Maqedonia merr kredi për rroga dhe pensione: Por a do funksionojë ky skenar qeveritar?

Maqedonia

Maqedonia merr kredi për rroga dhe pensione: Por a do funksionojë ky skenar qeveritar?

Më: 30 nëntor 2015 Në ora: 01:22

Maqedonia nuk është hera e parë që ka marrë kredi të dyshimta për të ruajtur gjendjen stabile të dhënieve të rrogave, pensioneve dhe kompensime sociale më të larta. Së fundi qeveria ka kërkuar hua të re prej 270 milion euro, por ekonomistët shfaqen skeptikë mbi mbulimet e mundshme të premtimeve me anë të kësaj shume. Vetë ministri i financave Zoran Stavreski publikoi se nga kreditorët e vendit kërkohet hua e re prej 100 milionë euro, vetëm tre ditë pas marrjes së huas jashtë vendit. Mos përmendim këtu edhe veton e zëvendësministrit plotësues nga radhët e SDSM-së – Kire Naumov.

Еkonomistët kërkojnë që të ndërpritet marrja e të gjitha huave të panevojshme

Vetëm tre ditë pasi ministri për financa, Stavreski, theksoi se qytetarët duhet të jenë të qetë për shkak se me marrjen e huas jashtë vendit janë siguruar para për pagesën e rregullt të rrogave dhe të pensioneve, ministria publikoi se kërkon hua të re prej 100 milionë eurosh. Edhe pse ky huazim e mori veton e parë nga ana e zëvendësministrit plotësues, Kire Naumov, megjithatë një pjesë e analistëve vlerësojnë se ky është sinjal se ka probleme në arkën buxhetore.

“Në këtë rast, Maqedonia merr hua për nevojat e VMRO-DPMNE-së dhe kjo është e qartë, vijnë zgjedhjet dhe duhet të blihen votat, politika ka ardhur majë të thikës, ose unë ose ti, opsioni tashmë nuk është Maqedonia, por ose VMRO-DPMNE-ja ose LSDM-ja dhe humbës do të jenë qytetarët, gjegjësisht fëmijët të cilët akoma nuk na kanë lindur. Kjo do të thotë se këto hua do t’i kthejnë gjeneratat e ardhshme. Politika e egocentrizmit është gjë e vjetër, rivaliteti është shumë i madh, ndërsa kurthi në të cilin u fut Gruevski, financiarisht do ta ngarkojë shumë Maqedoninë. Prandaj, mendoj, gjegjësisht apeloj, që të pengohet në çfarëdo mënyre, madje edhe fizike nëse ka nevojë, çdo marrje e re e huasë. Neve na duhet Maqedonia, ndërsa Maqedonia e ngarkuar me borxhe, tashmë është shitur”, thotë analisti, Zoran Vitanov.

Kundrejt paralajmërimeve të këtilla, ministri për financa, duke iu referuar matjeve të Eurostatit, thotë se vendi mbetet në grupin e shteteve me nivel më të ulët të borxhit.

“Të dhënat e Eurostatit janë më autoritative për vlerësimin e ngarkesës së vendit me borxh dhe sipas tyre, Maqedonia është vendi i katërt më pak i ngarkuar me borxh në Evropë. Ky është fakt që tregon se qeveria me politikat e deritanishme ekonomike sillet me shumë përgjegjësi ndaj gjeneratave të ardhshme. Është me rëndësi që Republika e Maqedonisë si ekonomi e vogël të mos ketë nivel të lartë të ngarkesës me borxh, gjegjësisht të mbetet në zonën e ngarkesës së ulët deri mesatare me borxh”, deklaroi ministri Stavreski.

Përpjekja për marrje të re të huas nga burime vendore prej 100 milionë eurosh, është dëshmi se arka shtetërore është e zbrazët, u përgjigjën nga LSDM-ja, të cilët thonë se çdo marrje të ardhshme të huas ministri për financa nuk do të mund ta realizojë pa pëlqimin e zëvendësministrit plotësues, me marrëveshje të përbashkët për lartësinë e huas, kamatën dhe afatin e kthimit.

“Marrja e re e huas që u paralajmërua është dëshmi se arka shtetërore është e zbrazët dhe e varur nga huazimet e reja. Kjo marrje e re e huas është dëshmi se është rrezikuar pagesa e rrogave dhe e pensioneve, deri në atë shkallë sa që arka shtetërore ka ardhur në atë gjendje sa nuk mund t’i presë mjetet nga eurokambiali që duhet të jenë operative brenda disa ditëve”, thonë nga LSDM-ja.

Një pjesë e ekonomistëve alarmojnë – çdo marrje e re e huas është e rrezikshme për ekonominë

“Marrjet e huave nuk kanë asnjë arsyetim racional, nuk ka asnjë nevojë për atë hua, as populli e as shteti, e gjithë kjo është për nevojat e pesë, gjashtë njerëzve që të mbeten në pushtet. Për shkak të mosdijes, votuesi maqedonas paguan çmim tepër të lartë. Në vend që të rriten rroga, pensionet, ne njëherë sinqerisht duhet të themi se në administratë duhet të largohen nga puna 200 mijë njerëz, unë do të votoja për atë politikan, që është i sinqertë. Mirëpo, unë këtë sinqeritet nuk e shoh në asnjë opsion politik. Ne duhet të kemi politikanë të ndershëm dhe të guximshëm, të cilët qytetarëve do t’u tregojnë se shteti më nuk është social, por se është shumë i ngarkuar me borxhe dhe se duhet të kujdesemi që të mbijetojë populli dhe se duhet t’i largojmë nga puna të gjithë ato “shkaba” që janë punësuar sipas çelësit etnik apo partiak, që marrin para nga buxheti e nuk shkojnë në punë. Më falni, mirëpo kjo është çmenduri dhe ne jemi për në sanatorium. Kjo nuk është çështje për ekonomistët, por për psikologët”, thotë analisti Vitanov.

Nevoja për marrje të reja të huave është pasojë e premtimeve të shtrenjta që në mes të krizës politike i bëri pushteti aktual, vlerësojnë ekonomistët.

“Qeveria as që ka para, e as që krijon para. Qeveria, gjegjësisht kryeministri, kur paralajmëron rritje të të gjitha llojeve të shpenzimeve nga buxheti, në fakt paralajmëron se ato do t’i marrë prej disa qytetarëve dhe do t’ua japë qytetarëve të tjerë. Jemi dëshmitarë për menaxhimin e keq të financave publike, gjegjësisht të buxheteve të Maqedonisë. Nëse diku jepet, kjo do të thotë se prej diku ajo duhet të merret, e në qoftë se atje prej ku duhet të merret nuk ka para, atëherë duhet të merret hua, brenda vendit ose nga burime të jashtme. Mënyrë tjetër për mbulimin e rrogave, ndihmave sociale dhe bursave më të larta – nuk ka”, thotë njëri nga ish-ministrat për financa, Xhevdet Hajredini.

Krijimi i borxheve të reja që të kthehen ato të vjetrat edhe më tepër e përkeqëson gjendjen, thotë Vitanovi

“Sikur të mos merrnim hua, përsëri do të vihej në pikëpyetje pagesa e pensioneve dhe e rrogave për gjithë administratën shtetërore. Mirëpo, ne tashmë jemi në gjendje kritike për shkak se agonia vetëm shtyhet. Futja e problemeve nën tepih nuk është zgjidhje, përkundrazi problemi vetëm shtyhet për më tutje, gjegjësisht zgjidhet me hua të reja, dhe ai bëhet edhe më i pazgjidhshëm në të ardhmen. Prandaj, do ta përsëris, politika e kësaj qeveria i fut në borxh nipat tanë të cilët akoma nuk kanë lindur”.

Falë zëvendësministrit plotësues për financa, Naumov (SDSM), u mundësua pezullimi i huamarrjes megalomane (siç e quajti ai) prej 500 milion euro javën e kaluar./Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat