Gruevski po e sheh shpëtimin edhe tek diaspora

Maqedonia

Gruevski po e sheh shpëtimin edhe tek diaspora

Më: 3 gusht 2015 Në ora: 11:05

Përfshirja e diasporës në zgjedhjet e 24 prillit të 2016 ka nxitur një fushatë aktive nga partia në pushtet, e cila ka 3 deputetët që i fitoi në 3 njësite zgjedhore nëpër botë. Por , pas zërave për heqjen e zgjedhjeve në diasporë, VMRO-DPMNE po bën një propagandë aktive, duke synuar edhe numrin e rritjes së deputetëve në diasporë. Kjo fushatë po zhvillohet përmes një fushate me tone nacionaliste. Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski me rastin e Ilindenit ka kërkuar që të trefishohet numri i deputetëve nga diaspora.

“Porosia e fundit që sot do ta përcillja ju dedikohet partive të tjera. Mos e nënvlerësoni diasporën. Presionet më të reja që vijnë ndaj nesh, në drejtim që të eliminohen deputetët e diasporës për shkak të interesave të imta ditore politike, do ta largojë nga ne këtë strukturë të njerëzve që pa ndërprerë edhe në kohë të mira edhe të vështira, I ndihmon Maqedonisë. Kërkesa përmes akrobacioneve të ndryshme ligjore që vijë puna deri te një ose asnjë deputet nga diaspora, do të dërgojë sinjal të keq të mbështetësit tanë më besnik. Nëse unë pyetem, numri I deputetëve nga diaspora duhet më së paku të trefishohet dhe jo të eliminohen edhe të tanishmit”, deklaroi Gruevski.

Por, kundër këtij fjalimi ka reaguar opozita maqedonase përmes zëdhënësit Petre Shilegov. “Numri i deputetëve nga diaspora nuk ka nevojë të trefishohet, por propozuesi duhet të diagnostifikohet”, ka shkruar Shilegov duke aluduar tek Gruevski. Nga ana tjetër, edhe partitë shqiptare njëzëri janë për heqjen për momentin të votimeve në diasporë, për shkak të manipulimeve të mëdha nga partia maqedonase në pushtet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat