Maqedoni, nuk ka qetësi për shqiptarët e BDI-së

Maqedonia

Maqedoni, nuk ka qetësi për shqiptarët e BDI-së

Më: 1 gusht 2015 Në ora: 00:16

Paralajmërimet se rivaliteti partiak në radhët e BDI-së sa vjen e përshkallëzohet kësaj radhe vijnë nga degët partiake të komunës së Sarajit dhe të Studeniçanit, të cilat ndodhen në afërsi të Shkupit.

Konkretisht, ato vijnë nga dy personalitete të njohura të BDI-së, Rafiz Haliti, nënkryetar i Kuvendit dhe deputeti i Studeniçanit, Zulfi Adili.

Shkak për këtë reagim të Halitit dhe Adilit ka qenë anashkalimi i degëve partiake në dy zonat e sipërpërmendura gjatë përzgjedhjes së funksionarëve për këto dy komuna.

Haliti dhe Adili akuzojnë kreun e partisë për mos respektim të vullnetit të bazës gjatë përzgjedhjes së përfaqësuesve të BDI-së në institucionet shtetërore. Haliti dhe Adili hapur kanë shprehur dyshimet se dikush i nxit përçarjet brenda BDI-së.

“Nëse dikush pretendon se do realizohen skenare të errëta për një karrike, për një pozicion që dikush të shfryjë epshet e veta, ta dije se ne në këtë grackë ne nuk do të biem për arsye se ne pretendojmë të jemi përfaqësues të denjë të popullit”, ka pohuar për mediat Zulfi Adili.

Sa u përket pakënaqësive në radhët e anëtarësisë së degës së BDI-së në komunën Saraj, ato janë shumë më të hershme. Në tetor të vitit të kaluar ndodhi një incident mes dy anëtarëve të BDI-së në këtë komunë, ku mbetën të plagosur 4 persona.

Ndërsa rreth një javë më parë u përgjak gara për kryetar dege në Kumanovë, ku mbeti i vrarë pretendenti kryesor për këtë post, Xhemail Rexhepi, i njohur si “Komandat Shqiponja”. Për vrasjen e tij dyshohet Bajram Limani, drejtues i përkohshëm i degës partiake, i emëruar në atë postë nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Pa kaluar as disa ditë nga vrasja e “Komandat Shqiponjës”, në Strugë u vra i përzgjedhuri i BDI-së si nëndrejtor i Drejtorisë për të Ardhurat Publike, Argëtim Asani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat