Migrimi fshat-qytet më i madh në rajonin Verilindor

Maqedonia

Migrimi fshat-qytet më i madh në rajonin Verilindor

Më: 4 korrik 2015 Në ora: 08:11

Banorët e Rajonit verilindor më së shumti zhvendosen nga fshati në qytet, përderisa në Rajonin e Pollogut janë më shumë të përfshira zhvendosjet mes fshatit.

Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikës zakonisht më i madh është numri i zhvendosjeve nga fshati në qytet dhe këtu pjesëmarrje më të madhe ka rajoni Verilindor me 40,8 për qind.

Rajoni i Shkupit, megjithatë, në vazhdimësi tregon bilanc pozitiv të migrimit si te migrimet e brendshme, ashtu edhe te ato të jashtme.

Bilanci i migrimeve të jashtme është më i madh në Rajonin e Shkupit (1012 persona), ndërsa më i vogël në rajonin Jugperëndimor (-86 persona).

Në lidhje me numrin e lindjeve, më shumë foshnja lindin në Rajonin e Shkupit, ndërsa pak më në Rajonin e Vardarit. Qytetet paraprijnë para fshatrave në lidhje me lindjet, gjegjësisht në qytete kanë lindur 13,764 fëmijë kundrejt 9.832 në mjediset e fshatrave.

Mosha mesatare e nënës në qytete arrin 29,1 vjet, ndërsa në fshatra 27,6 vjet. Në qytetet mesatarisht gruaja bëhet nënë në moshën rreth 27,7 vjet, ndërsa në fshatra në moshën 25,2 vjeçare.

Në qytete është i madh numri i personave të vdekur gjegjësisht 11.944 kundrejt 7.774 persona të vdekur në fshatra. Më shumë raste të vdekjes ka në rajonin e Shkupit, ndërsa më pak në rajonin Verilindor. Mosha mesatare e personave të vdekur në rajonet e qytetit arrin 71,8 vjet, ndërsa në fshatra 73 vjet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat