‘Monstra’, familjarët ende në pritje

Maqedonia

‘Monstra’, familjarët ende në pritje

Më: 24 nëntor 2015 Në ora: 08:38

Familjarët e të akuzuarve për rastin ‘Monstra’ ende nuk kanë asnjë informacion lidhur me dëshmitë që disa herë përmendi kreu i opozitës, Zoran Zaev, i cili kohë më parë tha se do i dorëzohen gjykatës Speciale, Katica Janevës.

Familjari i Fejzi dhe Haki Azirit, Bedri Ajdari bën të ditur se ende nuk kanë bërë kërkesën për tu takuar me gjykatësen speciale, pasi që deri më tani kishin pritur që të formohet ekipi i saj.

“Ishim në pritje që të formohet ekipi i Janevës dhe kur biseduam më herët ajo na tha që së pari do i takoj prindërit e viktimave. Ne ende nuk e kemi bërë kërkesën mirëpo shpresoj që ajo nuk do të na refuzohet pasi që i bie se gjykatësja favorizon vetëm njërën anë”, tha Ajdari.

Ai shton se gjithashtu Gjykata e Apelit është në heshtje totale.

“Nga Gjykata e Apelit nuk ka asnjë të re, ata janë në heshtje. Frikësohen të marrin vendim shkaku i dëshmive që mund të hapen. Andaj presin, mirëpo kjo pritje u bë shumë e gjatë, vitin e ardhshëm, gjegjësisht me 1 maj bëhen vite zvarritje të procesit, katër vite të familjarëve tanë që të pafajshëm qëndrojnë pas grilave”, thotë Ajdari.

Sipas tij gjendja shëndetësore e të burgosurve është e mirë, mirëpo nuk durohet burgu kur nuk ke bërë asnjë gjë, nuk ke faj.

“Çfarë të them, ata janë mirë me shëndet, mirëpo është torturë të mbash dikë mbyllur për kaq shumë kohë duke mos qenë fajtor. Është shumë e vështirë për ata, mirëpo çfarë të bëjmë kur shteti nuk zbaton drejtësinë”, shtoi Ajdari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat