Misajllovski: Për plazhet në Strugë duhet të vendos vetë komuna

Maqedonia

Misajllovski: Për plazhet në Strugë duhet të vendos vetë komuna

Më: 12 tetor 2015 Në ora: 15:40

Plazhet në Strugë janë nën kompetencë të komunës dhe ajo vendos se çfarë masash do të ndërmarrë, e jo ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Këtë e konfirmoi ministri Vllado Misajllovski. Në pyetjen e Alsat se çka nëse komuna fillon me rrënimin e objekteve në plazhin e Strugës, ministri tha se pushteti është në duart e saj dhe për këtë çështje duhet të vendos vetë komuna e Strugës.
“Realizova takim me kryetarin e komunës dhe biseduam për zgjidhjet e mundshme në të ardhmen. Të gjithë kanë nënshkruar koncesion që është në përputhje me kontratat e tyre. Disave prej tyre kontratat u skadojnë tani dhe të tjerëve në periudhën e ardhshme. Ligji i ri të cilin ne e miratuam në Kuvend, parashikon kohëzgjatje më të madhe të koncesioneve të reja. Kërkesa e pronarëve të plazheve është që të njëjtat të vlejnë edhe për ta dhe këtë jemi duke e shqyrtuar si opsion të mundshëm”, deklaroi Vllado Misajllovski- ministër i Transportit dhe Lidhjeve.
Ndërkohë Gjykata e Strugës në ditët e ardhshme duhet të vendos lidhur me kërkesën koncesionerëve që sërish t’u përcaktohet masa kohore për ndalesë të prishjes së objekteve nga Komuna.
Kryetari i Strugës Ziadin Sela nuk ishte i kapshëm për të dhënë përgjigjet për atë se ku ka mbërritur procedura të cilën ai e paralajmëroi për rrënimin e të gjitha objekteve që nga plazhet e qytetit deri në fshatin Radozhdë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat