Xhemaili: Jemi 24 orë pranë popullatës, nesër dhe pasnesër Ditë zie në Tetovë

Maqedonia

Xhemaili: Jemi 24 orë pranë popullatës, nesër dhe pasnesër Ditë zie në Tetovë

Më: 4 gusht 2015 Në ora: 11:53

Në Tetovë ka filluar që të angazhohen të gjitha institucionet për të menaxhuar gjendjen e rëndë që ka prekur shumë vendbanime të këtij qyteti me rrethinë. Kështu bëri të ditur për Zhurnal, kryetari i Këshillit të komunës së Tetovës, Hisen Xhemaili.

Sipas tij, sot ka mbajtur mbledhje Këshilli i emergjencës i cili ka vendosur që urgjentisht banorëve të rrezikuar t’iu sigurohet ujë i pijshëm, ushqim i sigurt dhe medikamente.

“Jemi duke angazhuar maksimalisht që banorëve shqiptarë t’u dalim në ndihmë. Në mbledhjen e sotme të Këshillit të emergjencës hartuam planin se si popullatës së rrezikuar t’iu sigurohet ujë i pijshëm, ushqime dhe medikamente”, deklaroi për Zhurnal Hisen Xhemaili.

Ai thekson se në këtë Këshill ku marrin pjesë edhe përfaqësues të Armatës së Republikës së Maqedonisë (ARM), Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Komunës së Tetovës, biznesmenë dhe autoritete tjera është hartuar plani për të vepruar konkretisht për të zbutur gjendjen e rëndë të banorëve shqiptarë nga Tetova dhe rrethina.

Xhemaili informoi se për çdo viktimë që humbi jetën në Tetovë, Këshilli komunal ka vendosur që familjarëve të tyre t’iu jep një ndihmë emergjente nga 1.000 euro për person. Po ashtu nesër dhe pasnesër në Tetovë do të shpallet ditë zie.

“Nesër dhe pasnesër vendosëm që në Tetovë të shpallet Ditë zie për të nderuar viktimat e fatkeqësisë natyrore. Këshilli komunal unanimisht vendosi që fillimisht t’iu ndihmojë familjarëve të viktimave me nga 1.000 euro për çdo person që humbi jetën tragjikisht në përmbytjet e djeshme”, tha Xhemaili.

Ai informoi se në teren ka dalë edhe ushtria e cila është në kërkim të një fëmije i cili është shpallur i zhdukur në fshatin Shipkovicë të Tetovës. Mësohet se pasi të gjendet trupi i fëmijës atëherë ushtria do të aktivizon edhe makinerinë për të pastruar rrënojat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat