Migrantë të bllokuar në mes Maqedonisë dhe Greqisë

Maqedonia

Migrantë të bllokuar në mes Maqedonisë dhe Greqisë

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 17:27

Vazhdon të rritet fluksi i migrantëve në Maqedoni e me këtë edhe problemet dhe fatkeqësitë e tyre e atyre që ndodhen në territorin tonë. Pas vdekjes së një emigranti i cili la pas fëmijën 13 vjeçar, lindjes së grave shtatzëna në spitalet e Maqedonisë por edhe një mori migrantësh të sëmurë rëndë e të plaçkitur, në zonën e përbashkët kufitarë me Greqinë, qëndrojnë qindra emigrantë të cilët nuk lejohen të hyjnë në Maqedoni.

Këtë fakt e denoncojnë organizatat jo qeveritare në terren. Jasmin Rexhepi nga OJQ “Legis” thotë se personat e bllokuar tashmë disa ditë në kufirin grek janë të sëmurë rëndë dhe të pa ushqyer. Si pasojë e reshjeve të shumta gjatë këtyre ditëve, fjetja në qiell të hapur ua ka vështirësuar edhe më shumë gjendjen.
“Disa herë e kemi vizituar kufirin me Greqinë. Me leje të policisë kemi hyrë deri tek pjesa greke e zonës së përbashkët. Pamë rreth 50 persona që aty qëndronin, kurse mbi 150 kërkonin të hynë në Maqedoni. Duke marrë parasysh se vija kufitare është e gjatë, së bashku me organizatat greke mund të pohojmë se mijëra emigrantëve po presin që të hyjnë në Maqedoni. Ky është një numër shumë i madh. Ata nuk kanë ushqim, ujë, ndihmë mjekësore. Para disa ditësh një vdiq për shkak të kësaj gjendje, një grua lindi fëmijë në Gjevgjeli. Mes atij grupi është edhe nj ë grua tjetër shtatzënë dhe një grua e moshuar në karrocë. Apelojmë deri tek organizatat me mandat apo që kanë marrëdhënie të afërta me pushtetin që të na ndihmojnë ti nxjerrim ato persona të rrezikuar dhe ti marrim në territorin e Maqedonisë për t’iu dhënë trajtimin e duhur mjekësor”, deklaroi Jasmin Rexhepi, OJQ “Legis”.

Ndërkohë nga policia pranojnë faktin se në zonën e përbashkët kufitare janë bllokuar qindra emigrantë në gjendje të rëndë shëndetësore, por thonë se në atë zonë operon policia greke. Zëdhënësi i policisë Ivo Kotevski thotë se ditëve në vijim pritet një valë e re emigrantësh për çka janë marrë masat e nevojshme për kontroll në pikat kufitare. Vetëm dje policia ka ndarë afro 657 vërtetime për emigrantët e sapo hyrë në Maqedoni.

“Gjendja faktike për fat të keq nuk varet nga Maqedonia. Shumë herë kemi thënë se kemi presion në pikën jugore të kufirit tonë. Sipas informatave tona, ky presion do të përforcohet pasi që pala greke nuk po merr masa për ruajtjen e kufirit tashmë një kohë të gjatë e as nuk ka ndonjë zgjidhje efektive në nivel global. Ajo që ne si shtet mund të bëjmë për momentin është që të përforcojmë masat kufitare në bazë të kompetencave zyrtare. Deri tani në bazë të ligjit për kthim, nuk kemi asnjë emigrantë të kthyer nga Serbia” , tha Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së.

Për momentin afro 120 persona vazhdojnë të qëndrojnë në Qendrën për pritje të Gazi Babës. Zyrtarët policor gjatë dy javëve të fundit ka ndarë afro 6 mijë vërtetime për emigrantët që kanë shprehur dëshirën për azil në Maqedoni por asnjë prej tyre pas afatit prej3 ditësh, nuk ka qëndruar në Maqedoni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat