“Maqedonia është duke hapur një kapitull të ri me ardhmëri evropiane”

Maqedonia

“Maqedonia është duke hapur një kapitull të ri me ardhmëri evropiane”

Më: 20 qershor 2017 Në ora: 16:49
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev

Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, duke theksuar se mbështesin anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe NATO, tha se “Duam që Maqedonia së pari të anëtarësohet në NATO, ndërsa pastaj në BE”.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, zhvilloi një takim me homologun e tij bullgar Bojko Borisov, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në kryeqytetin e Bullgarisë, Sofje.

Në konferencë e përbashkët për shtyp, Zaev njoftoi se më 2 gusht me Bullgarinë do të nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi për miqësi dhe bashkëpunim.

Ai duke treguar se memorandumin do ta nënshkruajnë në Shkup, tha se “Maqedonia, duke e mbyllur kapitullin e nacionalizmit dhe urrejtjes të historisë së saj, është duke hapur një kapitull të ri me ardhmëri evropiane”.

Zaev duke e vlerësuar vizitën e tij në Bullgari si “historike” u shpreh se, “Fqinji ynë i parë është duke e zgjatur dorën për ndihmë dhe mbështetje për integrimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe NATO. Në takimin tonë bilateral, trajtuam këtë çështje të ndihmës që mund të jepet nga Bullgaria në procesin tonë të integrimit. Ka mbetur shumë pak për nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit”.

Zaev gjithashtu njoftoi se, me ndihmën e kryetarëve të komunës së kryeqyteteve të të dyja vendeve, në Sofje një rrugë do të emërtohet me emrin e ish-presidentit të Maqedonisë Boris Trajkovski, ndërsa në Shkup një rrugë do të emërtohet sipas emrit të ish-presidentit të Bullgarisë, Zhelju Zhelev, raporton Anadolu Agency.

Ndërsa kryeministri bullgar Borisov, theksoi se janë duke e mbështetur integritetin kombëtar dhe territorial të Maqedonisë. “Jemi duke e mbështetur anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe NATO. Nuk ka ndonjë popull më afër. Duam që Maqedonia së pari të anëtarësohet në NATO, ndërsa pastaj në BE”, u shpreh Borisov, shkruan AA.

Borisov tërhoqi vëmendjen se rruga e cila shkon në BE dhe NATO kalon nga “stabiliteti i brendshëm politik”.

Ai më tej duke shprehur kënaqësinë nga paqja në kufirin e përbashkët mes vendit të tij dhe Maqedonisë tha se, “Para Maqedonisë gjendet një shans historik që qytetarët e saj të ndjehen mirë”.

Zaev në kuadër të takimeve të tij në Bullgari u takua edhe me presidentin bullgar, Rumen Radev.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat