Bashkëpunimi ndërpolitik BDI-PDSH, për mbijetesë në politikë

Maqedonia

Bashkëpunimi ndërpolitik BDI-PDSH, për mbijetesë në politikë

Më: 26 maj 2015 Në ora: 00:30

BDI-ja dëshiron ta rehabilitojë PDSH-në dhe kryetarin e kësaj partie Menduh Thaçi, që më pas ta ketë më lehtë për të mbijetuar edhe vetë ata në politikë. Kjo është arsyeja që sipas analistëve politikë e ka shtyrë partinë e Ahmetit të pranojë ofertën e Thaçit për bashkërendim të veprimeve, e cila sipas Ramadan Ramadanit, rrezikohet politikisht nga lëvizja e Ziadin Selës dhe partive të tjera opozitare shqiptare.

“Shihet që këtu është një zor i madh, apo siç thotë populli, një dreq i madh pas këtij bashkërendimi pasi nuk ka asnjë vend në botë ku pozita ashtu gjemërzërësisht pranon ofertën e opozitës. Mendoj se oferta e PDSH-së, ishte e kahershme, tani e re është vetëm pranimi i BDI-së në këtë bashkerendim. Oferta e PDSH-së është e qartë dhe ka të bëjë me nevojën e gjetjes së një arsye për ekzistencën e këtij subjekti subjekti politik, sidomos pas paraqitjes në skenë të lëvizjes për reforma brenda kësaj partie”, tha Ramadan Ramadani, analist.

Lëvizjet e reja politike në kampin shqiptar, sipas analistëve rrezikojnë edhe BDI-në. Kjo parti tanimë ka humbur ndikimin mbi qytetarët shqiptarë, dhe kjo u pa më së miri në protestën e opozitës dhe pritjen që iu bë Zaevit në Lagjen e Trimave në Kumanovë, ndërkohë që deputetët e BDI-së nuk kaluan aspak mirë. Dy partite, sipas analistit Ismet Ramadani, tani duan të shpëtojnë besueshmërinë që e shohin edhe vetë se po e humbin çdo ditë e më tepër.

“Mendoj se ky bashkërendim do mundohet të arsyetohet me shumë arsye, por kryesorja është frika nga partitë e ardhshme shqiptare dhe mos-përfaqësimi politik tejet i madh tek qytetarët shqiptarë që u pa edhe në pritjen në Kumanovë që iu bë së pari herë një lideri politik maqedonas, siç ishte rasti me pritjen e Zoran Zaevit, por edhe në tubimin qytetar që ishte kundër Qeverisë, ku me mijëra qytetarë u prezantuan përkundër asnjë subjekti politik shqiptarë t’i ketë përkrahur atë. Këto dy parti tani, BDI dhe PDSH nuk kanë si ta fshehin këtë gjurmë dhe në saje të këtyre bashkërendimeve të dyzuara mundohen që ta mbulojnë sadopak atë”, u shpreh Ramadan Ramadani, analist.

“BDI dhe PDSH kur po e humbin kredibilitetin dhe legjitimitetin te elektorati i tyre, gjegjësisht te shqiptarët po mundohen të krijojnë një bindje se megjithatë ata janë të gatshëm të bashkëpunojnë midis tyre dhe me bashkërenditjen e aktiviteteve të tyre më tutje do ta ndihmojnë situatën, respektivisht daljen nga kjo krizë politike dhe të sigurisë”, tha Ismet Ramadani, analist.
Por, sipas Ismet Ramadanit, as arsyetimet nuk do mund t’i shpëtojnë dy partitë nëse ky bashkërendim bëhet në vazhdën e bashkërendimit të deritanishëm me kryeministrin Nikolla Gruevski.

“Duhet ta kemi parasysh një fakt, derisa këta dy liderë në bisedimet e katër liderëve, përkrahin politikën e Gruevskit, përkrahin qëndrimet e Gruevskit, përkrahin Gruevskin që edhe më tutje të mbetet njëfarë kryeministri të koalicionit të gjerë, çdo bashkërenditje e punëve nuk do të ketë efekt sepse ata bashkëpunojnë me një njeri që është i inkriminuar, i korruptuar dhe ka humbur kredibilitetin edhe brenda edhe jashtë dhe nëse bashkërendimi shkon në pako me Nikolla Gruevskin, atëherë kjo është sipas meje një demagogji dhe një përpjekje e fundit për të shpërlarë krejt atë kurs të mbrapshtë deri tani në bashkëpunim me Nikolla Gruevskin dhe klikën e tij”, u shpreh Ismet Ramadani, analist.

Një ditë më parë, BDI-ja e mirëpriti idenë e bashkëpunimit ndërpolitik nga kreu i PDSH-së Thaçi. Bashkërendimi me PDSH-në për çështje dhe momente strategjike, u vlerësua si thelbësor për BDI-në.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat