Pr/Ligji, ndërkombëtarët: Çështja të shqyrtohet nga grupet punuese

Maqedonia

Pr/Ligji, ndërkombëtarët: Çështja të shqyrtohet nga grupet punuese

Më: 7 tetor 2015 Në ora: 20:01

Ndërmjetësuesit të Komisionit Evropian në grupet punuese, Piter Vanhoute, nuk i intereson mënyra që do të gjejnë partitë, nëse do ta tërheqin ligjin për ndalimin e bombave ose do ta modifikojnë atë. Por, ai shkurt tha se partitë kanë kohë deri më 20 tetor për të paraqitur tekstin e dy ligjeve të reja që kanë të bëjnë për përgjimet dhe atë për mbrojtjen e informatorëve.

“Nuk mund t’ju them dot asgjë për këtë sepse nuk jam në dijeni të fazës në të cilën gjendet ky ligj, por mund t’ju them se ne jemi të angazhuar si grup bisedimesh ta trajtojmë këtë në nivel të grupit të punës së bashku edhe me ligjin për mbrojtjen e informatorëve për t’i dorëzuar të dy ligjet bashkërisht në procedurë parlamentare përpara 20 tetorit. Kjo është marrëveshja brenda grupit të punës dhe ne i përmbahemi asaj”, tha Piter Vanhoutte, Ndërmjetësues i KE-së.

Më herët edhe ambasadorët e SHBA-vë dhe BE-së në vend theksuan se për ligjin që ndalon publikimin e bisedave të përgjuara, duhet të arrihet marrëveshje e re mes 4 partive më të mëdha në vend, deri më 20 tetor.

“Partitë arritën marrëveshje që çështjen për inkriminimin e propozuar ndaj publikimit të informacioneve që janë marrë ilegalisht, ta ngrenë në Grupin e Punës, të shqyrtojnë zgjidhje të mundshme ligjore në paketë me zgjidhjen ligjore për mbrojtjen e të ashtuquajturve “informatorë”, dhe këto çështje t’i zgjidhin para 20 tetorit. Këto ligje hapin çështje serioze në lidhje me lirinë e të shprehurit, të drejtën e qytetarëve për privatësi dhe qeverisjen e mirë, të cilët duhet të adresohen në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Maqedonisë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-ve.
Një marrëveshje e tillë u konfirmua edhe nga ambasadori i BE-së në Shkup, Aivo Orav në një deklaratë për televizionin Tellma.

“Fatkeqësisht nuk u respektua afati që u morën vesh paraprakisht 4 partitë për arritjen e një marrëveshje për rregullativën zgjedhore. Më shumë kohë na u desh të shpenzonim në propozim/ligjin që u dorëzua mbrëmë në Kuvend, megjithatë arritëm marrëveshje që të gjitha partitë, për këtë ligj, bashkë me ligjin për informatorët, të kthehen në Kuvend më 20 tetor. Ky është një veprim i mirë, duke pasur parasysh se ka përparim në negociata për rregullativën zgjedhore. Shpresoj se që deri sonte të arrihet edhe marrëveshja” , deklaroi Aivo Orav, ambasador i BE-së.
Ambasadorët Xhes Bejli dhe Aivo Orav janë të përfshirë drejtpërdrejtë në takimet e grupit punues ndërsa ishin edhe lehtësues të marrëveshjes së 2 Qershorit dhe asaj të 15 korrikut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat