Vetëm edhe një “bombë” për BDI-në, do ta detyrojë Gruevskin për kompromis

Maqedonia

Vetëm edhe një “bombë” për BDI-në, do ta detyrojë Gruevskin për kompromis

Më: 4 korrik 2015 Në ora: 11:36

A do të thotë kjo se VMRO-ja është më shumë e brengosur për fatin e BDI-së, dhe a do të thotë kjo se nëse publikohet një bombë e re për BDI-në do të arrihet marrëveshje, janë pyetjet që ua parashtruam analistëve

Edhe pse zgjidhje ende nuk është arritur, analistët shqiptarë vlerësojnë se është evidente që pas “bombës 38” procesi negociues për dalje nga kriza ka lëvizur në drejtim pozitiv, me gjasa të mëdha që të arrihet marrëveshje finale jaëvn e ardhshme. Për këtë arsye shumë analistë vlerësojnë se Zaev në fakt ka gabuar që kaq shumë ka vonuar “bombat” për aferat dhe korrupsionin e BDI-së dhe vonë e ka kuptuar se në fakt BDI është “thembra e Akilit” e Gruevskit.

“Zaev publikoi 37 bomba për aferat e VMRO-së dhe nuk pati thuajse asnjë lëvizje nga pozicionet fillestare të Gruevskit. Vetëm pasi u publikua ‘bomba 38’ gjërat erdhën deri aty saqë Gruevski tani pranon të ulet ballë për ballë me Zaevin dhe të thotë se është i gatshëm të tërhiqet tre ose katër muaj para zgjedhjeve të parakohshme. Sipas mendimit tim kjo dëshmon se për Gruevskin është shumë më me rëndësi të mos ketë bomba komprometuese për udhëheqësinë e BDI-së, se sa për njerëzit e VMRO-DPMNE-së. Gruevski hoqi dorë edhe nga kushëriri i tij Mijallkov, edhe nga ish ministrja Gordana Jankullovska, edhe nga Janakievski, mirëpo kur filluan të dalin afera për Ali Ahmetin, Musa Xhaferin, Artan Grubin, e njerëz tjerë të BDI-së, papritmas po tregohet më konstruktiv. Mua kjo më jep të drejtë të dyshoj se interes mbi interesat për Gruevskin dhe VMRO-DPMNE-në është që të mos dëmtohet BDI-ja dhe aferat e kësaj partie të mos dalin para opinionit shqiptar, sepse në momentin që BDI do të humbë te shqiptarët, në të njtin moment edhe VMRO-DPMNE do të humb te maqedonasit dhe do të përgjigjet para gjykatave për aferat që e akuzon opozita”, shprehet analisti Semi Mehmeti, njohës i mirë i raporteve brenda koalicionit në pushtet.

“Për këtë arsye në këtë moment do të ishte e mirëseardhur në këtë moment edhe një bombë e re për aferat e BDI-së, sepse kjo përfundimisht do ta detyronte Gruevskin të bëjë kompromis”, thekson Mehmeti.

Demiri: Të ndërpriten negociatat me kriminelët

Analsiti Alajdin Demiri vlerëson se dekompozimi i bombave të Zaevit në esencë nuk dha asnjë efekt për arsye se ky koncept i pushtetit është diktatorial dhe nuk prodhon efekte të dorëheqjes. Ai megjithatë vëren dallim mes aferave të BDI-së dhe atyre të VMRO-DPMNE-së.

“Por ka një dallim të vogël, dallimi është te pasha e krimit, si duket aty manipulohet me krime më të rënda, dhe manipulohet me emocionet shqiptare, se a thua a do të mund të durojnë një kriminalitet të atillë siç parashihet, pra gjithë këta janë në nivel të spekulimeve”, shprehet Demiri.

Sipas Demirit, ky pushtet nuk e ka ndërmend të dorëhiqet në mënyrë demokratike dhe se marrëveshja mes liderëve është koncept i gabueshëm, sepse negocimi është i pakuptimtë.

“Negociojnë kriminelët, ata që duhej të dënohen me një grup tjetër, dhe kjo është e pakuptimtë dhe asnjëherë nuk do të jep rezultat. Sa i përket bombës për BDI-në, nëse publikohet edhe një e tillë, nuk do të prodhojë efekt sepse tanimë janë publikuar shumë dhe do ta kenë efektin sado pak të njëjtë”, tha analisti Alajdin Demiri.

Ramadani: BDI nuk do të mund t’i shpëtojë proceseve gjyqësore për “bombat”

Ndërkaq ndryshe mendon analisti Ismet Ramadan, i cili tha për “Lajm” se bombat e Zaevit patën efektin e vet për shkak se sipas tij, filluan dilemat në udhëheqësinë e BDI-së.

“Në BDI filloi të dominojë bindja se është momenti i fundit që të lëshohet qeveria, dhe Gruevskin sikur e luhati kjo, se po vijnë momente të cilat do të jenë të vështira. Problemi më i madh për të ka qenë humbja e postit të kryeministrit respektivisht rënia e qeverisë. Bombat e Zaevit edhe VMRO-në edhe BDI-në e vunë në situatë ku patjetër duhet të pranonin kompromisin, ndryshe ku favoret për Zaevit do të ishin edhe më të mëdha”

Nëse do kishte vazhduar publikimi i bombave, thotë Ramadani, sigurisht se Zaevi edhe më shumë do ta përforconte pozicionin e tij, mirëpo sipas tij ky veprim i liderit të LSDM-së sigurisht ka qenë i koordinuar nga faktori ndërkombëtar.

“Tani marrëveshja është shumë afër. Unë mendoj se politikisht deri diku ka ardhur efekti, kjo nuk do të thotë se këto bomba pas formimit të qeverisë nuk do t’i merr prokurori i pavarur. Jam shumë i bindur se partitë e përfshira në bombat e Zaevit, ashtu si edhe BDI-ja, nuk do t’i shpëtojnë proceseve gjyqësore për të dhënë përgjegjësi”, vlerëson ai.

Ndryshe takimi i liderëve i paralajmëruar për të premten, megjithatë nuk u zhvillua. Takim i ri është paralajmëruar për javën e ardhshme.

Jehonë në opinion ka bërë deklarata e kryetarit ët PDSH-së Menduh Thaçi, i cili tha se paralelisht me bisedimet për dalje nga kriza politike u bisedua edhe për çështjen e emrit. Ka disa propozime për të cilat po diskutohet, por si duken ato propozime, këtë gjë duhet ta thotë dikush tjetër, deklaroi Menduh Thaçi, pas takimit të djeshëm me kongresmenin amerikan Eliot Engel.

“Nuk e besoj se do të pritet nga Viktoria Nuland që ta zgjidh krizën, pasi që në atë mënyrë do të devalvohet procesi që u nis nga BE-ja. Besoj se javën e ardhshme do të kemi zgjidhje të krizës. PDSH nuk është e interesuar për qeveri kalimtare, politike, teknike. Ne jemi të interesuar që të marrim pjesë në institucionet e sistemit për të organizuar zgjedhjet e lira dhe demokratike.”, deklaroi Thaçi, deklaratë ndaj të cilës me demant reagoi VMRO-DPMNE-ja.

Para disa kohësh Thaçi deklaroi se ai dhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, euro komisarit Johanes Han ia kanë përcjell idenë se emri i ri i shtetit nuk guxon që të përmbaj prefiks sllav, e as sufiks. Sipas Thaçit, Maqedonia për t`u futur në NATO, duhet që ta ndryshojë emrin, ndërsa emri i ri nuk guxon që të mbaj shenja sllave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat