4 mijë nxënës mbeten pa u regjistruar në shkolla të mesme!

Maqedonia

4 mijë nxënës mbeten pa u regjistruar në shkolla të mesme!

Më: 26 gusht 2015 Në ora: 23:53

Edhe pas përfundimit të afatit të dytë të regjistrimit në shkollat e mesme, vende të lira për gjysmë maturantët ka thuajse nëpër të gjitha shkollat profesionale. Ndihmës drejtori i Shkollës së Mesme “Dimitar Vllahov” Ramiz Nuhishi thotë se në shkollën e tij në paralelet me mësim në gjuhën shqipe ka edhe 26 vende të lira edhe atë në drejtimin teknik kozmetikë dhe manikyr pediker. Nuhishi u apeloi prindërve shqiptarë që më mirë të regjistrojnë fëmijët e tyre në drejtimet profesionale ku mësimi zhvillohet në gjuhën amë se sa në gjimnaze në gjuhën maqedonase.
“Për dallim nga viti i kaluar, këtë vit fluksi i nxënësve që janë regjistruar në shkollën tonë ishte më i madh dhe jemi të kënaqur me mbarëvajtjen e regjistrimit. Prej 4 paraleleve të akredituara nga MASH pothuajse janë të plotësuar të gjitha. Iu bëjmë apel prindërve, që të kenë interesim për profesionet që janë me perspektivë në ditët e sotshme, t’i orientojnë fëmijët e tyre në drejtimet profesionale në të gjitha shkollat,” u shpreh Ramiz Nuhishi, ndihmës drejtor i SH.M “Dimitar Vllahov”
“Vende të lira kemi në drejtimin Manikyr Pediker, kemi hapësirë për të pranuar edhe 17 nxënës dhe në drejtimin e kozmetikës kemi hapësirë për të pranuar edhe 9 nxënës, kurse në drejtimin e floktarisë numri është i mbushur. Nuk ja vlen të mësohet në gjuhë tjetër derisa ka shkolla profesionale, drejtime të mira për vetë nxënësit të cilët pas kryerjes së shkollës mund të punësohen ose të krijojnë biznese të tyre,” deklaroi Rexhep Saliasi, profesor në SH.M “Dimitar Vllahov”
Ndërkohë në Shkollën e Mesme të Bujqësisë “Vëllezërit Milladinovci” nga 7 paralele me mësim në gjuhën shqipe, pothuajse asnjëra nuk është plotësuar. Përgjegjësi i këtyre paraleleve Bunjamin Memeti thotë se në shkollën e tij ka edhe 120 vende të lira.

“Afati i dytë nuk ishte edhe aq i mirë për ne, na mungojnë nxënës, kemi paralele të zbrazura d.m.th në drejtimin profesional prej 5 paraleleve që janë 2 veterinë, 2 teknikë për hortikulturë dhe 1 është bujqësi e përgjithshme prej këtyre vetëm drejtimi teknikë për Hortikulturë është plotësuar, por 4 paralelet tjera janë të zbrazura. Dyert i kemi të hapura prej sot e deri më 31 Gushtë, i pranojmë me dëshirë të gjithë nxënësit,” u shpreh Bunjamin Memeti, përgjegjës për paralelet shqipe SH.M “Vëllezërit Milladinovci”
Sipas të dhënave të MASH edhe pas afatit të dytë pa regjistruar kanë mbetur edhe 3 mijë e 999 gjysmë maturantë. Nga ky dikaster njoftojnë se për këto nxënës ka edhe 17 mijë e 464 vende të lira, prej të cilave 11 mijë e 749 të rezervuara për paralelet me mësim në gjuhën maqedonase dhe 4 mijë e 958 për paralelet shqip. Shkollat e mesme të cilat gjatë dy afateve nuk kanë plotësuar vendet e lira, mund të vazhdojnë të pranojnë dokumente deri më datë 27 gusht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat