Tensione në degën e BDI-së në Saraj, thellohet rivaliteti mes grupeve të Alitit dhe Bexhetit

Maqedonia

Tensione në degën e BDI-së në Saraj, thellohet rivaliteti mes grupeve të Alitit dhe Bexhetit

Më: 1 gusht 2015 Në ora: 11:34

Në degën e BDI-së në Saraj janë rritur tensionet dhe kjo u shkaktua pas emërimeve të fundit qeveritare, ku janë anashkaluar propozimet dhe nuk ka pasur konsulta me degën e udhëhequr nga Rafis Aliti.

Vetë Aliti ka denoncuar këtë situatë.

“Në këtë drejtim ka pakënaqësi të mëdha në degën e Sarajit. Këto pakënaqësi nuk janë prej sot janë prej më herët për shkak se zëvendëskryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit gjatë kohë anashkalon strukturat e degës, anashkalon organin partiak i cili së paku duhet të njoftohet ose të jep mendimin e vet pavarësisht për kë bëhet fjalë, pavarësisht në çfarë posti ku shënohet”, deklaroi Rafis Haliti, deputet i BDI-së.

Përkrahësit e Alitit kërkojnë shpjegime nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti lidhur me anashkalimin e bërë, për shkak se kandidatët e propozuar nga dega lidhur me emërimet në disa poste kanë kaluar të gjitha filtrat partiake. Por emërimet më pas janë bërë nga propozimet që janë dhënë nga fraksioni i Blerim Bexhetit, ish-ministrit të drejtësisë, i cili gëzon një numër të madh të aktivistëve dhe përkrahësve në rajonin e Sarajit.

Dy fraksionet kanë shtuar rivalitetet midis tyre, derisa kryesia partiake ka heshtur mbi këto tensione që kanë shpërthyer në degë dhe që mund të përfundojnë si në rastin e fundit në degën e Kumanovës, ku zgjedhjet në këtë degë përfunduan tragjikisht me vrasjen e kandidatit për kryetar të degës Xhemail Rexhepi dhe plagosjen e dy përkrahësve të tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat