Gjykata Administrative ka hedhur poshtë 11 padi, 10 të VMRO-DPMNE-së dhe 1 të partisë TMRO

Maqedonia

Gjykata Administrative ka hedhur poshtë 11 padi, 10 të VMRO-DPMNE-së dhe 1 të partisë TMRO

Më: 23 tetor 2017 Në ora: 20:28
Ilustrim

Gjykata Administrative ka hedhur poshtë 11 padi, 10 të VMRO-DPMNE-së dhe 1 të partisë TMRO të ngritura për vendimet e KSHZ-së për parregullsitë zgjedhore më 15 tetor. Vendimet për paditë tjera pritet të publikohen gjatë orëve në vijim e që gjithsej janë 28 të parashtruara nga ana e partive politike VMRO-DPMNE, TMRO, “Aleanca për shqiptarët” dhe “E Majta”.

Këto padi erdhën si rezultat i vendimit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor i cili ditë më parë hodhi poshtë ankesat e partive në fjalë për parregullsi zgjedhore. Partia e cila ka parashtruar më shumë padi deri të Gjykata Administrative ka qenë VMRO-DPMNE-ja edhe atë 24 padi. Partia TMRO ka parashtruar dy padi, ndërkaq “Aleanca për Shqiptarët” dhe “E Majta” nga një padi. Nga partia e Gruevskit, më herët gjatë ditës thanë se presin që kjo Gjykatë të pranojë secilën padi të tyre.

Ndryshe, Gjykata Administrative ka afat prej 48 orësh nga parashtrimi i padive për t’i shqyrtuar të njëjtat, ndërkaq pas shqyrtimit kjo Gjykatë ka afat 24 orë për të publikuar vendimet e marra. Pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale, deri në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve u parashtruan gjithsej 46 ankesa nga ana e partive politike, ku 43 ishin nga ana e VMRO-së dhe tre ankesat tjera nga Aleanca, E Majta dhe nga partia TMRO. KSHZ hodhi poshtë të gjitha ankesat e parashtruara nga këto parti, që bëri partitë politike të kundërshtojnë vendimin e KSHZ-së përmes padisë në Gjykatën Administrative.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat