Infrastruktura në Çair, banorët kritika të ashpra autoriteteve

Maqedonia

Infrastruktura në Çair, banorët kritika të ashpra autoriteteve

Më: 1 dhjetor 2015 Në ora: 20:56

Banorët e Komunës së Çairit, konkretisht të rrugëve “Resenska”, “Pavle Iliç”, “Strumiçka” “Emin Duraku” dhe shumë të tjera shprehën të revoltuar për dëmtimin e rrugëve dhe mos asfaltimin e tyre. Qytetarët thonë se pasojat më të rënda i ndjejnë vozitësit e makinave të cilët brenda një muaji detyrohen që disa herë të riparojnë makinat ose bëjnë ndërrimin e gomave. Madje taksi vozitësit thonë se për çdo vit paguajnë nga 50 euro për rrugët publike dhe sërish ballafaqohen me gropa nëpër rrugë.
“Çdo ditë po i riparojmë makinat, ta shohësh at rrugën tjetër është edhe më keq. Deri tash dy ose tre herë e kam ndërru pjesën e përparme të makinës”.

“A po e shihni sa keq janë rrugët, nga 3300 denarë paguaj çdo vjet për “Javni Patishta” edhe shihni rrugët qysh janë, veturat katastrofë i kemi. Rrugët janë katastrofë kudo që të shkosh, si në Seravë, si në Gazi Babë, sidomos Dizhonska dhe Gazi Baba. Le të merr masa kjo komunë, për atë edhe e kemi votu komunën”.

“Këtu prapë është pak më mirë, por rrugët në Gazi Babë, Vizbeg dhe Seravë janë shumë të vështira për punën tonë. Tash i kam vendosur gomat e dimrit, por po shpërthehen shumë shpesh”.
Ndërkohë disa nga qytetarët në moshë thonë se rrugët janë ndërtuar në kohën e Tito-s, dhe nuk janë rindërtuar asnjëherë.

“Këto janë rrugët e 100 vjetëve.Kjo rrugë është ndërtu në kohën e Tito-s, tash shpresojmë ti ndërtojnë kryetarët tonë”.
“Kurrfarë rrugë, para ndërtesës tonë gropat janë të radhitura njëra pas tjetrës...Ka shumë gropa të mëdha, kur lëvizim me makina duket se po i thyejmë të gjithë amortizatorët”.

Nga komuna e Çairit thonë se po në këtë pjesë janë asfaltuar dhe arnuar disa rrugë, ndërsa për të tjerat është shpallur ankand publik ndërsa punimet pritet të fillojnë pranverën e vitit të ardhshëm.
“Në fakt, në Çair të vjetër, atje kemi asfaltua disa rrugë, nji rrugë është asfaltuar komplet, disa arnime kemi bërë. Për momentin kemi shpallur edhe ankand në furnizim publik për asfaltim, besoj që për një muaj do të mbaroj, do të zgjidhet firma e cila do të duhet të punojë. Pastaj në sezonin e asfaltimit, nga mesi ose fundi i muajit mars do të fillojmë me asfaltim si dhe arnime të rrugëve”, deklaroi Xhengiz Hani, udhëheqës i sektorit për urbanizëm.

Nga komuna ndërkohë bën të ditur se për vitin 2016 pritet të realizohen disa projekte infrastrukturore. Sipas Hanit në lagjen Seravë fillimisht do të bëhet instalimi i rrjetit të ujësjellësit dhe më pas asfaltimi i rrugove ndërkohë shumë shpejtë do të nis edhe zgjerimi i bulevardit Hristijan Todorovski Karposh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat