Zaev: Kam përkrahje të fuqishme nga Edi Rama

Maqedonia

Zaev: Kam përkrahje të fuqishme nga Edi Rama

Më: 3 shtator 2015 Në ora: 20:31

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev takoi sot ambasadorin e Shqipërisë në Shkup, Fatos Reka, për të diskutuar për situatën politike në Maqedoni, për sfidat e demokracisë me të cilat përballohet vendi, si dhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit mes Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Zaev e ka informuar ambasadorin Reka për zhvillimin e bisedimeve mes katër partive politike nënshkruese të marrëveshjes së dy dhe 15 qershorit.

“Afatet janë të definuara dhe duhet të respektohen ashtu siç duhet të respektohen edhe detyrimet e marra. Duhet të zgjidhet prokurori special. Presim në kohë sa më të shpejtë që të gjenden zgjidhje të cilat do të jenë në interes të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë” deklaroi lideri i LSDM-së.

Lideri social demokrat, në këtë takim ka theksuar edhe mbështetjen e madhe nga ana e kryetarit të Partisë Socialiste në Shqipëri, Edi Rama, si dhe për bashkëpunimin e ndërsjellë të dy partive socialiste.

"Qytetarët në Maqedoni, pa dallim të përkatësisë kombëtare apo fetare, duan ekonomi më të mirë, arsim më të mirë, shëndetësi më të mirë për të gjithë. Prandaj, Maqedoninë do ta ndërtojmë së bashku si një shoqëri për të gjithë qytetarët”, u shpreh Zaev.

Ambasadori Reka tha se Shqipëria dhe Maqedonia, si shtete fqinje, kanë bashkëpunim bilateral dhe ekonomik që kontribon për bashkëjetesë më të mirë për të gjithë qytetarët.

“Kemi bashkëpunim solid në fushën e ekonomisë dhe presim që kjo të thellohet në të ardhmen”, u shpreh Reka./INA/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat