Të drejtat e shqiptarëve, kryefjala e debatit të sotëm rreth raportit të progresit

Maqedonia

Të drejtat e shqiptarëve, kryefjala e debatit të sotëm rreth raportit të progresit

Më: 24 nëntor 2015 Në ora: 16:56

Megjithë premtimin e partive maqedonase se kërkesa e PDSH-së që lidhej me avancimin e të drejtave të shqiptarëve do të përfshihej në konkluzionet e Komisionit për çështje evropiane, një gjë e tillë nuk ndodhi as sot. Ndërkaq arsyetimi i deputetëve të VMRO-së këtë herë ishte mungesa e koordinatorëve të partive politike në seancë.

“Duhet të lëmë edhe pak hapësirë pasi pjesë e koordinatorëve të partive politike nuk janë këtu dhe do të ishte korrekte që edhe ata në një mbledhje të përbashkët edhe një herë ti diskutojnë konkluzionet dhe me një vendim final të dalin përpara Komisionit. Prandaj kërkoj të mos votohen konkluzionet”, u shpreh Zoran Iliovski, VMRO DPMNE.

Megjithëse opozita shqiptare pranoi shqyrtimin e kësaj pike nga koordinatorët e partive politike, gjithashtu theksoi se nuk do të heq dorë nga propozimi i tyre për pikën që lidhet me avancimin e të drejtave të shqiptarëve sa i përket gjuhës, flamurit, buxhetit etj.
“BDI si klasë politike e kapur nga krimi dhe kriminaliteti nuk i mbron interesat jetike të shqiptarëve, ajo e ka bërë inekzistente Marrëveshjen e Ohrit prandaj PDSH propozon që në kuadër të konkluzonieve të inkorporohet edhe një pikë”, tha Merale Ferati, PDSH.

Deputetja e BDI-së Ermira Mehmeti si pikë më neuralgjike në raportin e progresit gjithashtu cilësoi marrëdhëniet e brishta ndëretnike.

“Disa procese gjyqësore të cilët seriozisht e kanë goditur frymën e bashkëjetesës në vend të adresohen. E them edhe njëherë, tani që kemi prokurore speciale të zgjedhur me një ligj special e cila nuk i përket dhe nuk guxon të bie nën diktatin politik le t’i jap vetes detyrë, që të merret edhe me këto raste gjyqësore kontroverse për të cilat shumëkush ka dilema”, theksoi Ermira Mehmeti, BDI.

Ambasadori i BE-së Aivo Orav, në këtë kuadër ritheksoi nevojën për hetimin e plotë të ngjarjeve të Kumanovës.
“Për sa i përket marrëdhënieve ndëretnike, pamë situatë të komplikuar dhe të brishtë në Kumanovë në maj. Prandaj është i nevojshëm ndërtimi i besimit mes komuniteteve si dhe përfundimi i rishikimit të Marrëveshjes së Ohrit”, deklaroi Aivo Orav, ambasador i BE-së në Shkup.

Zv/kryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi, gjithashtu nënvizoi rëndësinë e hetimit të pavarur të materialeve të përgjuara nga Prokuroria Speciale. LSDM-ja ndërkaq bëri thirrje për zbatimin urgjent të reformave proritare pasi siç tha raporti i Komisionit Evropian nuk është negativ për i turpshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat