Zaev pajtohet që njëri nga 3 drejtuesit e shtetit të jetë shqiptarë

Maqedonia

Zaev pajtohet që njëri nga 3 drejtuesit e shtetit të jetë shqiptarë

Më: 29 maj 2015 Në ora: 22:58

Në një intervistë për Vizion Plus, kryetari i LSDM-së Zoran Zaev ka pranuar që shqiptarët në Maqedoni të kenë një nga tre postet kryesore të shtetit në Maqedoni, transmeton "Zhurnal".

Cili është vlerësimi juaj mbi krizën aktuale politike në Maqedoni?

Zaev: Ne ndodhemi në një situatë bisedimesh dhe besojmë se me anë të dialogut, është e mundur që të gjehet një zgjidhje për çdo krizë dhe po ashtu edhe për krizën aktuale politike. Ndodhemi në një situatë mjaft delikate sepse të gjitha zhvillimet e katër muajve të fundit, ku opozita ka bërë publike skandalin e përgjimeve, nxjerrin në pah mjaft veprime të paligjshme dhe kriminale të kryera nga ana e qeverisë kundër qytetarëve e kundër shtetit. Kjo jo vetëm e bën situatën delikate, por e rrit po ashtu përgjegjësinë për gjetjen e një zgjidhjeje dhe për normalizimin e vendit tonë. Luftën politike ne po e zhvillojmë për hir të lirisë dhe demokracisë së vendit.

Z.Zaev, keni vertet besim te procesi i bisedimeve që po zhvillohet aktualisht?

Zaev: Dua që të kem besim te ky proces, edhe pse në kuptimin praktik, nuk kemi arsye për të besuar, sepse në të shkuarën kemi zhvilluar mjaft takime, bisedime dhe kemi arritur shumë marrëveshje, por zbatimi praktik i këtyre marrëveshjeve sa vinte e bëhej më i pamundur. Kështu që ne kemi nevojë për garanci nga Bashkimi Evropian dhe duam zbatim praktik të marrëveshjes. Ne nuk duam vetëm marrëveshje në letër ku të gjithë zotohen për atë që biem dakord. Zbatimi praktik është ai që ka më shumë rëndësi.

Aktualisht, ju keni më shumë besim në kontributin e faktorit ndërkombëtar për këtë proces apo te beteja juaj politike?

Zaev: Është gjë e mirë që të kemi miq që na ndihmojnë për procesin, dhe që të luajnë rolin e ndërmjetësuesve apo garantuesve. Por tani, edhe garantuesit më të fuqishëm nuk mjaftojnë për të dhënë garanci mbi procesin në fjalë. Pse? Sepse ne e kemi dëshmuar shpesh që qeveria gjithmonë ka gënjyer dhe tani, vetëm zbatimi në praktikë i asaj për të cilën do të biem dakord, do të ketë rezultate për vendin dhe jo për ne, sepse ky është një proces që synon gjetjen e zgjidhjeve për vendin dhe jo vetëm për pritshmëritë tona.

Z.Zaev, nga ajo që kemi parë deri tani, qëllimi juaj është dorëheqja e z.Gruevski. Mendoni se do ta japë dorëheqjen ai?

Zaev: Qëllimi ynë është që të kemi një qeveri të përkohshme apo kalimtare, që do ta përgatisë vendin për zgjedhje të lira dhe demokratike. Qëllimi i vetëm nuk qëndron vetëm te mbajtja e zgjedhjeve, sepse në të shkuarën kemi parë që çdo zgjedhje është manipuluar nga qeveria. Për shkak të kësaj, duhet të kemi një farë autoriteti, qeverie të përkohshme apo të ndërmerren disa veprime që do të ofrojnë garanci se do të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike. Por ato palë që janë të përfshira në aktivitete të paligjshme dhe kriminale, nuk mund të jenë garantues për këtë. Gruevski ka qenë në krye të këtyre veprimeve të paligjshme që kanë ndodhur në të shkuarën në vendin tonë. Të gjithë ishin dëshmitarë të kësaj gjëje.

Keni thene se se z.Gruevski duhet të dorëhiqet me dinjitet? Çfarë nënkuptoni me kete?

Zaev: Që të marrë një vendim të guximshëm, i cili do t’i japë një mundësi shtetit. Ai është politikan dhe nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe demokratike, atij do t’i jepet një mundësi, sepse ai shpesh përmend mbështetjen e madhe që gëzon mes qytetarëve. Pse ka frikë që zgjedhjet e lira dhe demokratike t’i garantojë një autoritet i pavarur? Pse ka frikë, ndërkohë që këmbëngul se ka mbështetjen e qytetarëve. Në politikë, të gjithë dalin para qytetarëve dhe përpiqen që të fitojnë mbështetjen e tyre, por me anë të zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Një nga pyetjet që shqiptarët jo vetëm në Maqedoni, shtrojnë tani është kjo: “A ndryshon Zoran Zaev nga Gruevski ndaj tyre?”

Zaev:Gjatë gjithë këtyre viteve, qytetarët e kanë humbur besimin te politikanët dhe ne duhet t’i hedhim fjalët tona në zbatim, sepse qytetarët nuk kanë besim te askush tani. Por ata po ashtu duan të votojnë në zgjedhje për t’u dhënë një mundësi politikanëve. Këto momente në të cilat ndodhet vendi ynë tani, janë momente të çmuara. Si qytetarë të këtij vendi, ne po konfirmojmë faktin se kjo krizë po na bashkon të gjithëve, maqedonasit, shqiptarët, turqit, serbët dhe të gjithë grupet e vegjël etnik. Këtë e demonstruam në rastin e Kumanovës, këtë e demonstruam në grumbullimin masiv para qeverisë në Shkup dhe këtë gjë po e dëshmojnë çdo ditë para qeverisë. Ky nuk është vetëm qëndrimi im mbi këtë. Po të pyesësh shumicën e maqedonasve, shqiptarëve apo minoriteteve të tjera në vendin tonë, ata do ta pohojnë këtë gjë.

Duket sikur ngjarjet e Kumanovës janë të veshura me një mister të madh. Sipas jush, çfarë ishin ngjarjet e Kumanovës?

Zaev: Në rastin e Kumanovës, kishim të bënim me një grup kriminel që shfrytëzoi këtë situatë dobësie në vendin tonë dhe sulmoi, duke u angazhuar në këmbim të parave apo në këmbim të ndonjë oferte tjetër. Kjo është konfirmuar me anë të shumë deklaratave, që lidhin sistemin tonë të sigurisë me këtë grup. Deklaratat e shumta që janë bërë e konfirmojnë këtë lidhje, madje edhe nga ata persona që mbahen të burgosur tani dhe që ishin me grupin në Kumanovë. Ata i përmendën në deklaratat e tyre këto lidhje.

Keni dijeni për deklaratat që po bëjnë tani në burg?

Zaev: Me gjithë këto informacione që më vijnë, jam i prirur të di gjithçka. Zakonisht, informacionet merren me anë të pjesëtarëve të partisë të cilët janë në radhët e policisë dhe i ndajnë këto informacione me ne. Pse na nevojiten këto informacione? Sepse duam që të bëjmë një opozitë korrekte ndaj qeverisë. Unë sigurisht që kam informacione, por këto informacione unë i marr edhe me anë të medias. Rasti në fjalë është një turp për qeverinë. Kjo gjë mund të ndodhë edhe në Kosovë, Shqipëri apo Serbi. Në këtë rast janë shqiptarë, por mund të ishin edhe maqedonas, serbë, që janë të lidhur me aktivitete kriminale apo që u është ofruar para apo u është bërë ndonjë ofertë tjetër nga dikush për të kryer një sulm të tillë për të përmbushur ndonjë pritshmëri të një politikani apo të ndonjë personi me pushtet.

Z.Zaev, në rastin e një qeverie të re në Maqedoni, mendoni se duhet të respektoni principin sipas së cilit, qeveria duhet të krijohet nga partite që fitojne zgjedhjet apo mund të ndodhë ndryshe? E kam fjalën për të dyja komunitetet, maqedonase dhe shqiptare…

Zaev: Qëndrimi ynë është se duhet të ketë një qeveri të përkohshme, kjo qeveri duhet të jetë me politikanë, çka do ta bënte këtë një qeveri me karakter politik. Do të kishte përfshirje nga të gjitha partitë politike, veçanërisht nga ato më të mëdhatë.

Çfarë do të thotë kjo?

Zaev: Dy partitë më të mëdha maqedonase dhe dy partitë më të mëdha shqiptare. BDI, PDSH, VMRO-DPMNE dhe LSDM. Por ne jemi në koalicion edhe me parti të vogla dhe grupe etnike më të vogla, siç janë serbët, turkët apo vllahët. Së bashku me ta, formojmë një koalicion mjaft të madh.

Z.Zaev, ç’mendim keni për Marrëveshjen e Ohrit? Mendoni se është ende gjallë apo ka vdekur?

Zaev: Jo, është ende gjallë, sepse mjaft elementë të saj janë zbatuar deri tani. Por duhet të shkojmë më tutje sesa Marrëveshja e Ohrit. Kjo është ajo që unë kam përsëritur shumë herë kohët e fundit. Duhet të ndjekim frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Ai është vetëm një hap drejt qëllimeve tona përfundimtare, sepse deri tani kemi pasur një shtet dhe dy shoqëri. Pse? Duhet të kemi një shtet dhe një shoqëri. Çfarë ka ndodhur në vendin tonë? Ka një shkollë për studentët shqiptarët dhe një shkollë për studentët maqedonas. Pse? Në SHBA, në të njëjtën shkollë mund të gjesh kinezë, meksikanë dhe çdo lloj kombësie tjetër. Ata kanë mundësi të zgjedhin lëndët që duan të mësojnë, gjuhën që duan të mësojnë dhe kanë mundësi që të planifikojnë të ardhmen e tyre. Ne duhet ta bëjmë këtë, sepse kjo gjë nuk është përfshirë në Marrëveshjen e Ohrit. Por duhet ta arrijmë këtë. Pse?

Sepse këtë komb e kemi ndërtuar bashkë. Ne e dimë që e ardhmja jonë është në familjen e përbashkët evropiane, me kufij të hapur, me mundësi të mjaftueshme për të gjithë qytetarët, për të përmirësuar cilësinë e jetës, veçanërisht në aspektin ekonomik. Ne ndajmë të njëjtat probleme çdo ditë dhe kur dolëm me të ashtuquajturat “bomba”, të gjithë u bashkuam, sepse të gjithë ndajnë të njëjtat probleme dhe të gjithë shpresojnë për një të ardhme të përbashkët.

Z.Zaev, a do te ishit dakord që një nga tre pozicionet kyçe shtetërore të mbahet nga një shqiptar? E kam fjalën për pozicionin e presidentit, kryetarin e parlamentit apo postin e kryeministrit?

Zaev: Sigurisht, nëse personi në fjalë ka potencial, atëherë kjo gjë duhet të ndodhë në mënyrë natyrale dhe jo për shkak se kështu është rënë dakord. Aktualisht, shumë aspekte të zgjidhjes së krizës politike varen nga përfaqësuesit shqiptarë, por jo vetëm prej tyre. Ato varen edhe nga qytetarët shqiptarë dhe pakica të tjera në vendin tonë. Kështu që le ta lëmë këtë gjë të ndodhë në mënyrë natyrale, dhe kështu do të ndodhë, sepse në vendin tonë ka intelektualë dhe politikanë me peshë nga të gjitha grupet etnike. Nëse këmbëngulim që të ketë negociata për poste të caktuara, atëherë kjo gjë nuk do të arrihet kurrë. Nëse e lëmë të ndodhë në mënyrë natyrale, atëherë në mënyrë natyrale do të ndodhë.

Z.Zaev, edhe sa “bomba” kanë mbetur pa shpërthyer?

Zaev: Ka aq shumë sa mund të duhet edhe një apo dy vite të tjera për t’i bërë publike.

Një apo dy vite?

Zaev: Po po. Por çfarë po bëjmë ne? Po vazhdojmë të bëjmë publike prova dhe argumente për t’i treguar qytetarëve tanë dhe komunitetit ndërkombëtar që vazhdon të ketë vepra kriminale dhe të paligjshme dhe kjo do të thotë se ndryshimi duhet të vijë me përgjegjësi. Nuk është e thënë që Zaevi, si kryetar i LSDM-së, të zërë pozicione kyçe në qeverisjen e vendit. Ky është një vendim që u takon qytetarëve tanë. Ne kemi nëntë vite në opozitë. Nëse është në të mirën e vendit, do të qëndrojmë edhe nëntë vite të tjera, por që të kemi një vend normal dhe një mundësi për të ardhmen, gjatë kësaj kohe, përgjegjësia e politikanëve duhet të përqendrohet kryesisht në interesat e shtetit dhe shpresoj se këto që ndodhën në vendin tonë do të jenë të dobishme. Kemi një bashkim të të gjitha etnive, kemi një bashkim të organizatave jo qeveritare dhe të intelektualëve. Parti të majta, të djathta dhe të qendrës janë bërë bashkë. Nëse tregohemi të zgjuar, këtë mund ta përdorim në dobi të së ardhmes së Maqedonisë.

Z.Zaev. A është e vërtetë se regjistrimet që ju kanë rënë në dorë, fillimisht i degjoni ju perpara se te behen publike ?

Zaev: Kam qene i detyruar ta bëj këtë gjë, sepse ishte mjaft e rrezikshme, pasi aty kishte përmbajtje të shumtë personale. 70% e atyre përgjimeve lidhen me opozitarët apo me ata që nuk bien dakord me qeverinë. Vetëm 25% kanë të bëjnë me disa ministri të qeverisë, me disa media të lidhura me qeverinë apo me disa biznese të lidhura me të. Dhe këto materiale që u përkasin personave nga opozita apo pozita, janë personale dhe janë mjaft delikate për mua. Është po ashtu e pamundur që të dëgjohen gjithë këto materiale. Kemi një sistem kërkimi. Futim në kërkim numrin e Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit për të dhëna specifike, se çfarë ngjarjesh kanë ndodhur dhe kështu ndërtojmë një çështje. Kështu veprojmë.

Ju personalisht, sa orë në ditë kaloni duke i dëgjuar bisedat e pergjuara?

Zaev: Unë fle pranë kësaj zyre.

Vërtet?

Zaev: Po. Unë jam edhe kryetari i bashkisë së Strumicës, që është 155 km nga kryeqyteti, nga Shkupi. Në qytetin tim shkoj një herë në javë, sepse duhet të drejtoj dhe bashkinë. Strumica është një nga bashkitë më të zhvilluara në vendin tonë. Kam drejtues të zotë në bashki. Por edhe gjatë netëve, kur nuk zhvilloj takime, unë përgatis bisedat. Përgatis 40 biseda për një çështje të caktuar dhe bisedat i shkojnë asistentit tonë këtu në parti, i cili përzgjedh shtatë apo dhjetë, për të qenë sa më konciz.

Z.Zaev, faleminderit për intervistën !

Zaev: Faleminderit për interesin tuaj dhe falënderoj të gjithë ata që na ndjekin.
Bisedoi në Shkup: Aleksander Furxhi / vizion plus/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat