhet ndjekur ky proces.

Profesoresha e së drejtës penale Arta Bilalli Zendeli thotë se në bazë të ligjit për prokurori publike, kryeprokurori Jovevski ka të drejtë të zëvendësoj Suzana Kusigerskën dhe të emërojë prokuror të ri për këtë rast, dhe në bazë të kësaj të përpilohet aktakuza e re, e cila në bazë të provave të paraqitura të palës mbrojtëse lëndë me kualifikim “vrasje” dhe e jo “Aksident trafiku”.

“Këtu mendoj më së mirë do të jetë që të vetëdijesohet në një farë mënyre kryeprokurori publik i RM-së, dhe të tërhiqet dhe distancohet nga deklaratat dhe veprimet e tij të deritanishme aq pro kriminaliteti që e mori në këtë rast gjë e cila nuk priteshe nga ai dhe ligjërisht të merr lëndën dhe t’ja dërgojë një prokurorie tjetër dhe vetëm atëherë mund të kemi që të filloj nga e para dhe normalisht të merren parasysh të gjitha provat dhe faktet të cilat ndikojnë në mënyrën se si do përpilohet një aktakuzë. Çështje mjaft diskutabile është vonesa e ekspertizës mjeko-ligjore në këtë rast, ekspertiza është e vonuar dhe është dërguar pasi që është përpiluar aktakuza gjë e cila akoma më shumë e ka favorizuar të pandehurin dhe normalisht shkon në dëm të ndarjes së drejtësisë në RM” – u shpreh profesoresha e të drejtës penale, Arta Bilalli Zendeli.

Zendeli konstaton se rikualifikimi i lëndës fare nuk është bërë në përputhje me gjendjen reale. Ajo konstaton se janë bërë shumë shkelje flagrante dhe për këtë arsye vlerëson se për rastin e Almirit duhet ngritur edhe procedurë për veprimet e prokurores Kusigerska.

“Në qoftë se konstatohet se një prokuror nuk ka punuar në bazë të rregullave dhe njohurive profesionale ajo është edhe bazë për shkarkimin e prokurorit, mirëpo këtu te ne, raste te këtilla në praktik fatkeqësisht ka shumë pak. Në vendet me sistem të mirëfilltë të drejtësisë çështja më normale është që prokurori publik të shkarkohet për arsyeje profesionale, e jo për arsyeje politike dhe në këtë rast vjen jashtëzakonisht në shprehje mos profesionalizimi i prokurorit që mund të jetë i qëllimshëm por mund të jetë edhe i pa qëllimshëm, nuk dua që të ndërhy aty” – tha profesoresha e të drejtës penale, Arta Bilalli Zendeli.

Nga rikualifikimi i lëndës nga” vrasje me paramendim ” në “vepër “aksident trafiku” u distancuan 4 prokurorët shqiptar në prokurorinë Republikane. Fjalët përfundimtare për këtë rast janë caktuar më 2 dhe 4 prill.

Avokatët e familjes së Almir Aliut kërkuan monitorim ndërkombëtar nga përfaqësuesit e lartë të ambasadave të huaja në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat