Takime bilaterale të Dimitrievit në Vjenë – kriza politike të përfundojë me zgjedhjet

Maqedonia

Takime bilaterale të Dimitrievit në Vjenë – kriza politike të përfundojë me zgjedhjet

Më: 25 shtator 2016 Në ora: 15:40
Foto

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Emil Dimitriev, në margjinat e Samitit “Migrimi në shtegun Ballkanik”, i cili u mbajt në Vjenë, ka realizuar takime të shumta dypalëshe me një pjesë të liderëve të pranishëm evropianë.

Dimitriev është takuar me kancelarin austriak Kristian Kern, i cili ishte nikoqir i Samitit, si dhe me kryeministrat e Hungarisë, Viktor Orban, të Sllovenisë, Miro Cerar dhe të Kroacisë, Tihomir Oreshkoviq.

Sipas informatave nga këto takime, krahas temës kryesore – migrimi, i cili ishte edhe qëllimi i Samitit të djeshëm në Vjenë, po ashtu u bisedua edhe për përparimin e marrëdhënieve edhe ashtu të mira që Maqeodania i ka me Austrinë, Hungarinë, Slloveninë dhe Kroacinë.

Pikërisht nga këto katër vende, anëtare të Bashkimit Evropian, Maqedonia mori përkrahjen më të madhe në ballafaqimin me krizën e refugjatëve, ndërsa të njëjtat në mënyrë standarde japin përkrahje dhe insistojnë në integrim të shpejtë të Maqedonisë ë BE.

“Me të gjithë kolegët nga vendet-anëtare të BE-së me të cilët u takova, është shprehur përkrahje e padyshimtë për anëtarësimin tonë në BE. Po ashtu, ata na japin përkrahje edhe në ballafaqimin me emigrantët dhe presin që kriza politike në Maqedoni të përfundojë me mbajtjen e zgjedhjeve në dhjetor. Sipas tyre, në situatë të krizës së emigrantëve, Maqedonia me një Qeveri të qëndrueshme do të mund në mënyrë më cilësore të ballafaqohet me sfidat dhe do të jetë partner i besueshëm i BE”, ka thënë Dimitriev pas takimeve në Vjenë.

Ndryshe, në Samitin e djeshëm në Vjenë, ku të pranishëm ishin dhjetë shefa të shteteve dhe qeverive të vendeve përgjatë shtegut perëndimor ballkanik të emigrantëve, ishte e pranishme edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, me ç’rast është arritur marrëveshje që të shtegu në të cilin vend qendror ka Republika e Maqedonisë, të mbetet tërësisht i mbyllur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat