Mjekët e rinjë po e braktisin Maqedonin

Maqedonia

Mjekët e rinjë po e braktisin Maqedonin

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 20:49

Rritet numri i mjekëve që shpërngulen nga Maqedonia. Kështu tregon studimi më i ri i Organizatës ndërkombëtare “HELT Gruper”. Rezultatet tregojnë se situata në Ballkanin Perëndimor është alarmante pasi vendi po humb në mënyrë të vazhdueshme kuadrin e arsimuar mjekësorë. Kjo rrezikon sigurinë dhe shërimin cilësor të pacientëve. Studimi ka zgjatur 1 vit ndërsa është zbatuar në Maqedoni, Shqipëri, Serbi dhe Kosovë.

“Çdo mjek vendos në rend të parë gjendjen ekonomike dhe zhvillimin profesional, mirëpo menjëherë pranë tyre është presioni politik, kjo flet për sistemin, kjo flet për rrethin në të cilin gjendet një mjek i ri i cili mendon për të ndërtuar ardhmërinë e tij”, tha Vlladimir Lazareviq, “HELT Gruper”.

Mbi 80% e mjekëve në Maqedoni janë shprehur se gjendja politike në vend është shumë e rëndësishme për vendimin që marrin mjekët për të lënë vendin.
“Nëse jeni person i përshtatshëm në aspektin politik, mund të keni një ardhmëri të ndritshme në Maqedoni, nëse jeni person i papërshtatshëm në aspektin politik, ju mund të përfundoni edhe në burg”, u shpreh Vlladimir Lazareviq, “HELT Gruper”.

Lazareviq përmendi në këtë kontekst edhe rastin me Dejan Stavriqin. Sipas të dhënave të “HELT Gruper” vetëm në tre vitet e fundit mbi 1780 mjekë nga Maqedonia, Shqipëria, Serbia dhe Kosova janë larguar për të punuar jashtë vendit. Tendenca e tillë është në rritje të vazhdueshme, veçanërisht në mesin e mjekëve të rinj. Në të shumtën e rasteve ata largohen për në Gjermani, Slloveni, Dubai dhe Katar. 65% e mjekëve që janë shpërngulur janë shprehur se nuk mendojnë të kthehen më në vend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat