Visar Ganiu: Komuna ka ndarë buxhet për realizimin e projekteve

Maqedonia

Visar Ganiu: Komuna ka ndarë buxhet për realizimin e projekteve

Më: 18 shkurt 2018 Në ora: 15:34
Visar Ganiu

Pas mbarimit të zgjedhjeve lokale, shumë kryetar të komunave me shumicë shqiptare per shkak të mos formimit në kohë të këshillave komunale, patën vonesa në miratimin e buxhetit.
 
Kjo gjë  padyshim që ka pamundësuar fillimin me punë  dhe veprimit në terren me kohë. Në mesin e komunave që janë përballur me këtë problematikë është edhe komuna e Cairit.
 
Kreu i kësaj komune Visar Ganiu, për TVM2 thotë se pas miratimit së buxhetit shumë shpejt do të fillojë  me realizimin e projekteve të planifikuara në programin e tij të cilat presin dritë jeshile gati 3 muaj të plota.
 
Ganiu thotë se komuna ka ndarë buxhet për ti realizuar të gjitha projektet që janë pjesë e programit të tij.
 
Si projekte më prioritare përmendi parkingjet, ndërtimin e rrethrotullimeve, pishinës dhe palestrave sportive nëpër shkollat fillore.  
 
“Kuptohet jemi të afatizuar me kohë dhe disa projekte mund ti realizjmë më shpejtë. Kështu që tash jemi duke e bërë projektin për parkingjet në komunën e Çairit. Gjithashtu, edhe pse kemi avancuar shumë në cilësinë e pastrimit dhe mirëmbajtjes së higjienës këtu në komunë, kuptohet që në të ardhmen kemi edhe disa projekte tjera ku janë planifikuar të rregullohet një pishinë në një nga shkollat fillore në Çair, palestra sportive, gjithashtu rrethrotullime e kështu me rradhë”, shprehet kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu. 
 
Ganiu thekson se krahas projekteve që parashihen të realizohen me mjete të komunës, shumë nga  projektet kapitale do të realizohen në bashkëpunim me qytetin e Shkupit dhe Qeverinë. 
 
“Me qeverinë e bëjmë një çerdhe në komunën e Çairit dhe gjithashtu kanalizimin apo infrastrukturën në lagjen Serava, ndërsa me Qytetin e Shkupit kemi disa rethrotullime që i kemi paraparë, ato janë dy apo tre që do ti realizojmë në këtë vit, varësisht prej arritjes që ta kompletojmë dokumentacionin. Gjithashtu është një projekt i madh që tash fillon edhe me ndërtimin e tregut të gjelbërt në Bit Pazar”, shprehet kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.  
 
Kreu i Komunës Çair Visar Ganiu, potencoi se pikënisja për fillimin e punës në terren dhe realizimi i projekteve do të jetë muaji mars.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat