Sot mbahet Forumi për Investime dhe Tregti në Vjenë

Ekonomi

Sot mbahet Forumi për Investime dhe Tregti në Vjenë

Më: 6 qershor 2016 Në ora: 07:30
Ilustrim

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me Odën Austriake Federale në Vjenë si dhe me mbështetjen e Ambasadës së Kosovës në kryeqytetin austriak do të organizojnë sot në Vjenë, Forumin për Investime dhe Tregti.

Forumi do të mbahet në ambientet e Odës Austriake në Vjenë, ndërsa pjesëmarrës nga Kosova pritet të jenë përfaqësues të lartë të ministrive dhe të resorëve të ndryshëm.

Parashihet që forumi të jetë i ndarë në dy sesione: atë të fjalimeve dhe sesionin e takimeve.

Në sesionin e parë, zv/presidenti i Odes Federale do të mbajë një fjalë rasti, e më pas do të flas ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, e cila njëherësh është dhe organizatore e këtij eventi përmes KIESA-s.

Në konferencë do të jenë të pranishëm edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci dhe ai i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural , Memli Krasniqi.

Ndërsa në sesionin e dytë të forumit është paraparë që të zhvillohen takime direkte ndërmjet KIESA-s dhe bizneseve nga Austria, me ç’rast bizneset nga shteti nikoqir do të kenë rastin të njoftohen në lidhje me mundësitë që i ofron Kosova për investitorët e huaj.

Pjesëmarrjen në këtë forum e kanë konfirmuar mbi 40 kompani austriake të cilat kanë shprehur interesim që të kenë takime të ndara me ministrat dhe kompanitë pjesëmarrëse nga Kosova.

Ndërsa, nga Kosova një delegacion i përberë prej 20 bizneseve së bashku me Odën Ekonomike të Kosovës të cilat gjatë asaj periudhe do të qëndrojnë në Vjenë kanë shprehur interesim që të marrin pjesë në forum dhe të njëjtën kohe të realizojnë takime B2B me bizneset nga Austria.

Në ditën e dytë ministrja e MTI-së, Hykmete Bajrami dhe drejtori i KIESA-s, Besian Mustafa do të vizitojnë biznese të ndryshme e veçmas ato të diasporës në Austri.

MTI/KIESA, do të vazhdojë të organizojë forume dhe konferenca të ngjashme me qëllim të promovimit të investimeve, njëherësh me qëllim të tërheqjes së investimeve të huaja dhe atyre nga diaspora.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat